Ulen interesat e kredive, por dhe të depozitave

Raporti tremujor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë evidenton se interesat e kredive dhe depozitave kanë shënuar rënie krahasur me një vit më parë. Sipas BSH-së, normat e interesit të depozitave në lekë mbeten pranë niveleve të ulëta historike, ndonëse u karakterizuan nga luhatje gjatë pesë muajve të parë të vitit. Ato pësuan ulje në muajt mars dhe prill, por u rritën – mesatarisht me 0.1 pikë përqindjeje – në muajin maj. Norma më të larta interesash janë aplikuar për afatet deri në një vit. Në të kundërt, interesat e depozitave në euro vijojnë të ulen. Rënia e përshpejtuar e tyre në dy vitet e fundit është ndikuar nga ruajtja e niveleve të ulëta të interesave në euro në tregjet ndërkombëtare dhe nga tkurrja e kreditimit në këtë monedhë.

Interesi për kredinë në lekë shënoi 8.28%
Normat e interesit të kredisë në lekë janë shfaqur më të luhatshme gjatë vitit 2015 dhe me tendencë të ndryshme, në varësi të maturitetit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë. Interesat afatmesme dhe afatgjata janë ulur lehtë, ndërsa ato afatshkurtra – deri në 1 vit – janë rritur, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Interesi mesatar i ponderuar për kredinë e re në lekë rezultoi 8.28% në periudhën janar-maj, nga 7.87% në tremujorin e fundit të vitit 2014. Ai është rritur veçanërisht në dy muajt e fundit. Në këtë periudhë, kredia e re është dhënë kryesisht për financimin e nevojave të likuiditetit për bizneset dhe ka qenë e përqendruar në pak banka. Interesat për kredi për qëllime konsumi dhe për investime afatgjata kanë rënë, duke mbështetur ecurinë e kredisë për këto kategori.

Interesat për kredinë në euro u ul në 5.96%
Interesat për kredinë në euro kanë njohur ulje veçanërisht në muajt prillmaj. Interesi mesatar i kredisë në euro llogaritet 5.96% në këtë periudhë, nga 6.31% në tremujorin e parë. Kjo rënie është reflektuar në ngushtimin e diferencës së tyre me indeksin euribor 12-mujor. Bankat zgjeruan marzhet mbi interesin euribor që prej vitit 2013, duke sinjalizuar një qasje më konservatore ndaj kredisë në euro.

Bankat lehtësojnë kushtet e kreditimit
Në përgjithësi, bankat vijojnë të aplikojnë kushte financimi më të lehtësuara për individët, ndërsa ruajnë kushte të shtrënguara për bizneset. Këto të fundit janë huamarrësit që shfaqin nivelin më të lartë të kredive me probleme. Për tremujorin e tretë, bankat presin që normat e interesit të ulen, si në monedhën lek, ashtu dhe në atë në euro.

SHKARKO APP