“Unë ha gurët e “OMONIA”-s, por kombin kurrë s’e shes”

Nga Agim Jazaj

Nuk ka rënë llohë, nuk kanë dalë lumenjtë, përrenjtë e rrëketë, as këtu lart në grykën e Këlcyrë-Mezhgoranit. Në konakët dhe sokakët, njerëzit e atjeshëm pyesnin dhe prisnin nëpër udhët e Peshtanit, të shihnin dhe të piqeshin me Kiço Peshtanakun alias, birin e tyre, pendëhalin Kristo Mërtirin. Të çmalleshin me djalin, rrënjëdalin e tyre! Kemi kohë, nuk i kemi dëgjuar zërin, si kemi lexuar as penën, për kaq kohë. Kë nuk kemi pyetur. Edhe zogjtë… Me pëllumbat kemi dërguar kartë! Ka kaq kohë, që nuk i ka shkelur këmba këtu, ku i ka bërë koka dëng! Nga gryka e Këlcyrë- Mezhgoranit, i shkruan një copë kartë dhe e nisën me behçihun e fshatit, deri atje lart në metropol. Dikush ia kish çuar haberin: “Pse po dimëron kaq gjatë”?!

Edhe në Vlorë iu ishte tharë pështyma, Ahmet Demajt, Isuf Danajt, Arsim Canajt, Mustafa Dedenikës, Asqeri Llanajt, duke pyetur e pritur me veshët pipëz. Prej tyre kishin zënë edhe “pusinë” në ndonjë faqe gazete. Dikush me faqore përpara, për të trullosur pakëz hallet, mallet e shumë miq të tij të njohur e të panjohur edhe në kurbet: “Ç’u bë, (ishte vërtet pushim apo dëshpërim) ku vajti ky njëri që nuk po i dëgjojmë as zërin”! “Topi 160 mm, i gazetarisë së shkruar, pse nuk po shtin? Është vaisur e grasatuar trashë, është hedhur mbi shtratin e tij”, e tha dikush llafin…

Po këto ditë të vapës së korrikut, haberi erdhi taze. E sosi merkun gazeta “Koha Jonë” dhe e atyre, një universitet i gazetarisë shqiptare.

Në faqet e saj, fët ia bëri autori Kristo Mërtiri, një emër jo pak i njohur në tri kohët. Në kohën e sistemit socialist, në këtë të katrahurës- demokatrahurës, po edhe në atë të kurbet lumit. Ka bërë një vepër gjysmë shekullore dhe e ka lënë një emër…

Një sabah korriku, në jezullin e vapës, shumë i dëgjuan emrin nga zëri i Bashkimit… Urra!- bërtitën disa njerëz të afërm të tij në grykën e Vjosë- Mezhgoranit, po edhe në Vlorë, në Athinë e kudo. U zgjua nga dimërimi i gjatë!

Në akshamin e së mërkurës, u sos si me kaikë, atje mes Këlcyrës e Mezhgoranit gazeta “Koha Jonë”, që i bie të drejtës në ballë, pa ia bërë syri tërr.

Ç’ishte ky desantim e bombardim i këtyre ditëve triplanësh nga: Toka, ajri dhe deti, pas këtij pushimi të gjatë?! “I kishte lodhur lexuesit”, – thanë disa. “I la të çlodheshin dhe të malloheshin”,  tha dikush tjetër.

Po gjuha shkon aty ku dhëmb dhëmbi. I ke vënë veshin ti ore lum miku?! Politikanët dhe qeveritarët zengjin të çdo kallëpi, qendror e lokal, të dalë e të përdalë, e kanë stacionin në dhënie! Nuk e kthejnë kurrë në marrje, të dëgjojnë hallet që u kanë pllakosur këtij populli. Ata jo vetëm që nuk e duan këtë popull, por edhe e urrejnë.

E thotë troç e vërteta. Kudo gjenden, vendosen dhe vidhosen në poltronët zyrtare; puthador e këpucëfshirës!

Njërëzit e pa heberosur dhe ata me pak haber, i keqpërdorën për punë të liga. Edhe Napoleoni për punë të liga, gjente njerëz të ligj. U turrën me urat e zjarrit, mbi ara dhe ura, shkretuan ato që kishin ndërtuar me mund e djersën e tyre përmbi 50 vjet . Shpërthyen nëpër rrugët e marra për të bërë hair e prokopi, sipas sistemit specifik, kapitalisto- kanibalist shqiptar, pa mund e pa mend. Po ku është gjendur ky sistem, e kjo mënyrë jetesë, në cilin cep të botës xhanëm- të kam rixha?!

Të mos largohemi nga muhabeti, plaga që na dhëmb në trupin e robit të drobitur, e hedh në pendën e vet publicisti i njohur Kristo Mërtiri.

Të ndjesh dhimbjen tënde, je i ndjeshëm, të ndjesh dhembjen e të tjerëve, do të thotë të jesh njeri…Politikanët tanë ndjejnë vetëm dhimbjen e tyre. Meazallah të të tjerëve!

Miku im më dëgjo pak me vesh, më shoqëro me sy dhe më ndje me shpirt. Sepse ti je atje lart, pranë burimit këllirëmadh, te kuberna, që gurgullon nëpër përrenjtë e turbullt. Më qafsh, më thuaj: Politikanët ordiner, hajdut me opinga e pa opinga, me kollare e brilantina të kastrepsur rëndë, nuk qederosën aspak për këtë popull barktharë, të varfër në kokë, që i rrjepin kokën dhe lëkurën. U bënë pasunarë sa të hapësh e të mbyllësh sytë, duke vjedhur e mashtruar e ngatërruar pronat. Ngrysen brekë grisur, gdhihen të kollarisur! E kush e ka thënë më shkoqur se poeti i Labërisë, vlonjati, Ali Asllan vetëtima: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka, të pabrekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka”.

Kristo Mertiri

Kristo Mertiri

E ke venë re më thoshte si me qesëndi edhe një i motshëm nga anët e mia. Qederosen këta politikanët tanë për fatin e Turqisë. Dhe mirë bëjnë xhanëm! U dhëmb plaga e të tjerëve dhe nuk ndjenë plagën e njerëzve të tyre.

Dhe s’ka si të kuptohet ndryshe. Kur këto plagë i kanë hapur vetë, me dorë, këto gjëma e bëma çerek shekullore mbi popullin e drobitur shqiptar, as sa një lagje e Stambollit! Krahasim sa i dhimbshëm e drithërues! Për hir të realitetit dhe të ironisë, së hidhur farmak, këta delenxhinj që dinë të çqeverisin shqiptarët, kakarisin si gjeli në majë të plehut, të shesin moral me okë përpara ekraneve dhe pasqyrave, për të thënë atë që duan, dhe jo atë që u kërkon edhe drejtuesi i emisionit! Edhe aty, tregohen të pa cipë, të pa lyrë, të pa gjak në fytyrë, sa dhe të dhunshëm!

Tashmë plaga ka mbuluar gjithë trupin dhe asnjë kurë nuk besojë ti bëj derman! Më dëgjo një llaf- të kam rixha: I bëjnë fajde inxheksionet të vdekurit?!…

Po melhemi dhe penda e Kisto Mëtirit?!…

Ku s’ka shkelur këmba e publicistit të njohur, ku s’ka vënë buzët; në burimet e Tepelenës e Përmetit, Gjirokastrës, në Shkodër, Korçë, në Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, ku nuk ka lënë vlagën?! Edhe në stanet e motshme të Tragjasit e Dukatit, nëpër rrugicat duke shkuar në tufat e bagëtive me motoçikletën e Shate Gjondedës. Pas 40 viteve të shkuara dhe të paharruara, u lidhën me celular një ditë vjeshte. Vitet kishin bërë të tyre, por kujtimet, vlera dhe malli ishin bërë mal. Shatja, shkuar të ‘90 tave, u kthye pas në vite dhe molloiste gazetarin e shquar, i miqësuar përjetësisht me të…

Ku nuk i gjen gjurmët e tij? Edhe jashtë vatanit. Në kafe “Kasteli” në qendër të “OMONIA”-s, ku rrëkëllente thatë një kafe, me dengun e gazetave shqiptare dhe të emigracionit shqiptar përpara.

Njerëzit që uleshin në atë lokal, e kishin marrë vesh kush ishte ky njeri: Prodhim jashtë serie dhe respekti për të nuk ishte radhiko.

Shoqëritë e emancipuara dhe të civilizuara, vlerësojnë dijen dhe jo paranë. Ndaj atje udhëheqin të diturit, investojnë të pasurit, mësojnë të paditurit, ndëshkohen fajtorët! Kudo respektojnë dijen, përulen përpara të diturit; e çojnë në qosh dhe i dëgjojnë llafin!

Botën e udhëheqin të diturit dhe jo të marrët- or mik lumi, me thoshte këto ditë një burrë i moçëm nga Labëria.

Një ditë nga kurbet lumi, plot halle e derte i bie telefoni. Ishte Musa Ulqini. I bëri ftesë dhe ofertë, të vinte në vatanin e tij, të niste punën në kryeministri!.. Në mes të halleve, në mes të Athinës! Po ku të linte familjen? Shtëpinë e katandinë, i kishte humbur në firmat piramidale. Ku të fuste kokën? Në qiell të hapur?…

Kalvarit të padrejtësive dhe paudhësive, si gjithë shqiptarët nuk ka mundur t’u shpëtojë edhe ky njeri! Por në emigracion penda dhe mendja e tij ishin në ballinën e shtypit të emigracionit.

Papritur një ditë i ofruan detyrën e kryeredaktorit, një ndër gazetat e emigracionit. Por ai, kurrë nuk e vendosi emrin e tij nën këtë ofiq, pasi e dallonte edhe ndonjë hile, ligësi që mund të fëlliqte. Ballina e gazetës me shkronja të mëdha, korsive, e ngacmonin botuesen, saqë e vinte deri në siklet.

“Unë ha gurët e “OMONIA-s, po kombin kurrë s’e shes”- i tha një ditë prerë Kristo Mërtiri. Dhe… u largua andej nga ku gatuhej gënjeshtra dhe kontrabanda, vinte era e ligësisë dhe e koprometimit…

Bashkë, me emigrantë shqiptarë nga gjithë harta e kombit, nëpër rrugë e Athinës, protestonim përpara rezidencave europiane, kundër masakrës serbe, në përkrahje të bashkëkombësve tanë, të Kosovës….

Klithmat e autorit Kristo Mërtiri, qoftë nga kurbet lumi, kumbojnë edhe në vargjet e tij, të recituara nga aktori dhe gazetar i RTSH, Xhelil Aliu. Ato ruhen si hazine: “Ku më lë mua të zinë/ Lartë e poshtë nëpër Athinë/ Si guri në rrokullimë”… Lexuesit e ruajnë në sepetet e tyre për gati gjysmë shekulli komunikim, ku ka mundur të udhërrëfejë e frymëzojë kalimtarët, lexuesit, bashkëqytetarët, bashkëkombësit e tij, ky yll karvani! Disa nga veprat e tij publicistike janë skalitur dhe ruhen në sepetet e motshme. Ato- ore lum miku janë shumë, ne do të përmendim fare pak si: ”Mos më kërkoni më në sheshin “OMONIA”, “Nuk e vras veten para Ministrisë së Drejtësisë”, “Babai yt nuk më la të beja të pa bërën, o Lirak Bejko”, “Më i bukuri urdhër” nga Vlora, profesor Arben Puto dhe administrata memece”, “Ç’u thot Agim Jazo zyrtarëve të lartë në Vlorë e Tiranë”, “Një gjel mbi helmetë, hodhi në rrugë fotoreporterin Niko Xhufka”, “Politikanët zengjinë nuk e duan Shqipërinë si Sejfulla Malëshova”, “Ç’i thotë Xhevat Hana, Prokurorit të Përgjithshëm”, “Leri dënglat Fullan”, “Faqezinjtë e tritolit kërkojnë, o jetën, o kuletën”, “Arkivi i gjallë i Sarandës”, “Faleminderit Baba, Faleminderit Tepelena Jonë”, “Drejtësia nuk mund të pastrohet nga “halimxhafëria”, “Zyrtarët këllira që shesin fytyra e pasqyra”…

Njerëz të tillë pa spaleta pushtetari, por me grada qytetari, kalojnë ndoshta në heshtje, por pas kanë lënë veprën dhe vlagën gjatë.

Lexuesit do të ruajnë gjatë, të vendosur dhe në dy sepetet me vargjet pa pushim, për gati 2 vjet në gazetën “Telegraf”, një në Peshtan dhe tjetra në Dushkarak. “Dy sepete plotë me bejte/ I bie Vjosa nëpër dete”…

Këto thesare dhe visare, kanë prekur e frymëzuar edhe kryebashkiakun e zgjedhur nga Labëria, lavdimbuluar, Përparim Shametaj, i Selenicës, për të ngritur një muze në vendlindjen e tij, aty ku i ka bërë koka dëng, ku ka lindur dhe është selitur. Të futen dhe të vizitohen edhe këto thesare, në atë muze, si pjesë e memories kombëtare: “Dy celularë me Bejte”.

Autori K. Mërtiri ka lënë aty një postulat kuptimplot, në sepeten kapakhapur:

“S’dua tjetër dekoratë/ S’dua jargë pushtetari/ Një qoshe në Dushkarak/ Ngre të vdekurit nga varri…”.

SHKARKO APP