Vdekja e efektivit në Torovicë, një rrëfim prekës i polices 21-vjeçare

Ndarja nga jeta e efektivit të FNSH-së, në Torovicë të Lezhës, preku të gjithë Shqiptarët. Dikush me zë e dikush i heshtur, mendoi sadopak për punën fisnike që kanë punjonjësit e policisë së shtetit. Një 21 vjecare, pjesë e policisë, ka marrë guximin për të bërë publike atë që ajo mendon për këtë aksion, ku Adrian Kodra u qëllua për vdekje dhe për sakrificat e këtij profesioni fisnik.

Ka vetëm 18 muaj që i është bashkuar Policisë së Shtetit, por dëshira për të ndjekur rrugën e sakrificës në Policinë e Shtetit, është më e madhe se kurrë. Sidomos në këto ditë të vështira kur uniformat blu janë duke humbur kolegët në krye të detyrës.

Zëdhënësja e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Bora Mikli, ka zgjedhur të ndajë publikisht se si e mësoi lajmin për humbjen e jetës së efektivit, dhe forcën që ka marrë (së bashku me dhimbjen) nga akti sublim siç ajo e quan, i flijimit të jetës.

Letra e Bora Miklit kushtuar efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra:

VEPRA JOTE,  BURIM FRYMËZIMI PËR NE GJENERATËN E RE TË POLICISË SË SHTETIT

Isha duke punuar në zyrë,  edhe pse zyrë e vogël, por modese  me logjistiken e nevojshme për të kryer detyrën e Zëdhënëses së Policisë Vendore.

Po bëja  gati raportimin e telefonatave që Drejtori i Policisë Vendore dhe Shefat e Komisariateve kryejnë  me qytetarët në kuadër të policimit në komunitet, por njëkohësisht edhe monitoroja median si detyrë funksionale, jo monitorim në kuptimin e kontrollit, por  për të ndjekur dinamikën e punës së policisë që pasqyrohet në media.

Si e re në detyrë, jam shumë e fiksuar pas “Lajmit Flash”  dhe sa herë që kam për të dhënë një lajm pozitiv për strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë  Dibër, përpiqem që lajmi të dalë “Flash”. Por flashi i mesditës së të Premtes së zezë, ishte tronditës për mua.

Fillimisht lajmi për një të sëmurë me të meta mendore që po qëllon me armë  duke terrorizuar banorët e fshatit Torovicë  në Lezhë,  më pas policia drejt vendngjarjes, policia rrethon banesën, policia përplaset me armë me autorin, nga përplasja me armë plagoset një efektiv policie.

Sinqerisht  mu mbushën sytë me lot, e shumë emocione hakmarrje më mbërthyen  dhe fillova të flisja me vete, po pse se vrisni? si mund të guxojë të qëllojë mbi policinë? mbi shtetin”, si mund të plagosë një punonjës policie që është në shërbim të komunitetit?

Pas pak  minutash  kolegu ynë ndërroi jetë.  Nuk e di  a i raportova në rregull apo jo telefonatat në qendër,  por di që u mbyta në lot e dhimbje, edhe pse nuk e  njihja fare atë koleg që ndërroi jetë në krye të detyrës, pasi  Ai  kishte afro 18 vite punë , ndërsa unë kam  rreth 18 muaj që kam filluar këtë rrugë të vështirë plot sfida e sakrifica, por shumë fisnike.

Pasi mbarova punën, u largova në banesë ku prindërit vunë re trishtimin tim  dhe me të drejtë u shqetësuan se çfarë më kishte ndodhur, pasi në zonën ku banoj s’kishte drita për momentin dhe nuk kishin ndjekur lajmet për të mësuar atë që kishte  ndodhur.

Pasi i sqarova prindërit për  arsyen e gjendjes time emocionale, mami im më thotë: “Mos bëmë gabim moj vajzë që të çuam në shkollën e Policisë”.

Unë jam ende fëmijë, e se di ndjesinë e prindërit për fëmijën, por i ktheva një përgjigje as mohuese as pohuese dhe së bashku po ndiqnim lajmin e fundit “Flash”.

Në vendngjarje kishin mbritur drejtuesit më të lartë të Policisë së së Shtetit dhe pritej ndërhyrja e forcës tonë elitë, “Reneas”.

Rreth orës 18.20, Renea, bëri të mundur kapjen e autorit, të gjallë, duke e prangosur dhe kursyer plumbin.

Përsëri si punonjëse e re e Policisë e nga dhimbja që një koleg humbet jetën në detyrë nga plumbat e këtij që jeton akoma, thoja pse? pse? pse se vranë?, pasi në këto dy vite punë kanë përjetuar tre kolegë të vrarë në krye të detyrës.

Por më pas duke u qetësuar i mendova gjërat më qetë, më thellë. Policia nuk vret, policët nuk janë kriminelë, por janë shërbëtorë të popullit dhe të ligjit.  Edhe pse ai e kishte hak plumbin, policia nuk qëlloi mbi të. Le të jetojë krimineli, por drejtësia t’i japë dënimin e merituar.

Koleg i dashur:  Unë përfaqësoj Gjeneratën e Re të Policisë, si qindra e qindra djem e vajza që vitete e fundit janë radhitur në armatën e Policisë së Shtetit.

TI kolegu ynë, i gjeneratës  tjetër, por i sakrificës, i përvojës, i aktit  më sublim të flijimit të jetës, na mbushe shpirtin me dhimbje e trishtim, por me veprën tënde  na dhe  forcë e kurajo për të ecur përpara, për të ndjekur rrugën e ndershme dhe të sakrificës në Policinë e Shtetit.

Ardian Kodra , Ti s’ke vdekur,  sakrifica më sublime  nuk  vdes,  nuk harrohet kurrë. Ti dhe jetën  për të mbrojtur jetën. Ndaj dhe u radhite në Altarin e Lavdisë së Përjetshme.

Ne Brezit të ri, do përqafojmë vlerat  dhe  kontributet më të mira të gjeneratës tjetër dhe përherë Ty dhe qindra kolegët e tjerë që kanë dhënë jetën  në detyrë do t’ju kemi busull orientimi dhe burim frymëzimi në punën tonë.

Të përjetshëm do  të mbeteni përherë. Respekt e mirënjohje për veprën dhe punën Tuaj!!!!

Sinqerisht:  Bora MIKLI. Zedhenese e Drejtorise Vendore te Policise Diber

 

SHKARKO APP