Veliaj: Kemi bërë për Saukun sa nuk janë bërë në 20 vjet

Një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës për banorët e Saukut, të cilët pak ditë nga nisja e investimit në rrugën “Danish Jukniu”, po shohin realizimin e një projekti të ri që sjell më shumë urbanizim, aktivitete për fëmijët dhe mundësi çlodhje për të moshuarit. Këndi rekreativ që po ndërtohet në Sauk do t’i shërbejë jo vetëm argëtimit të fëmijëve, por do të jetë edhe një mundësi më shumë ku të moshuarit mund të kalojnë kohën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nisjen e punimeve dhe u shpreh i kënaqur që brenda javës u kthye në Sauk për të nisur një tjetër investim që e sjell këtë lagje, dikur periferike, edhe më afër Tiranës.

“Në 20 vitet e fundit në Sauk nuk mbahen mend të jenë bërë kaq shumë investime. Kemi hapur disa kantiere, disa të tjera kanë përfunduar, siç është Rr. “Herman Gmeiner”, kurse Rr. “Danish Jukniu” ka pak ditë që ka filluar. Po punohet në disa blloqe, te Rr. e “Osmëve” dhe disa të tjera, ndaj besoj se i kemi dhënë përgjigjen e duhur të gjithëve, për të mos e lënë Saukun një periferi dhe jashtë qendrës së vëmendjes, por e kemi kthyer në një kantier që tregon se bashkia punon me të njëjtin ritëm e të njëjtën shpejtësi, si në qendër të Tiranës, ashtu edhe periferinë e Saukut, për ta trajtuar si një lagje të mirëfilltë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se nisja e punimeve për këtë kënd çlodhje është njëkohësisht edhe mbajtje e një premtimi të dhënë vetëm pak javë më parë, gjatë fushatës elektorale. “Jam dy herë i kënaqur, sepse herën e fundit që kemi qenë në këtë komunitet të parafabrikateve në Sauk, me kryeministrin e vendit, dhe premtuam se herën tjetër ky do të ishte një kantier. Ende pa filluar punë qeveria e re, apo pa mbaruar pushimet e verës, po e mbajmë atë premtim, për t’u siguruar që ato që thuhen në fushatë nuk janë fjalë që i merr era, por janë premtime që duhen mbajtur nga dita e parë e punës. Më vjen mirë që e mbajmë këtë premtim”, tha Veliaj.

Që investimi të mbarojë në kohë dhe që ai të ketë jetëgjatësi, kreu i bashkisë kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve që të heqin vetë pengesat apo muret e tyre rrethuese dhe t’i hapin rrugë zbatimit të plotë të projektit. “Siç e shihni, investimi ka nisur dhe jemi në rrugë të mbarë. Do e mbarojmë besoj brenda një muaji, ama do hiqen edhe çibanët që janë në trupin e këtij investimi. Tahmaja e dikujt për të rritur pak mirëqenien e vet, duke ia bërë jetën më të vështirë të tjerëve, është diçka e paqëndrueshme, sepse në thelb hyjmë secili në një garë për të prekur fundin, ndërkohë që duhet të hyjmë në një garë për të kapur majën; pra, një hapësirë demokratike, të pastër, të gjelbër, që është në funksion të të gjithëve”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës në gjysmën e dytë të mandatit të saj do të punojë me të njëjtin ritëm dhe cilësi si dhe në dy vitet e para për të mundësuar që investimet e saj të jenë të prekshme për të gjithë banorët e Tiranës. “Është një prej 100 blloqeve ku kemi ndërhyrë në Tiranë dhe nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, me 100 blloqe çdo vit, do e kemi Tiranën e ëndrrave tona edhe në brendësi të lagjeve, dhe jo vetëm tek sheshi Skënderbej”, tha Veliaj.

Këndi rekreativ që po ndërtohet do të ofrojë mundësi argëtimi për fëmijët dhe hapësirat e nevojshme çlodhëse për moshën e tretë. Ai kufizohet nga rruga “Herman Gmeiner” dhe “Selim Brahja” dhe ndërtohet në një hapësirë që ka qenë totalisht e degraduar. Përveç investimit në krijimin e këndit çlodhës, është parashikuar sistemimi i kanaleve të ujërave të shiut, trotuaret, gjelbërim, asfaltim i rrugës, krijimi i 15 vendeve për parkim, një prej të cilëve do jetë për persona me aftësi të kufizuara. Këndi i lojërave për fëmijë që do të ndërtohet në Sauk është i treti në Njësinë 2.

SHKARKO APP