Veliaj: Pensionet e reja mbi 300 mijë lekë, në qershor do rriten me 2 për qind
Skema e re e pensioneve që ka nisur të aplikohet që nga 1 janari 2015 ka nisur të jap efektet e veta pozitive në xhepat e pensionistëve. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj kanë qënë të pranishëm në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Vlorës, ku është bërë shpërndarja e pensioneve të reja për disa të moshuar, të cilët tashmë në bazë të skemës së re përfitojnë pensione më të larta. Tashmë falë kësaj skeme është bërë e mundur rritja heqja e tavanit prej 240 mijë lekësh, duke mundësuar pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për ccdo pensionistë të ri.
Safet Gjondedaj është një prej atyre personave që ka ndjerë realisht në xhepin e tij përfitimet që sjellë skema e re. Ai ka punuar gjithë jetën në marinë dhe me sistemin e vjetër ai nuk mund të përfitonte me shumë se 240 mijë lekë pension, ndërkohë që me skemën e re ai doli sot në pension me 310 mijë lekë.
Një nga kategoritë e tjera që përfitojnë pensione më të larta se më parë janë dhe minatorët të cilët sipas skemës së re do kenë mundësi të marrin pensione trefish më të larta sesa mund të merrnin sipas skemës së vjetër. Një prej minatorëve që ka mundur të përfitojë nga kjo reform është Maksim Abazaj, i cili ka punuar në minierë, por ishte larguar nga puna kur falimentuan minierat. Ai deri më tani mbijetonte me 80 mijë lekë pension ndërsa me formulën dhe me rrillogaritjen e pensioneve për minatorët, me uljen e moshës dhe me bonsin financiar që u është dhënë ai përfiton sot 200 mijë lekë.
Për kryeministrin Edi Rama ky është një moment i rëndësishëm pasi tregon se reforma u bë realitet. “Në 1 vit e gjysëm të qeverisjes tonë u bë e mundur që çdo kush që paguan rregullisht sigurimet shoqërore arrin të marrë pension më të lartë se me skemën e vjetër. Një mësues që për 35 vjet ka paguar sigurimet me formulën e vjetër do merrte 245 mijë lekë pension ndërsa me formulën e re pensioni shkon në 277 mijë lekë. Këto janë fakte që çdo pensionistë I vërteton në xhepin e tij”, – tha kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.
Nga ana e tij ministri Veliaj vuri në dukje faktin se ka shkuar në 93392 numri i personave të shtuar në listën e sigurimeve shoqërore, çka sipas tij tregon se skema e re ka kthyer besimin e qytetarëve te skema e re. Ministri Veliaj ka theksuar se kjo skemë e re bënë të mundur që të ketë pensione mbi 300 mijë lekë.
“Nëse në llogarisim sesi gjetëm sesi i gjetëm çështjen e punësimit dhe sigurimet shoqërore në vitin 2013 dhe atë që mbyllën në ditën e fundit të vitit 2014 diferenca e atyre që janë siguruar për herë të parë në sigurimet shoqërore është 93392 persona. Një skemë që ishte e falimentuar falë incentivave që ka dhënë reforma e re dhe falë amnistisë në fshat që është aplikuar nga reforma e re ka rritur të ardhurat e skemës me 100 milionë dollar ”, – tha ministri Veliaj. Ministri Veliaj dha dhe një lajm tjetër të mirë për gjithë pensionistët, kur deklaroi se brenda 6 mujorit të parë të këtij viti do ketë një rritje të dytë me 2 për qind për të gjitha pensionet. “Këto nuk do kishin sens nëse nuk do bënim një bilanc pozitiv për pensionistët shqiptarë. Vjet ne rritëm pensionet në gjysmën e dytë të vitit me 2 për qind dhe ne në gjysmën e parë të këtij viti do rrisin sërisht me 2 për qind pensionet”, tha ministri Veliaj.