U lind princ në luftë, u bë “mbret” në Europë
Nga Sebi Alla
U lind princ në luftë, u bë “mbret” në Europë, por Leka Zogu vdiq pa mbretëruar zyrtarisht asnjë ditë, paçka se ishte dhe mbeti pretendent për fronin. Sapo kishte hapur sytë si foshnje e porsalindur, kur familja e tij me në krye mbretin Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria, duke lënë pas qytetarët e një vendi të pushtuar nga “mikja” e vjetër e tij, Italia fashiste. Kohë e trazuar për të gjithë botën ishin ato ditë, por nëse ish mbreti Ahmet Zogu vdiq në Francë në vitin 1961, kjo nuk e ftohu tentativën për të vendosur përsëri regjimin monarkik në Shqipëri, paçka se komunizmi kishte shtrirë rrënjët në çdo pëllëmbë të Shqipërisë së vogël. Megjithë përpjekjet, duke përdorur gjithçka kishte në dorë dhe me mundësi realisht të pakta përballë makinerisë së regjimit, Leka Zogu vazhdoi tentativat e të atit por pa sukses. Derisa dëshirat e tij, i plotësoi koha dhe vetë pamundësia e një regjimi për të vijuar një ekzistencë të pamundur.
Gati 21 vite pas rivendosjes së pluralizmit politik, në moshën 72-vjeçare pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu I, vdiq në spitalin e neurokirurgjisë në Tiranë, pas dy javësh në reanimacion. Jeta e tij ka qenë e mbushur me ngjarje, që nga udhëtimet fëminore si një familje e mërguar që nuk gjen karar kollaj, tek tentativat për të përmbysur me dhunë sistemin komunist, e deri në referendumin popullor për monarkinë. Familja Zogu jetoi në shumë vende të botës, gjithnjë me shpresën e zgjuar se mund të vinte një ditë që do riktheheshin në vendlindje, jo kokëulur, por triumfatorë dhe “shpëtimtarë” të vendit. Ish mbreti nuk rreshti së menduari dhe vepruari për të ardhur në pushtet, por edhe pushteti i kohës futi agjentët e tij më të mirë bash e në oborrin e familjes. Një luftë e vazhdueshme agjenturash dhe pushteti mes Enver Hoxhës dhe të riut Leka Zogu. E humbi “luftën” me Hoxhën, por nuk fitoi as atë me njerëzit që pretendonin se sollën dhe po qeverisin në demokraci…
Pa u shkrehur akoma pushka e parë ndaj pushtuesit, familja mbretërore u largua me një karvan njerëzish dhe pasurie që e ndoqi nga pas. Vendi u zaptua nga Italia me një rezistencë disaorëshe në Durrës e bregdetet e tjera, dhe mbreti Ahmet Zogu nuk e mbajti fjalën që kishte dhënë se do të rrëmbente pushkën dhe të merrte malet për të luftuar ndaj pushtuesve italianë. Në vend që të mbathte opingat, ai ia mbathi… Vitet ikën, komunistët u fuqizuan dhe fundi për të do të vinte zyrtarisht që në majin e vitit 1944, ku ndalohej ardhja e tij në vendlindje. Mund të ketë qenë momenti kyç që njeriu që i mbijetoi luftës për pushtet për shumë vite, kuptoi gabimin e arratisjes nga Shqipëria. Bashkë me ikjen e mbretit, dolën fjalë se kishte marrë një sasi të madhe ari dhe argjendi nga arka dhe Banka e Shtetit. Në fakt më vonë dolën edhe dokumentacione që e vërtetonin këtë thashethem që qarkullonte. Sa më shumë hallakatej Ahmet Zogu nga njëri kryeqytet në tjetrin, aq më tepër fuqizohej komunizmi. Derisa pas luftës, i nguli këmbët një herë e mirë.
Ahmet Zogu ndahet nga jeta në vitin 1961. Vec ca parave, kishte lënë pas edhe një pasardhës. Karizmatik, i qetë, ushtarak dhe me një “veshje” të admirueshme intelekti dhe shkollimi, thonë dashamirësit (playboy, bredharak e kontrabandist, thoshte historiografia zyrtare e kohës) Leka Zogu I, edhe pse nuk e kishte as në përfytyrime të mjergullta Shqipërinë, mëtonte që të ishte pasardhës i babait të tij. Por fillimi i viteve 60’ nuk ishte në favor të tij. Për të përmbysur një regjim nevojiteshin para, armë, forca ushtarake dhe mbështetje nga shtete të fuqishme. Pak nga ato kishte. Sipas dëshmisë së dhënë shumë vite më vonë, Leka Zogu I, u shpreh se fill pas vdekjes së mbretit ai kishte në bankë vetëm 400 dollarë. Ari i Shqipërisë ishte harxhuar. Në vitet e para bënin një jetë luksoze dhe për më tepër hodhën shuma të mëdha për të organizuar gjithë mërgimtarët kundër komunizmit. Një oborr mbretëror dhe për më tepër mëtonjës i rikthimit si monark kërkonte fuqi të gjithanshme. Leka Zogu I, hap një kompani të tregtimit të lëndës së parë për industrinë dhe nis biznesin me vende të ndryshme të botës. Kontaktet më të shumta i kishte me disa shtete aziatike, kryesisht ato që kishin regjime monarkike. Paratë po shtoheshin, por Leka Zogu I nuk qëndronte në një vend. Lëvizte në shumë shtete Angli, Spanjë, Egjipt, Francë dhe në fund zuri vend Afrikën e Jugut. U dyshua se pas Zogut fshihej një trafik i madh armësh. Por ishte koha edhe për pak patriotizëm dhe një lojë dyfishe. Pika e parë qëndronte Shqipëria. Mendohet të ketë hedhur rreth 2 milionë dollarë dhe një sasi armësh për të nxitur një konflikt të armatosur në Shqipëri. Sipas dëshmisë së tij të dhënë pak vite më parë, krijoi lidhje me të paktën dy eksponentë të rëndësishëm të sistemit komunist në Shqipëri. Ndërsa Leka Zogu I hidhte para të madhe për të “bluar nga brenda” komunizmin dhe rrëzimin e Enver Hoxhës, ky i fundit nuk kishte nevojë të derdhte të holla. Nisi loja e agjenturave. Thuajse çdo plan për të ndërhyrë në Shqipëri merrej vesh nga regjimi komunist. Në vitet 70-të doli në qarkullim edhe romani “Mërgata e qyqeve”, që si personazh të saj kishte pikërisht agjentin e Sigurimit të Shtetit që mundi të infiltrohej në oborrin mbretëror. Ishte Isuf Mullai, edhe ai i ndarë nga jeta vetëm dy muaj më parë. Më dëshmitë e dhënë prej tij u kuptua qartë se regjimi komunist jo vetëm kishte të dhëna rreth veprimtarisë së Leka Zogut, por çdo tentativë për të kryer misione në vendin tonë shuhej që në gjenezë. Mirëpo një tjetër vatër që indirekt mund të prekte edhe Shqipërinë po hapej. Lëvizjet në Kosovë po bëheshin gjithnjë e më prezente në vitet 80’. Zogu nuk hezitoi që të furnizonte me armë dhe mjete monetare disa eksponentë kosovarë që synonin të organizoheshin për t’u shkëputur nga Serbia. Një vatër konflikti në Jugosllavi do të trazonte jo pak edhe vendin tonë. Ndoshta kjo do ishte mundësia më ideale për të që të bëhej mbret i Shqiptarëve (duke përfshirë edhe Kosovën). Dështimi i fundit për Leka Zogun ishte ai i vitit 1982 me ardhjen e Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Edhe pse Zogu nuk e pranoi se e kishte urdhëruar ai atë mision, përsëri nuk mohoi që kishte kontakte personale me Mustafën. Fundi për regjimin do të vinte në fillimin e viteve 90’, jo nga mbreti por kalbëzimi i brendshëm. Zogu nuk kishte pse të nxitohej, përveçse të priste ç’do të ndodhte.
Një faqe e re u hap pas vendosjes së pluralizmit politik në vend. Leka duroi pak muaj dhe ndërmori një hap. Me një avion çarter mbërriti në Shqipëri në vitin 1994. E pa vendin ku ishte rritur nga lart, pasi nuk u lejua të shkelte në Tiranë dhe u mbajt i “izoluar” në një hotel. Asokohe Sali Berisha ishte duke fuqizuar pushtetin e tij presidencial. Pas shumë vitesh qëndrimi në Afrikën e jugut, në verën e 1994-ës Leka i shoqëruar nga Ministri i Oborrit Abedin Mulosmani erdhi në Tiranë, ku ai nuk qëndroi më shumë se 48 orë. Arsyeja e largimit të tij u komunikua zyrtarisht me faktin se ai nuk kishte ardhur si një qytetar i zakonshëm por me pasaportën e Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928, gjë e cila binte ndesh me ligjet e shtetit shqiptar në fuqi. Më shumë se për çështje dokumentash, Berisha i trembej një referendumi mbi mënyrën e sistemit qeverisës. Pas 48 orësh qëndrim në Tiranë, Zogu u rikthye në Afrikën e Jugut. Ajo që kërkonte do të vinte tre vjet më vonë. Më 29 qershor 1997, kur vendi ishte përfshirë nga anarkia ai kërkonte monarkinë dhe presidenti në ikje ja bëri këtë favor… Rezultati përfundimtar i referendumit u shpall nga KQZ-ja më 13 korrik, sipas të cilit fitoi forma e qeverisjes “Republikë” me 66,75 për qind të votave. Megjithatë, një e treta e shqiptarëve kishte votuar pro. Për të kundërshtuar këtë votim, me argumentin e Zogut dhe partisë Lëvizja e Legalitetit se ishin vjedhur votat, mbajti një protestë para KQZ-së, që u mbyll me një protestues të vrarë. Aty Leka Zogu I u pa i armatosur në krye të turmës, por nuk i eci. Përfundimisht do të kthehej në Shqipëri në vitin 2002. Dhe “çuditërisht”, lejen ja dha e majta në pushtet. Por edhe relatat me Berishën do të normalizoheshin. Zogu nuk qëndroi pasiv në politikë. Tentoi të konkurronte dhe siguronte disa deputetë në parlament por nuk ia arriti as me “Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar”. Ndjenjat monarkike ishin shuar. Ndoshta tashmë shqiptarët e kuptuan se nuk mund të ktheheshin pas në kohë, për më tepër që ai largim i mbretit Ahmet Zogu në kohë të vështira nuk do falej lehtë. Pas ardhjes në pushtet të Berishës, Leka Zogu I, i tërhequr gjithnjë e më shumë nga politika kishte të tjera misione. Tashmë duhet të siguronte një jetë aktive për të birin. Kërkoi pronat që i përkisnin familjes mbretërore dhe disa prej tyre iu kthyen nga qeveria. Gjithshtu edhe princ Leka II u punësua në Ministrinë e Jashtme po me shpresën të paktën për të mbajtur gjallë “pretendimin” për fronin mbretëror. Berisha i vitit 1994 dhe ai i sotmi ndryshojnë si nata me ditën në qëndrimin karshi “mbretërorëve”. Menjëherë pas njoftimit për vdekjen, kryeministri Sali Berisha u shpreh se kombi pësoi një humbje të madhe. Sipas Berishës përzënia e Leka Zogut I nga vendi ishte e padrejtë dhe referendumi për monarkinë në vitin 1997 ishte i manipuluar. “U veprua me parimin stalinist, ju votoni, votat i numëroj unë”, tha kryeministri. Vdekja e Leka Zogut I mbyll një kapitull kurore. Iku nga ky vend vetëm 48 orë pasi u lind, por të paktën vitet e fundit të jetës i kaloi në një atdhe që një moment të turbullt të ekzistencës së vet, i dha një miratim të hatashëm prej 33%, një kandidati për monark që nuk u bë kurrë mbret.
Me spaleta dhe biznes…
Ishin mijëra njerëz ata që u gëzuan kur Lartmadhnia Ahmet Zogu solli në jetë princin Leka I dhe nuk iu desh gjatë të mendonte për shkollimin e tij jashtë vendit, pasi ai atje do rritej. Pas largimit të familjes në Egjipt, në vitin 1946, Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victoria College” të Aleksandrisë, ndërsa pak kohë më vonë në “British Boys School”, të cilat i përfundoi në vitin 1954. Ky shkollim për një pasardhës të familjes mbretërore quhej i mangët, ndaj pas transferimit në Francë, në vitin 1955, Leka tashmë 16-vjeçar, regjistrohet në kolegjin e Olon-it në Zvicër, ku mori edhe diplomën. Në vitet 1956-1958 vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Send’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku u titullua oficer. Gradat ushtarake nuk e mbushnin, ndaj krahas biznesit që bënte vetë nisi të tjera studime për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës. Mjaft I ri vetëm 22 vjeçar ishte kur më 9 prill 1961, pas vdekjes së Ahmet Zogut, bën betimin si Mbret i Shqiptarëve. Në prani të ish-deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata zuri fronin mbretëror, që do mbeste gjithnjë një ëndërr e parealizuar.