Uji i pijshëm, vijon aksioni Task-Forcës, ndërpriten 108 lidhje të paligjshme, vendosen 19 gjoba
Aksioni i Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimeve për prerjen e lidhjeve të paligjshme që shpërdorojnë ujin e pijshëm po jep rezultate pozitive, qoftë në stabilizimin e situatës, ashtu edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Gjatë aksionit të djeshëm të Task-Forcës, grupet e shpërndara në terren, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, identifikuan dhe shkëputën 108 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, duke e çuar në total në 1199 numrin e prerjeve të paligjshme që nga dita e parë e aksionit.
Task-Forca u përqendrua në zonën e Farkës, Dajt, Kashar, Liqeni i Thatë, Qyteti “Studenti”, Babrru Shpat/Kodër/Qëndër, Rr. “Jordan Misja”, Rr. “Elbasanit”, Rr. “Hoxha Tahsim”, Rr. “Ali Demi”, në zonën e ish-Bllokut, Rr. “M.Shyri”, si dhe në linjën e transmetimit DN 1000 dhe DN 700.
Edhe në këto raste subjektet janë gjobitur sipas parashikimit në ligj, ndërsa për çdo shkelje penale është bërë gjithashtu denoncimi në organet përkatëse. Janë vendosur gjoba për 93 abonentë familjarë dhe për 49 biznese në total, ku 19 prej tyre janë vendosur vetëm dje.
Që nga nisja e këtij aksioni, Grupet e punës në terren kanë bërë verifikimin e 5740 abonentëve, duke lidhur në total 365 kontrata të reja, si dhe janë nënshkruar 125 aktmarrëveshje për pagesën e ujit. Një punë e mirë është bërë edhe në vendosjen e aparateve të rinj matës duke e çuar numrin në 531 copë, ku dje janë instaluar 135 matës të rinj.
Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.
Krahas monitorimit dhe ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme, ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dhe të strukturave të tjera nën varësinë e Bashkisë së Tiranës janë në terren duke iu përgjigjur në çdo kohë qytetarëve në zonat më problematike të furnizimit me ujë të pijshëm me bote në këto ditë të nxehta dhe thatësire të zgjatur që ka përfshirë disa vende të Evropës.