Veliaj: Brenda këtij viti nis puna për transformimin e Piramidës
Piramida do të kthehet në një qendër të madhe arti dhe teknologjie që jo vetëm do të gjallërojë jetën artistike të kryeqytetit, por njëkohësisht do të nxisë dhe aktivimin e të rinjve në projekte të ndryshme. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se brenda këtij viti do të nisë puna për Piramidën.
“Ne jemi duke punuar për një sërë projektesh të tjera të rëndësishme që do të transformojnë Tiranën. Brenda këtij viti do të nisë puna për Piramidën, për ta kthyer në një qendër të madhe kulturore me fokus rininë, që do të jetë një burim energjie për Tiranën, me një platformë të hartuar nga Winy Mass, që është padyshim një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë dhe që i është bashkuar ekipit të Bashkisë për një projekt fantastik, atë që ka ngelur “zhgualli” i Piramidës së Tiranës. Ne duam që aty të përfshijmë aktivitete që kanë të bëjnë me artin, me librin, kinematografinë, teatrin, kulturën në përgjithësi dhe siç kemi bërë këto dy vitet e para shumë për fëmijët, çerdhe, kopshte e kënde lojërash, mund të plotësojmë edhe një vakum që kemi për moshën e adoleshentëve dhe të të rinjve duke e kthyer Piramidën në një platformë fantastike”, tha Veliaj.