Veliaj: Mallkimi më i madh që mund t’i ndodhë PS është t’i hyjë vetja në qejf
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar sot rezultatin e thellë të fitores që mori PS në këto zgjedhje. Fill pasi doli nga selia rozë, Veliaj tha se PS-ja do të marrë 18 mandate në kryeqytet.
“Them që do kemi mandate 18, për socialistët do jetë rekord. Në shumë incidente në Tiranë kanë ndodhur nga modelet vandale. Këtë e kam thënë si këshillë miqësore. Populli i Tiranës ka folur qartë, nuk do më sherre. Nuk do më deputet apo president republike që prishin lodrat e fëmijëve.
Në fund nuk fiton minoranca e zhurmshme por ajo që bën punë. Mesazhi që populli na dha është vazhdoni punoni, mos u merrni me llafe, mos shkatërroni pronën publike, pasi Shqipëria ka humbur në 27 vite shumë gjëra. Unë them se duhet të flasim me njëri-tjetrin dhe të jemi optimist, dhe them se ftesa jonë ishte që qytetarët iu përgjigjen pozitivisht”, tha Veliaj.
Mes të tjerash Veliaj risolli në vëmendje zgjedhjet në Tiranë në 2005-ën. “Tirana ka një memorie të 2005 ku u shkatërrua çdo gjë e mirë dhe e bukur në Tiranë. Nuk i jepnim dot dum prej 25 vitesh. Morëm një bekim publik për të vazhduar gjërat. Sidomos për bashkinë e Tiranës”, theksoi ai.
Për Veliajn, mallkimi më i madh që mund t’i ndodhë Partisë Socialiste, pas kësaj fitore është t’i hyjë vetja në qejf.
“Ne morëm një bekim publik, ndoshta me hov më të madh. Ne morëm një mandat masiv, sidomos nga Tirana. Ndihem shumë i përulur. Fitorja është e stërmadhe, mallkimi më i madh që mund t’i ndodhë PS është t’i hyjë vetja në qejf. Në zona tipike të djathta, që kanë themeluar PD, për herë të parë në histori kanë votuar PS. Ky ka qenë insistimi më i mirë edhe vetë demokratet thonë, para punës llafet janë të tepërta.”