“Ulja e kredive të këqija, sinjal se ekonomia po rimëkëmbet”

Kryeministri Edi Rama e konsideroi lajm të mirë raportin e Shoqatës së Bankave Shqiptare për uljen e nivelit të kredive me 2.2 % në tremujorin e katërt të vitit 2014 në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, kryeministri Rama shkruan se ulja e kredive të këqija është sinjali i shenjave pozitive të rimëkëmbjes ekonomike.

“Lajm i mirë, ulen kreditë e këqija nga 25 në 22.8 % në raport me 3 mujorin e mëparshëm. Vazhdojnë shenjat pozitive të rimëkëmbjes ekonomike”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Shoqata e Bankave Shqiptare njoftoi të hënën se kredia me probleme në fund të muajit dhjetor llogaritet 22.8 %, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës.

“Cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të katërt 2014, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit dhjetor, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës. Ky përmirësim është reflektuar edhe në uljen e kostove të provigjionimit dhe rritjen e përfitueshmërisë së bankave”, thuhet në raportin e AAB-së.

AAB publikoi të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e katërt të vitit 2014 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin dhjetor 2014, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,294 miliardë lekë, me rritje prej 4.8% nga një vit më parë, ose 1.7% më shumë se tremujori i kaluar.

Sistemi bankar vazhdon të mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.8 % në fund të muajit dhjetor, nga 12% që është norma minimale e kërkuar nga BSh. 

SHKARKO APP