Uzina e telave, hiqet koncesioni – Ministria: Po amortizohet, kompania turke nuk zbatoi kontratën

Qeveria ka nisur procedurat e prishjes së kontratës koncesionare të Uzinës së Telave dhe Kabllove Shkodër. Që nga viti 2004 ky objekt i është dhënë me koncesion kompanisë turke “Yilmaz kabllo”, e cila, sipas Ministrisë së Energjisë nuk ka arritur te realizojë parametrat e kontratës, si dhe nuk ka investuar në mirëmbajtjen e objekteve dhe infrastrukturën inxhinierike.

Kjo ka sjellë amortizim të shumë objekteve dhe dëmtime të makineri-pajisjeve të trashëguara, sepse nuk janë zbatuar kriteret e një ruajtjeje dhe konservimi teknik te tyre.

Televizioni Scan ka zbardhur një analizë të Ministrisë së Energjisë mbi këtë koncesion, ku nënvizohet se në periudhën 2004 deri 2016 vihet re një shkalle e larte amortizimi e makineri-paisjeve te cilat nuk janë përdorur nga kompania, madje linjat e reja gjermane te viteve 1985-1987 janë dëmtuar.

Një dëmtim të madh kanë edhe objektet ndërtimore sepse nuk është investuar për mirëmbajtjen e tyre, e po kështu në disa sektorë si kaldaja, reparti i petëzimit, etj. janë thuajse jashtë përdorimi.

Në analizë Ministria bën me dije se tashmë është ndjekur procedura për zgjidhje të marrëveshjes koncesionare, kalim provizor në administrim prej shtetit deri në gjetjen e investitorëve të përshtatshëm për rehabilitimin e Uzinës./SCAN

SHKARKO APP