Vali Leskaj: Kënaqësitë e vogla, larg trazirave të mëdha

Kush është figura politike ndërkombëtare që ju frymëzon?

Nuk mund të them se kam një model. Janë disa figura që i çmoj si nga të vjetrit edhe të mëvonshmit. I kam lexuar me kënaqësi e padyshim që të ndikojnë. Besoj që më të mëdhenjtë janë ata që nuk janë më.

Po nga politikanët shqiptarë kë do të veçonit?

Në fakt nuk kam ecur me modele në politikë. I kam bërë dhe i bëj gjërat sipas asaj që unë mendoj, jo si do t’i bënte tjetri kushdo qoftë ai.

Cila është për ju koha më e mirë politike?

Nëse e keni fjalën për këto 25 vjet, besoj se duhet një distancë në kohë për të bërë një vlerësim objektiv

Shoqëria civile apo politika, cila ju ka motivuar më shumë dhe pse?

Të dyja por në mënyra të ndryshme. Politika është një përgjegjësi më e madhe ndaj njerëzve. Mendoj se në shoqëri civile ndjen më shumë kënaqësinë e asaj që ke bërë, në politikë ndjen më shumë përgjegjësinë e asaj që nuk ke bërë. Është përgjegjësia që ke ndaj pritshmërive të publikut edhe për gjëra që t’i nuk i ke vetë në dorë por je përgjegjës si pjesë e grupimit ku bën pjesë.

A mbani ditar, apo shënime?

Herë pas here disa shënime, jo rregullisht.

Koha që mbart për ju kujtimet më të veçanta..

Periudha kur kam qenë në shoqërinë civile, për shkak të lirisë, të marrëdhënieve e partneritetit në grupin e organizatave të rrjetit, qofshin ato shqiptare apo ndërkombëtare.

Historia që do të donit ta kishit harruar, por s’ia keni dalë dot….

Ndonjëherë hidhërohemi për gjëra që ndofta nuk ja vlen aq shumë, po besoj është e vështirë të bëhesh ajo që nuk je. Po humbja e njerëzve të dashur lë një gjurmë që vështirë të harrohet, e unë kam humbur dy vëllezër.

Njerëzit që ju kanë lënë kujtimet më të bukura…

Janë disa. Po përmend një, Ciceronin në burgun e Nelson Mandelës në ishullin Robben në gjirin Table Bay, një bashkëvuajtës me Mandelën,Vusumzi Mcongo, i cili nuk kishte pranuar asnjë post, kishte preferuar të dëshmonte historinë dhe sakrificat duke pritur vizitorët e shumtë. Burgu ishte ruajtur i pandryshuar dhe mjedisi përreth gjithashtu, kanë ndryshuar vetëm anijet që dikur vinin me të burgosur ndërsa sot me vizitorë nga e gjithë bota. Pyetjes time se si e kapërcyen aq shpejt urrejtjen e aparteidit, (ishte viti 2000) Vusumzi ju përgjigj: nuk ndërtohet mbi urrejtjen.

Kush është njeriu që i besoni gjithçka?

Natyrisht e para është familja ime e kjo vjen nga mënyra si i kemi ndërtuar marrëdhëniet, shumë të hapura, e ndërkohë e ruajmë njeri –tjetrin. Kjo na bën që të mos t’i ndajmë gjërat që mund të shkaktojnë mërzi. Natyrisht kam mike që i çmoj shumë e ju besoj.

A ju kanë zhgënjyer?

Vështirë të gjesh njeri që nuk ka përjetuar zhgënjimin. Besoj se sa më e drejtpërdrejtë, e hapur të jesh sot aq më shumë zhgënjime merr po kjo nuk më bën të ndryshoj nga ajo që unë besoj se duhet të jetë njeriu, përkundrazi.

A ju kanë lënduar?

Po, për fat të keq. Në të dyja rastet kam një lëndim dhe keqardhje të thellë jo vetëm për veten po edhe për ata që bien aq poshtë, po në fund të fundit duhet thënë fali zot. Më ka ndodhur t’i shoh me keqardhje, sidomos kur janë të përdorur.

Kush ju ka rritur, edukuar që në vogëli e më tej?

Prindërit e mi, pasi gjyshja ime nga babai ka vdekur herët e as nuk arriti t’i shihte fëmijët e djalit të saj. Ndërsa ajo nga nëna ishte larg në Golem. Ne shkonim vetëm në verë atje. Mendoj se më kanë ndikuar të dy, sa më shumë distancohesh në kohë aq më shumë e kupton atë që të kanë dhënë.

Çfarë nuk ju pëlqen tek vetja?

Nganjëherë edhe fakti që i marr gjërat shumë seriozisht, po e di që është e vështirë të bëhesh ndryshe nga çfarë je.

Çfarë  ju pëlqen?

Nuk e kam menduar po nuk më duket se më pëlqen ndonjë gjë.

Libri që po lexoni, apo keni lexuar së fundmi….

“Si të jesh i djathtë”  një libër me ide e debate, i Roger Scruton, botuar nga UET PRESS. Kjo s’do të thotë që do të ndërroj bindje ( për shaka). Kam rilexuar këto ditë edhe Oriana Fallacci-n.

Muzeu që ju ka mahnitur……

Muzeu Angcor Wat në Kamboxhia një mrekulli dhe e paimagjinueshme si është ndërtuar dhe si i ka rezistuar kohës, ka filluar të ndërtohet në vitin 802. Më ka mahnitur vërtet. Padyshim ka disa të tjerë që të mahnitin që nga Metropolitani në New York deri te Vasa,  në Stokolm.

Vendi që keni shijuar më shumë e ku do të donit të ktheheshit gjithmonë…

Afrika, udhëtimet e mia në disa vende afrikane, kanë qenë vetëm udhëtime pune, kryesisht misione në kuadër të Forumit Parlamentar Europian për Çështjet e Popullsisë dhe të Zhvillimit, ku jam e angazhuar prej vitit 2000. Ndofta nuk kam pasur shumë kohë për të parë gjëra për kënaqësi, po është një eksperiencë shumë interesante dhe të mendosh që disa prej këtyre vendeve po ecin shpejt sidomos me investimin në edukim dhe në ekonomi me Startup. Mbetet kontinent vital sa i takon rritjes së popullsisë ndërkohë që Europa po plaket shpejt si popullsinë Ruanda, gratë zënë  53% të vendeve në Parlament dhe ka rritje të dukshme në pozicione menaxheriale dhe kjo ka ndikuar që Ruanda të këtë një progres impresiv në reduktimin e varfërisë dhe pabarazive. Përfshirja e grave, është një mënyrë jo vetëm për të respektuar të drejtën e gjysmës së popullsisë po edhe një mundësi për të përdorur gjithë potencialin njerëzor, kjo ka dhënë rezultat në rritjen e PBB në disa vende..

Vendi që ju ka trishtuar më shumë…

Mali në Afrikë, kam qenë në një mision dhe kam vizituar edhe fiset, është sa interesante nga pikëpamja e një kulture tjetër aq edhe e dhimbshme, sidomos për fëmijët.

Seriali televiziv që keni ndjekur ndonjëherë….

Në fakt nuk ndjek seriale televizive, mund të ketë ndodhur të shoh ndonjë seri për arsye rastësore po jo si ndjekëse e gjithë serialit.

Filmi më i dashur…..

The King’s Speech, (Fjalimi i Mbretit) por jo i vetmi.

Aktori ose aktorja  e preferuar…

Në se më pyet për një, është Meryl Streep.

Muzika që dëgjoni….

Muzika klasike, xhaz, bluz janë ato që dëgjoj më shumë. Vivaldin, sidomos Katër Stinët,  Haydn, Mendelson ( Ëndrra e një Nate Vere), dëgjoj Maria Kallas,  po natyrisht edhe nga shqiptarët  Ermonela Jaho e Saimir Pirgu etj. Nga muzika xhaz e bluz dëgjoj sidomos Rey Charls, Norah Xhons e Diana Crall o dhe më të rinj.

Këto janë CD që i kam në tavolinën e studios time apo në makinë po natyrisht ka dhe të tjerë si Aretha Franklin, Aznavur etj.

Po në telefon?

Në telefon jo. Në studion që punoj në shtëpi dhe në makinë meqë gjithmonë zonën elektorale e kam pasur Tiranë- Elbasan, Vlorë, mbaj kryesisht këto që sapo përmenda po edhe të tjera patjetër dhe muzikë shqiptare.

Pasioni më i fortë……

Leximi. Besoj se kjo vjen edhe për shkak se për brezin tim leximi ka qenë përveçse një dritare për të kuptuar botën edhe argëtim. Po edhe pse sot ka kaq shumë mundësi leximi sa shpesh vihesh përpara dilemës së zgjedhjes së librit e ndërkohë edhe të kohës, kjo të bën të të duket si një pasion që mbetet aty i parealizuar.

Dëshira e parealizuar…

O janë disa, njeriu vështirë se mund të realizojë gjithçka në jetë. Ne shpesh mendojmë për ato që nuk i kemi, në fakt nuk duhen harruar ato që i ke.

Palestër, ecje apo dietë…

Ecje, por jo rregullisht, gjithsesi sa herë që kam mundësi e shfrytëzoj për ecje. Për fat të keq në Tiranë është vetëm zona e liqenit. Tirana ka nevojë për më shumë mundësi, besoj që do t’i kemi. Dietë? Mund të them që kam një piramidë ushqimesh që ndjek. Nuk përdor fare sheqer dhe brumëra, byreku nuk është më prej vitesh pjesë e menysë në shtëpinë time, pasi bashkëshorti im është i privuar nga byreku. Pastat i përdor, por të lehta.

Ndonjë sport i frekuentuar apo thjesht i preferuar…

Në fakt jo më, që nga shkolla e mesme kur isha në grupin e basketbollit.

Ku jetoni, në ç’ zonë të Tiranës?

Diku afër ish ekspozitës “Shqipëria Sot”.

A do të donit të jetonit diku tjetër?

Ndofta diku në periferi, larg zhurmës e pluhurit të qytetit dhe pse jo me një kopsht. Po gjithsesi mendoj se shtëpia ku jam ka afërsinë me punën.

Kafja afër shtëpisë, më e preferuara e mëngjesit….

Bar First, më pëlqen për shërbimin dhe ambientin.

Restoranti më i frekuentuar, afër shtëpisë….

“Grepi i Artë”, “Amur”, ‘Varka”,  janë restorante që i kam dhe afër shtëpisë po edhe më pëlqen cilësia e ushqimit dhe shërbimi. Shkoj më shumë kur janë dreka apo darka pune ose me miq. Me raste edhe me familjen në fund jave kur kemi mundësi që të rrimë për drekë  bashkë. Në fakt më pëlqen më shumë në shtëpi, kur nuk kam kohë të gatuaj preferoj më shumë ta porosis, sesa të shkoj në restorant.. Më mungon shtëpia edhe për shkak të angazhimit që shpesh më bën të mos jem.

Kuzhina që ju shijon më shumë….

Italiane, franceze kjo e dyta edhe e kultivuar nga babai im. Natyrisht kuzhina shqiptare, po është pak më e rëndë.

Stilisti apo stili që ndiqni e preferoni…

Jam më afër klasikes edhe për shkak të punës që kam. Unë besoj se një politikan nuk ka nevojë të tërheqë vëmendjen me veshjen. Nuk kam një stilist të caktuar, natyrisht te dikush mund ta gjesh veten më mirë për veshjet e te një tjetër për aksesorët. Po dua të ta them, që natyrisht ndjehem shumë më rehat me sportiven në fundjavë apo pushimet verore.

Për çfarë shpenzoni pa fre?

Besoj për asnjë gjë. Kam realisht një sens mase sa i takon shpenzimeve duke vënë një ekuilibër mes gjërave. – Revista “Mapo”.

SHKARKO APP