Unaza e Poshtme e qytetit të Burrelit jashtë funksionit, banorët të izoluar. Shembet rruga e re!
Unaza e Poshtme e qytetit të Burrel ndodhet aktualisht jashtë funksionit, duke e bërë të pamundur qarkullimin jo vetëm për automjetet, por edhe për banorët që jetojnë përgjatë saj.
Rruga ka pësuar katër shembje, nga të cilat dy kanë dëmtuar tërësisht trupin e karrexhatës. Situata më problematike paraqitet në anën perëndimore, ku në të paktën dy segmente traseja është dëmtuar rëndë, duke e bërë të pakalueshme për çdo lloj automjeti.
Si pasojë, shumica e banorëve nuk mund të shkojnë me automjete në banesat e tyre, ndërsa shembjet e vazhdueshme të rrugës kanë krijuar rrezik edhe për shtëpitë përreth.
Rikonstruksioni total i Unazës së Poshtme të Burrelit është një projekt i financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me një vlerë prej 128 milionë lekësh të reja, i nisur rreth një vit më parë. Zbatimi i projektit po kryhet nga kompania ULZA sh.p.k.
Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi dëmtimet po thellohen dhe rreziku për banorët mbetet i lartë.
Mësohet se edhe kjo rrugë do hetohet nga BKH dhe SPAK në kuadrin e gjithë hetimeve për dëmet e shkaktuara nga shirat.
KOHA JONË SONDAZH

