Vasilika Hysi: Pas reformës në drejtësi, më shumë reforma për punë dhe mirëqenie
Deputetja Vasilika Hysi zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të njësisë Nr. 7 në kryeqytet ku mori mbështetjen e qindra qytetarëve për një fitore spektakolare. Znj. Hysi u shpreh se Partia Socialiste është e vendosur për të kryer reformën në drejtësi, e cila do të sigurojë më shumë reforma për punë dhe mirëqenie. “Kur flitet për reformën në drejtësi, pyetjet dhe diskutimet janë të shumta. Shumë nuk besonin se reforma në drejtësi do të fillonte dhe se mund t’ia dilnin. Gjithnjë kam dëgjuar kërkesat për një reformë sa më të shpejt dhe të thellë. Kam ndjerë përgjegjësinë e madhe për detyrën e besuar për të përzgjedhur dhe votuar kandidatët për organet e vettingut. Falë besimit dhe këmbënguljes ia dolëm. Pas reformës në drejtësi, më shumë reforma për punë dhe mirëqenie”, tha Hysi.
Deputetja Hysi kërkoi mbështetjen e të gjithë banorëve të njësisë 7 për një tjetër mandat, si garanci për vijimin e reformave për më shumë vende pune dhe për shërbime më cilësore. “Vettingu dhe reformat e kryera për kontrollin e territorit, procesi i legalizimit dhe hipotekimit të apartamenteve dhe blloqeve të pallateve janë disa nga reformat të cilat partia Socialiste i ka bërë me këmbëngulje. Vetëm Partia Socialiste mund të bëjë në katër vjet aq reforma sa nuk janë bërë për 22 vjet. Vota për nr. 2 është vota për shtet#pune# mirëqenie”, theksoi deputetja Hysi.