U transferuan se refuzuan dosjen Shullazi, dy prokurorë padisin Arta Markun (Detaje)

Prokurorët Besim Hajdarmataj (Ish-drejtues i Krimeve të Rënda) dhe Sonila Muhametaj kanë paditur në gjykatën Administrative kryeprokuroren Arta Marku pas vendimit për transferimet në rrethe pas ngërçit me dosjen Shullazi. Ata kërkojnë që të shfuqizohet vendimi për transferimin e tyre, pasi nuk ka bazë ligjore dhe se është marrë në kundërshtim me ligjin. Sipas gazetarit të Report Tv, Arsen Rusta padia do të shqyrtohet nga gjyqtari Avni Sejdi.

Dosja “Shullazi” futi në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda rreth një muaj më parë, pasi prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.

Kjo situatë solli edhe penalizimin për prokurorët refuzues, ndaj të cilëve, për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, ka nisur një hetim disiplinor, ndërsa Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela u transferuan në rrethe.

SHKARKO APP