Veliaj merr seriozisht Maratonën e Tiranës, stërvitet në kodrat e Liqenit

Kur na ndajnë edhe 3 ditë nga Maratona e Tiranës, qindra vullnetarë të regjistruar për t’u bërë pjesë e saj po vijojnë përgatitjet intensive në Parkun e Madh të Liqenit Artificial apo në parqet e reja të ngritura në periferi të kryeqytetit.

Grupit të vullnetarëve iu është bashkuar dje edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka marrë seriozisht stërvitjen për Maratonën e Tiranës. Ai ka postuar një foto në profilin e tij në Facebook, teksa është duke u trajnuar në pistën e vrapit në kodrat e Liqenit Artificial së bashku me disa vrapues të tjerë.

Veliaj po stërvitet prej disa javësh në Kodrat e Liqenit Artificial, për t’u përgatitur për Maratonën e së dielës, e cila tashmë ka nisur rrugën e krijimit të një tradite sportive në kryeqytet.

Të dielën e 15 Tetorit kryeqyteti do të mirëpresë Maratonën e Tiranës, në të cilën janë regjistruar për të marrë pjesë mbi 2500 vrapues nga 40 shtete të botës.  Ndërkohë që, të gjithë ata që tashmë janë regjistruar, bip-in mund ta tërheqin në datat 13 dhe 14 Tetor nga ora 09:00-20:00 te Sheshi Nene Tereza.

Maratona e Tiranës zhvillohet në 3 kategori: 21 km ku marrin pjesë atletë profesionistë; 10 km ku marrin pjesë vrapues amatorë dhe “We too”, gara për persona me aftësi ndryshe.

Për ta kthyer këtë garë sportive në një ditë feste, Bashkia e Tiranës fton gjithë qytetarët e Tiranës që nuk garojnë, të dalin në datë 15 Tetor dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës.

Maratona do të përshkojë disa nga pikat më kryesore të qytetit, e për këtë arsye Bashkia e Tiranës, përmes Policisë Bashkiake dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve për mbarëvajtjen e saj.

Kështu, Bashkia e Tiranës informoi dje qytetarët se kufizimi i qarkullimit të automjeteve, por edhe i parkimit të tyre, në segmentet ku do të zhvillohet Maratona e Tiranës do të fillojë në datën 13 Tetor deri në 15 Tetor 2017, nga ora 00:00 të datës 13 Tetor deri në orën 14:00 të datës 15 Tetor.

Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndalimin e parkimit më datë 15 tetor, në rrugët: Bulevardi Zogu 1; Bulevardi Dëshmorët e Kombit; Rruga “Ibrahim Rrugova”; Segmenti i Rrugës “Ibrahim Rrugova” deri te Sheshi “Nënë Tereza”; Rruga e Kavajës në segmentin Qendër – Poliklinika 9; Rruga “Abdi Toptani”; Rruga “George Ë. Bush”; segmenti nga kryqëzimi i Rrugës “Abdi Toptani” me kryqëzimin e Rrugës “Lekë Dukagjini”.

Kufizimi i qarkullimit (dhe i parkimit) të automjeteve do të bëhet si më poshtë:

1-      Ndalohet qarkullimi në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 00:00 e datës 13 Tetor 2017, deri në datën 14 Tetor.

  • Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

2-      Ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rr. “Lek Dukagjini” dhe sheshin “Nënë Tereza” në datën 14 Tetor 2017, nga ora 08:00 deri në orën 12:30.

  • Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të në rrugën “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit” dhe “George Ë Bush”.

3-      Ndalohet qarkullimi në segmentet rrugore “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Rruga e Kavajës”, deri tek rrethrrotullimi përballë “Kishës Orthodokse”, “Ded Gjo Luli”, Bulevardi “Zogu I”, “Urani Pano”, “Rruga e Barrikadave”, “George Ë Bush”, “Abdi Toptani” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në datën 15 Tetor 2017, nga ora 05:00 deri në orën 14:00.

  • Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Unaza e Mesme” përveç segmentit ura e “Drejtorisë së Policisë” deri tek “Rruga e Elbasanit”, “Sami Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit” dhe “George Ë Bush” deri te “Murat Toptani”, “Vaso Pasha”, “Myslym Shyri” deri tek “Sami Frashëri”, “Hoxha Tahsin” deri tek sheshi “Avni Rustemi”.

4-      Itinerari i lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të devijojë si më poshtë:

  • Rruga “e Elbasanit” do të devijohen tek “Ura e Lanës”.
  • Rruga “Hoxha Tahsin” do të devijohen tek sheshi “Avni Rustemi”.
  • Rruga “e Dibrës” do të devijohen tek “Medreseja”.
  • Rruga” e Kavajës” do të devijohen tek “21 Dhjetori”.
  • Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohen tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rruga e Elbasanit”.

SHKARKO APP