Veliaj: Paguesit më të rregullt të energjisë, pensionistët e invalidët

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të paguajnë energjinë elektrike dhe garantoi se shtresat në nevojë që preken nga heqja e fashës, do të kompensohen duke filluar nga 1 janari 2015 nga fondi prej 16 milion dollarë i parashikuar në buxhetin e shtetit. “Nga raportimi i sotëm në terren, buzë autostradës Tiranë-Durrës gjendet një subjekt i cili ka një borxh prej 27 milion lekësh. Ky debitor nuk është as me ndihmë ekonomike, as pensionist dhe as person me aftësi të kufizuara, por një nga bizneset më të mëdha në vendin tonë. Kjo është e pafalshme”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi gjithashtu se paguesit më të rregullt të energjisë elektrike janë pensionistët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. “98% e pensionistëve dhe 93% e personave me aftësi të kufizuar, të cilët janë njerëzit më të këputur dhe të vuajtur të vendit, paguajnë energjinë elektrike. Pra, nuk është fjala për të goditur këtë shtresë sepse kjo është edhe shtresa më e ndershme dhe në Shqipëri qëllon që më të ndershmit janë edhe më të vuajturit. Ata që janë të kamur e konsiderojnë energjinë një mall i cili mund të vidhet vetëm sepse kanë pushtet dhe para. Kjo ditë ka marrë fund. Nuk ka pushtet dhe para që mund të kompensojë një shkelje të ligjit apo detyrim të pambajtur”, tha ministri Veliaj.

Nga ana tjetër, ai komentoi edhe protestën e thirrur nga opozita, duke ftuar qytetarët që të bëjnë një llogari të thjeshtë: “Pasi e le vendin të shkretuar, me borxhe të energjisë elektrike, me borxhe për personat me aftësi të kufizuara dhe pensionet, të thërrasësh njerëzit në protesë kundër pagesës së energjisë elektrike është fyerje e inteligjencës së shqiptarëve. Shqipëria e të ndershmëve është shumë më e madhe se Shqipëria e hajdutëve”, përfundoi Veliaj.

SHKARKO APP