Vangjush Dako: Vetëm Edi Rama bën shtet
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh edhe kreu i Bashkisë, z.Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Fidel Ylli dhe Jurgis Çyrbja zhvilluan një takim me banorët e zonës së Rrashbullit.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, z. Dako u shpreh i bindur se në datën 25 Qershor, banorët e Rrashbullit do të mbështesin me votën e tyre Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama si e vetmja alternativë për të ardhmen e vendit.
“Unë jam i bindur se në datën 25 Qershor, ju dhe të gjithë banorët e zonës tuaj, do të votoni alternativën e Partisë Socialiste, sepse ju kërkoni të bëhet shtet, kërkoni drejtësi, kërkoni punë, kërkoni mirëqenie dhe për këtë arsye do të mbështesni përsëri Edi Ramën sepse ai është e vetmja alternativë”, deklaroi Dako.
Ndërkohë, deputeti Fidel Ylli u bëri thirrje banorëve që në 25 Qershor të votojnë për veten e tyre, për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e përbashkët. “Në këto vjet qeverisje të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste janë bërë ato reforma që nuk janë bërë në 25-vjet. Ndaj, dua t’ju bëj një thirrje, votoni për veten tuaj, për fëmijët tuaj, për të ardhmen tuaj”, u shpreh z. Fidel Ylli.
Nga ana e tij, kandidati Jurgis Çyrbja tha se në mandatin e dytë do të bëhet akoma më shumë për Shqipërinë që duam dhe Durrësin që duam. “Kërkojmë votën për Partinë Socialiste për të thelluar reformat që janë nisur. Partia Socialiste në këto katër vite ka bërë shumë por akoma kemi shumë për të bërë për Shqipërinë që duam dhe për Durrësin që duam”, nënvizoi Çyrbja.