Ura e Mesit, një nga legjendaret e trashëgimisë, që ka sfiduar kohërat dhe sot sfidon ashpërsinë e natyrës
Ura e Mesit, një nga monumentet më legjendare të trashëgimisë sonë, vazhdon të sfidojë kohërat dhe sot përballet me të njëjtën dinjitet me ashpërsinë e natyrës. E ngritur mbi shtratin e egër të Kirit, ajo nuk është thjesht një strukturë guri, por një dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë, e durimit dhe e mençurisë ndërtuese që ka ditur të dialogojë me rrezikun, jo ta shmangë atë.
“Mes stuhisë dhe provës së natyrës, Ura e Mesit na kujton se atë që ka themele të forta nuk e thyen as lumi më i egër; përkundrazi, çdo vërshim e bën të qëndrojë edhe më madhështore,” shkruan në një nga postimet e tij në rrjetet sociale kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Ky reflektim sjell në vëmendje simbolikën e thellë të kësaj ure të hershme, nën këmbët e së cilës kanë kaluar shekuj vërshimesh të pamëshirshme të lumit Kir, por edhe rrjedha të panumërta historish njerëzore.
Sa e sa hapa janë shkelur mbi supet e saj, sa udhëtarë kanë ardhur e janë larguar, sa tregti, pritje e ndarje ka njohur ajo në heshtjen e saj fisnike. Ura e Mesit ka qenë dëshmitare e rebelimit të kohës, e përplasjes së historisë me fatet individuale, duke mbetur gjithnjë një pikë lidhëse mes brigjeve, por edhe mes epokave.
Sot, në këto ditë përballjeje me rebelimin e natyrës, ajo qëndron sërish sfiduese, ashtu siç ka qëndruar ndër shekuj përballë rrënimit, harresës dhe ndryshimeve të pamëshirshme. Një atraksion turistik ikonik i Shkodrës, Ura e Mesit mbetet simbol i qëndrueshmërisë dhe një metaforë e fuqishme për atë që ndërtohet me themele të forta: jo vetëm që i mbijeton stuhive, por del prej tyre edhe më madhështore, edhe më kuptimplotë.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 25977

