Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë

Nga Ilir Levonja/Që mijra shqiptarë e prisnin me dëshirë një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës, nuk ka asnjë diskutim. Kjo me shpresën se më në fund edhe kultura politike shqiptare po tregon shenja maturimi, apo ngjajshmërie me atë të perëndimit. Si të thuash, edhe ne mundemi, edhe ne dimë të bisedojmë. Pasi veç bisedimit në tryezë, veç akordimeve të krahëve, asnjë front politik triumfator nuk e shpie dot vendin në progresin e dëshiruar apo atë të duhurin. Këtë duhet ta nguli mirë në mendje çdo parti, çdo forcë politike, apo cilido koalicion që shënohet në komisionet zgjedhore me qëllimin e qeverisjes së një vendi. Sado vota me shumicë të marri, prapë reformat e mëdha, ndërtimi i shtetit të fortë, do konsensus të madh.
Shqiptarët dje, nuk e treguan këtë. Nuk e bën dot. Nuk mundën.
Dhe përpos të gjithave, sot kanë dalë në ballkone dhe u shkundin qytetarëve pluhurin e qilimave.
Në fakt është një diskordancë e vjetër tashmë si pasojë e gjuhës së ashpër politike. Në gjithë këto vite të rrejshme të demokracisë shqiptare. Kësaj shtëpie me fëmijë lakmitarë që fshehin poshtë jastëkut vezët e ditës së verës. Eshtë një epidemi që ka pllakosur vendin më të varfër, për shkak të hipotekimit të postit a pushtetit, prej intelektualëve që edhe pse mburren me doktoraturat, përfundojnë në azilantë të politikës. Të pushtetarëve që edhe pse na i përplasin fytyrës krimin dhe ndëshkimin e maqinerisë së diktaturës, bëjnë aleanca me ta, madje demonstrojnë në mënyrë të shkëlqyer huqet dhe veset e saj. Po kjo na qënka Shqipëria jonë. Tashmë një katrahurë politike për shkak të të pangopurve për pushtet. Për shkak të vdekjes për së gjalli të kostumeve të hekurosura e kollarisura, kur një ruralizëm i tërë vuan mizerjen edhe pse rron akoma me lëmoshat e kurbetit.
Sot aty është krijuar një frymë mani njerëzore, ku qytetarët e shikojnë shtetin jo si krenari, por si të vetmin vend ku mund të vjedhësh, të pasurohesh, të vrasësh e të burgosësh…, vëllai-vëllain, shoku-shokun, qytetari-qytetarin dhe kundërshtarin politik.
Përse atëhere miliona shqiptarë e prisnin me drithmë një bashkëpunim të mirëfilltë.? Sepse e kanë kuptuar tashmë që edhe fuqia popull bëhet mish për top. Janë zënë në kurth, madje janë pjesë e një absurdi të madh të cilin kanë nisur e ta përkufizojnë me fjalët, nuk dimë më se kë të votojmë. E pritën me drithërimë pasi kujtuan se po ndodhte mrekullia. Por jo…
E para nuk mund të presësh konsensus nga një qeveritar i cili nuk dha asnjëherë një të tillë sa kohë që ishte opozitë. Sa kohë që solli në kuvendin e shqiptarëve njerëz me rekorde të krimit. Duke i shtuar historisë socialiste plot faqe të zeza…, në ndërtimin e shtetit të shqiptarëve. Duke e kthyer këtë vend në kohën e vullnetarëve të vrullit socialist, me fjalët…, tu qepemi kodrave edhe maleve e t’i bëjmë më pjellore se fushat. Aq sa nuk ngeli këmb çobani, druvari apo minatori pa u kthyer në një bujk i kanabisit.
E dyta nuk mund të presësh konsensus nga një opozitë e cila po kërkon të vijë në pushtet me humbësit e zgjedhjeve më të fundit.
E vetmja përvojë që mund të sjellin humbësit tek ne është ajo e humbjes. Ma lër edhe një herë të qëllojë. Pasi regresin më të madh në një shoqëri e sjellin pikërisht ata që nuk njohin anët e medaljes së sfidës.
Nga ana tjetër deklaron se ka rinovuar forcën politike me element të rinj deri në masën 35%. Kur duhet të ndodhi e kundërta. Nuk ka rinovim me këtë masë. Por me plotësuesin e saj që kap vlerën 100%, pra 65%.
E katërta, ne demokratëve nuk na ka hije të kundërshtojmë Europën. Marshuam në fund të shekullit të kaluar me aspiratat e saja. Liri demokraci. Përmbysëm një diktaturë duke thënë se e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Sot është turp e faqja e zezë që jemi armiq të saj. Ndërkohë që miliona shqiptarë janë pjesë e gjallë dhe vendim marrëse në zhvillimin. Apo edhe hallet e saja.
E pesta, nuk mund të presësh sukses me shitje e blerje votash apo deputetësh. Sado të mburret Rama qe do i gjej ato pak vota brenda kuvendit për të votur reformën. Nuk është e vështirë. Ne kemi plot histori suksesi të tilla. Madje e kemi dhe rrymë zhvillimi politik që shumë shpejt do kapi analet e Historisë politike me termin Hasanizim. Nuk i bën asgjë vendit një lojë e tillë mandatesh. Veçse u bën favore kuvendarëve që çojnë dhëndurrë ambasadorë. U fuqizon bizneset e të ardhurat etj. Vendi do mbetet përjetësisht në tranzicion. Me legjendarë të stanjacionit shoqëror të tipit Balla, Braçe, Palokë e Ristanë etj. Ndërsa neve, asgjë, veç ajo drithmë e përjetshme, ajo pritshmëri e ëndërrueshme për bashkëpunim. Ashtu si krejt normaliteti politik perëndimor.
Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë…, të tjerat i vdesim.

SHKARKO APP