Veliaj: Do të bëjmë edhe 20 kënde të tjera për fëmijët e qytetit

Tirana është qyteti i parë në Shqipëri me një kënd lojërash ku fëmijët me aftësi ndryshe mund të luajnë dhe të argëtohen. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e UNDP-së dhe bizneseve lokale, përfundoi këndin e lojërave në Kombinat për të gjithë fëmijët e zonës, por për shkak të infrastrukturës speciale me të csilën është ndërtuar, do të jetë një vend argëtimi edhe për fëmijët me aftësi ndryshe. Këndi i ri u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Shqipëri, Brian Williams.

Veliaj theksoi se në këto dy vite Tirana është shndërruar në një qytet miqësor për fëmijët, edhe për ata me aftësi ndryshe.

“Më vjen mirë që këndi ynë i 20 është edhe një park i veçantë, ku për herë të parë mund të luajnë fëmijët me aftësi ndryshe, duke qenë se këtu në Kombinat kemi një nga qendrat e trajtimit. Do të thotë që edhe ngjyrat që janë përdorur, edhe lodrat, edhe aksesi i këndit, është përshtatur për fëmijët me aftësi ndryshe, është bërë i tillë që të japim një mesazh: Në qytetin e Tiranës nuk lëmë askënd pas. Askush nuk duhet të ndihet i vetëm prej faktit se nuk akseson dot lodrat apo shërbimet, çerdhet, kopshtin, apo shkollën. Ne besojmë se të gjithë fëmijët janë engjëj”, tha Veliaj.

Ai falenderoi komunitetin e banorëve të Kombinatit që kontribuuan për të shndërruar një zonë problematike në një hapësirë çlodhëse. “Një hapësirë e rrënuar, e degraduar, e kthyem në një hapësirë që ngjan më shumë me ato në qendër të Tiranës, edhe për të dhënë një mesazh të fortë që, siç investohet në qendër të Tiranës, investohet edhe këtu në zemër të Kombinatit”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se puna me këndet e lojërave për fëmijë nuk do të ndalet me kaq, duke shtuar se synimi është ndërtimi i tyre në çdo lagje. “Këto janë vetëm 20 kënde lodrash, plani është të bëjmë edhe 20 të tjera, por që të bëjmë 20 të tjera duhet të mirëmbajmë këto që kemi. Kështu që, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm këtu në Kombinat, por kudo tjetër: Këto kënde bëhen me shumë sakrifica, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjmë në shenjë mirënjohje, është që ta mirëmbajmë, ç’ka na mundëson që të punojmë me një vend tjetër, teksa jemi kujdesur për këto që kemi ndërtuar deri tani”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se Kombinati, ashtu si gjithë Tirana, është shndërruar në një kantier ndërtimi të punëve publike, duke përmendur projekte që janë në zbatim, si ai i rrugës hyrëse në këtë lagje apo edhe projekti i rehabilitimit të varrezave. “Ne jemi duke punuar te varrezat, në Kombinat, te rruga rreth sistemit të lagjes së varrezave, shumë shpejt do të fillojmë sistemimin e rrugës nga mbikalimi te Kombinati Ushqimor, deri në qendër të Kombinatit, po fillojmë projektimin e sheshit “Garibaldi”, për të modernizuar zonën dhe për t’i rritur vlerën pronës”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të shkaktohen në trafik apo me zhurmat që mund të shkaktojnë ndërtimet dhe zbatimi i një sërë projektesh që kanë përfshirë gjithë Tiranën. “Dua t’i kërkoj ndjesë banorëve, ky është një muaj investimesh masive, në fakt e gjithë vera do jetë kështu”, tha Veliaj. Ai u ndal edhe te raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i cili vuri në dukje se në dy vitet e fundit në kryeqytet, falë edhe përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës, cilësia e ajrit është përmirësuar. “Lajmi i mirë është që ajri po pastrohet, sidomos në zona si kjo, që janë kthyer në park dhe jo parking makinash, në zona si sheshi Skënderbej, që është kthyer në shesh dhe jo në rotondë, zona si Pazari i Ri, ku është ndaluar qarkullimi, ajri është më i pastër. Pra, kjo na provon se sa më shumë parqe të tilla të ndërtojmë, aq më pak e përdorin njerëzit makinën, aq më shumë rrinë në natyrë, e ajri bëhet më i pastër. Kemi shumë punë për të bërë, por lajmi i mirë është që nisma tona po japin frytet e para. Po të vazhdojmë kështu, do jetë thjesht çështje kohe që Tirana të ketë ajër të pastër”, shtoi Veliaj.

Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Shqipëri, Brian Williams theksoi faktin se ky projekt është realizuar falë një bashkëpunimi ku janë përfshirë disa investitorë si Bashkia e Tiranës, UNDP, biznesi lokal, por edhe vet komuniteti i banorëve. “Ky është parku i parë i lojërave për fëmijë me aftësi ndryshe dhe nevoja të veçanta. Në Shqipëri ka 18 mijë fëmijë me aftësi të veçanta. Kombinati është vendi i parë, që pajiset me një kënd të tillë lojërash për këta fëmijë. Në fakt, ky kënd lojërash është bërë i mundur falë financimit të Bashkisë së Tiranës, por edhe financimet që vinë nga biznese private dhe vetë komuniteti. Kjo është një mënyrë e mirë bashkëpunimi dhe partneriteti që bëhet përmes komunitetit dhe fondeve të bashkisë”, tha Williams.

SHKARKO APP