Veliaj: Buxhet më të lartë për Njësinë 11. Brenda 2 viteve rehabilitojmë edhe zonat periferike
Zgjidhet problemi 25-vjeçar për banorët e Rr. “Besnik Hidri”, Bashkia e Tiranës e rikonstrukton
Një tjetër zonë me ndërtime informale në Tiranë po urbanizohet plotësisht. Rrugë të shtruara që zëvendësojnë baltën e dimrit dhe pluhurin e verës, ndriçimi e infrastruktura nëntokësore, do t’ia ndryshojnë pamjen njërës prej zonave të lëna pas dore prej 25 vitesh në Njësinë 11. Bashkia e Tiranës nisi rikonstruksionin e plotë të Rr. “Besnik Hidri”, që ndodhet në kufi me zonën e Laknasit, ku jetojnë familje të ardhura kryesisht pas viteve ‘90.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Rakip Suli, tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur para banorëve. “Dua t’i falenderoj të gjithë banorët që e kanë ngritur këtë shqetësim, duke e përfshirë në buxhetin e vitit të kaluar. Nëse Tirana do të kishte një qytet të dytë, ky do të ishte Njësia 11. Njësia është shumë e madhe, por dhe problematika është shumë e madhe, e mbartur ndër vite. Gjithë zona e Institutit Bujqësor, zona e Bregut të Lumit, problemet që kanë pasur me rrjetin, mungojnë që nga viti ‘60-70. Çfarë nuk është bërë në 50-60 vite është shumë e vështirë të bëhet në 5-6 muaj, por duhet t’ia fillojmë”, tha Veliaj.
Krahas ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve që do të përballojë shtimin e banorëve edhe për vitet e ardhshme, në të dy anët e Rr. “Besnik Hidri”, projekti parashikon zëvendësimin e mureve aktualë rrethues të banesave me mure dhe kangjella dekorativë, të cilat përmirësojnë anën estetike dhe rrisin vlerën e pronës. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi banorët për bashkëpunimin e treguar për të tërhequr vullnetarisht muret rrethues të banesave, që i hap rrugë urbanizimit të gjithë zonës. “Më vjen mirë që në këtë komunitet kemi pasur bashkëpunim, pra njerëzit janë gati ta largojnë një metër avllinë që të lirojnë një trotuar për fëmijët e tyre. Të parët që përfitojnë janë ata vetë, shtëpia u del në dritë, ka më shumë vlerë, fëmijët ecin të sigurt. Po të vazhdojmë me këtë mentalitet, me kulturë dhe infrastrukturë, do e kemi Tiranën që duam”, deklaroi ai.
Pas përfundimit të projekteve të mëdha infrastrukturore në qendër, vëmendja po përqendrohet edhe në periferi të qytetit, për të zbutur diferencat dhe për të garantuar shërbime e trajtim të barabartë. Veliaj theksoi se paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, do të punohet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve të reja arsimore. “Lajmi i mirë është se pasi mbaruam dy vitet e para punët me qendrën, me sheshin “Skënderbej”, me Bulevardin, me Parkun Olimpik, me Pazarin e Ri, me stadiumin, tani mund të fokusohemi në periferi. Lajmi i mirë është që Bashkia në këto dy vitet e fundit do dalë në periferi shumicën e kohës. Jo vetëm për rrugë dhe infrastrukturë, por pothuajse të gjitha shkollat e reja do t’i kushtohen zonave periferike për t’u siguruar që një fëmijë, merr të njëjtin trajtim dhe të njëjtën cilësi mësimdhënie si në Bllok, ashtu edhe te Bregu i Lumit”, tha kreu i Bashkisë.
Duke u ndalur në diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Veliaj bëri të ditur se Njësia 11 do të jetë një nga përfitueset më të mëdha. “Kemi filluar një seri konsultimesh në komunitet. Mezi pres që me buxhetin e ri të kemi sërish një buxhet më të lartë për njësinë 11, për Laprakën, për Institutin, për Bregun e Lumit dhe besoj që nëse do vazhdojmë me këtë efiçencë, siç e ftilluam Tiranën në qendër për dy vjet, për dy vjet do ftillojmë edhe Tiranën periferike”, theksoi ai.
Deputeti i PS, Rakip Suli, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen e treguar ndaj kësaj zone, duke zgjidhur një problem 25-vjeçar të mungesës totale të infrastrukturës. “Aty ku flet puna, mbarojnë fjalët. Në Bashkinë e Tiranës sot flet puna. Me këtë investim, kjo lagje merr tjetër jetë për faktin se pas përfundimit të investimeve edhe kjo lagje do bëhet si pjesë e Tiranës”, tha deputeti Suli.
Ndërtimi i Rrugës Besnik Hidri”, parashikon zgjerimin e saj dhe ndërtimin e trotuareve, punime nëntokësore, ndriçim dhe vendosjen e sinjalistikës, duke rritur parametrat e sigurisë për qytetarët e këtij komuniteti.