Vallja e “Osman Takës”, lashtësia e origjinalitetit të saj
Nga Hyqmet Zane
Tradicionalizmi i kulturës shqiptare shpesh na kthen në thellësitë e shekujve dhe na emocionojnë momentet epike dhe lirike të këngëve dhe valleve tona origjinale dhe të papërsëritshme. Janë të papërsëritshme ato ndjesi që krijohen kur kemi parë valltarët shqiptarë në skenat europiane, që kanë shkëlqyer që nga i madhi Besim Zekthi e deri tek Ilir Avdulin, e dhjetëra e dhjetëra djem e vajza që kanë mbetur anonimatë dhe që kanë ngritur peshë spektatorët.
Një rast i tillë ishte edhe para disa kohësh në “Maratonën e këngës dhe valleve” që organizohej në Elbasan në zbulimin e shumë talenteve të rinj në të gjitha gjinitë. Por do të spikaste një talenti i një të riu me një valle të veçantë siç njihet “Vallja e Osman Takës”. Do të ishte Daniel Sinani dhe Denis Veshi, që në një inskenimi i të gjithë fabulës së kësaj valleje puro shqiptare, me elementë të dramës dhe valles, që i ka dhënë skenës një ngjyrë atdhetarizmi të mirëfilltë. Jo vetëm për faktin që vallja e “Osman Takës” i përket një treve siç është Çamëria, por edhe për një edukim me ndjesi kombëtare, interpretimi dhe situatat dramatike, po aq sa edhe lirike që krijoi kjo valle, që radhitet në elitën e valleve me famë jo vetëm shqiptare. Nga ana e tij valltari kryesor i saj, një djalë po nga një familje po nga Çamëria, Daniel Sinani u shpreh se “ishte një dëshirë e imja dhe e babait tim që unë ta luaja shumë bukur këtë valle që nuk është vetëm e banorëve të Çamërisë, por e të gjithë shqiptarëve. Ajo është nja nga vallet më të bukura që kam parë deri tani”.
Nëse do të hidheshim në të kaluarën e lashtë të historisë sonë kombëtare, do të gjejmë gjithnjë elementë të autoktonisë së një valleje që mund të quhet më e vjetra në Europë, pale edh enë Ballkan që mban vulën shqiptare. Historia flet se vallja e “Osman Takës” është valle rreth 2400 vjeçare që në kohën e Pirros së Eporit dhe është quajtur “Vallja Pirike”. Kjo është e thënë dhe e stërthënë nga etnografë të shquar si nga Ramadan Sokoli, por edhe nga njerëz që kanë erudicion në kulturën e pasur shqiptare. Sipas enciklopedistit Ahmet Mehmeti, i njohur ëpr dijenitë e tij në këtë fushë, në lidhje me këtë risi në gjininë e valles shqiptare që janë kaq emocionuese dhe po aq të larmishme dhe shumëllojshme “kjo valle nga “Vallja Pirike”, më pas vallja është quajtur “Vallja çâmiko” që vazhdon të quhet edhe sot e kësaj dite. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës mori emrin që ka sot “Vallja e Osman Takës”. Bëhet e ditur se personazhi kryesor i valles, Osman Taka, nga Konispoli, luftëtar dhe atdhetar për lirinë e atdheut, u kap dhe u dënua me varje nga Pashai turk dhe si dëshirë të fundit në këto raste, kërkoi që të luante një valle. Kërcimi i valles u bë brenda hapësirave të një tepsie bakri të kallajisur të madhe të kohës që do të thotë se kërkonte edhe mjeshtëri të veçantë që ta luash bukur. Osman Taka e realizoi duke merituar edhe faljen e jetës nga Pashai turk, për shkak të bukurisë dhe mahnitjes që i krijoi valltari shqiptar i Çamërisë. Për çudi, më e emocionuar ishte edhe zonja e pashait turk që i kërkoi bashkëshortit të saj që të falte jetën këtij artisti. Por fatkeqësisht, sot, ashtu si çdo gjë tjetër tradicionale shqiptare, grekët edhe këtë valle e quajnë si valle panhelenike për ta përvetësuar si valle e të gjithë grekëve, e helenëve. Ashtu kanë bërë grekët edhe me fustanellën, edhe me historinë, edhe me figurat si Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, ata kërkojnë t’i quajnë greke, siç edhe kanë greqizuar trojet shqiptare të Çamërisë e më gjerë, siç shprehen shpesh etnografët dhe historianët e mirënjohur, po aq edhe ata arvanitas si i lavdëruar Aristidh Kola që u flijua si një arvanitas i vërtetë. Me gjithë këto përçapje dhe përçartje tipike greke, kjo valle është sot në fondin e artë të artit historik që ka trashëguar kombi shqiptar dhe mbetet e tillë përjetësisht. Efektet koreografike dhe ato emocionale, po aq sa edhe veshja dhe zhdërvjelltësia e valltarit, përkulja si në një urë e valltarit dhe hipja sipër e bashkëshoqëruesit. Më kujtohet i ndjeri valltari virtuoz Taip Madani, çami nga Vlora që spikati bujshëm në festivalin e Gjirokastrës më 1978, ku ra në sy e veçanta dhe e mahnitshmja “Vallja e Osman Takës”. Një bashkëkohës i atyre viteve, Ruhi Xhani nga Vlora që ka qenë i pranishëm në atë kohë, më pohonte se “Taip Madani e e ka mahnitur hapësirën e festivalit sa edhe vetë diktatori i pranishëm në atë moment së bashku me bashkëshorteje tij, u ngritën në këmbë kur panë atë lojë të magjishme të një valltari që e ka kërcyer këtë valle si të ishte vetë Osman Taka gjallë”. Edhe këngët e kënduara në shuma variante kushtuar Osman Takës duke e ngritur emrin dhe vallet e tij në lartësinë e merituar dhe duke e shenjtëruar një valle dhe duke e ngritur lapidare që nga thellësitë e shekujve para 2400 vjetësh, është po aq shprehëse në fuqinë e interpretimit të shpirtit çam dhe atij shqiptar njëherazi.