Vapa po shkatërron midhjen e Butrintit, Panariti: Urgjent masa

Temperaturat e larta të ujit në liqenin e Butrintit, po shkaktojnë një stres termik mbi midhjen që kultivohet aty duke shkaktuar dhe dëmtime të saj. Këto temperatura këto ditë arritën deri në 33 grade celsius në ujin e lagunës së Butrintit, ndërsa në ujërat detare që rrethojnë lagunën, temperatura është afër 30 gradë.

Nisur edhe nga rritja e pritshme e temperaturave në ditët që vijnë, si rrjedhojë e një anticikloni të gjerë në Mesdhe, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme për kontrollin e dëmtimeve të midhjeve në lagunë duke filluar sa më parë procesin e zhvendosjes të midhjeve në zona më të freskëta ujore.

Për këtë, një grup nga Ministria e Bujqësisë dhe specialistë nga Instituti i Sigurisë Ushqimore, ndodhen në terren për të koordinuar me kultivuesit e midhjeve ndërhyrjet e emergjencës.

Ndërkohë, strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Bordet e Kullimit po garantojnë furnizimin normal të lagunës së Butrintit me ujin e Bistricës, për të freskuar sadopak temperaturat e ujit dhe garantuar edhe oksigjenimin e saj të qëndrueshëm. 

SHKARKO APP