Veliaj: Plani për të sjellë ujë 24 orë brenda 5 vitesh, heqim depozitat që rrezikojnë qytetarët
Kreu i Bashkisë së Tiranës inspekton punimet për rehabilitimin e bllokut Nr. 1 në Laprakë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu besimin se Këshilli Bashkiak do t’i hapë rrugë investimeve madhore për t’i garantuar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë. Ai deklaroi sot se Plani i Biznesit i hartuar me ndihmën e USAID-it, përmes të cilit do të realizohen investimet e nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës, është garancia finale që qytetarët e Tiranës të kenë ujë të rrjedhshëm 24 orë.
“Plani i biznesit i Bashkisë së Tiranës dhe UKT për forcimin e rrjetit të ujësjellësit që sjell ujë të pijshëm 24 orë brenda 5 vitesh, është garancia finale që kemi për një Tiranë ku të gjitha depozitat që shikoni mbi pallate, që rrezikojnë banorët e kateve të fundit, të mos jenë më rrezik. Të jetojmë në një qytet, ku jo vetëm ka ujë të pijshëm 24 orë, por nuk i mbajmë sytë nga tavani se mos na bie gjithë depozita dhe na zë brenda. Kjo do vendime të guximshme; unë jam gati t’i marr dhe mezi pres që anëtarët e Këshillit Bashkiak t’i marrin këto vendime të guximshme, të shpëtojmë jetët e njerëzve që nuk kanë ujë 24 orë, por të shpëtojmë edhe jetën e atyre që rrezikojnë nga depozitat lart, nga ndotja që sjellin apo nga rreziku për të shembur pallate të tëra prej qindra litrave që kanë mbi kokë”,theksoi Veliaj, teksa inspektoi punimet që po realizohen për rikualifikimin urban të bllokut Nr.1 në Laprakë.
Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për mirëkuptimin që kanë treguar në këto ditë të vështira, si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, dhe garantoi se bashkia do të vijojë me furnizimin me bote në ato zona të cilat janë të prekura nga kufizimet me ujin e pijshëm. Duke u ndalur tek investimi i Bashkisë së Tiranës për rikualifikimin e këtij blloku ku jetojnë mbi 30 mijë banorë, kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi ritmin dhe cilësinë e punimeve që po kryhen.
“Kemi dy vite në Bashkinë e Tiranës, ku çdo ditë punojmë si të jemi në fushatë dhe një nga arsyet pse jam i kënaqur është se në këtë projekt, jo vetëm është punuar me ritme të shpejta, jo vetëm kemi kanalizime, rrjet ujësjellësi, jo vetëm kemi futur kabllot nëntokë, jo vetëm kemi ndriçim të ri LED, edhe mbi 200 pemë që do të mbillen në lagje, por kemi fituar edhe 3 sheshe të mëdha midis pallateve, që më përpara ishin të zëna nga të fortët e lagjeve”, tha ai. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të cilët kanë zaptuar hapësirat publike që t’i lirojnë ato vullnetarisht, pasi në të kundërt, do të përballen me zbatimin e ligjit.
“Ka vetëm një të fortë në Tiranë: Ai është qytetari i ndershëm, familjari i rregullt, ai që paguan taksat, që respekton ligjin. Aleati ynë është qytetari që respekton rregullat. Dua t’i ftoj ata banorë, ata pak të fundit që kanë mbetur me gardhe dhe ndërtime pa leje, është vetëm çështje kohe sa do t’i hiqni, por çështja është që shkelja e ligjit vjen me një kosto për bashkinë. Është më mirë që t’i shpëtojnë gjobës dhe komisariatit, nëse i prishin vet. Nuk është toleruar asnjë njeri, ndaj është shumë e rëndësishme që edhe ata të fundit që kanë mbetur të bashkëpunojnë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Por, rehabilitimi i bllokut Nr. 1 në Laprakë nuk do të jetë i vetmi në këtë njësi administrative. Veliaj garantoi se është vetëm çështje kohe sa investimet të prekin çdo lagje dhe rrugicë të kësaj njësie.
“Dua që t’i them të gjithë qytetarëve të Laprakës se këto janë vetëm investimet e para. Blloku këtu përfshin rreth 30 mijë banorë, por është një territor më i madh dhe më shumë banorë se sa shumica e qyteteve të dyta të Shqipërisë, më e madhe se Korça, Durrësi apo Elbasani. Më i madh se Fieri është vetëm Lapraka, vetëm njësia 11. Kështu që, është vetëm çështje kohe sa të vijmë dhe të prekim çdo rrugë, çdo rrugicë, çdo shesh”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë informoi qytetarët se një fokus më i madh në gjysmën e dytë të mandatit do të tregohet ndaj investimeve në zonat në periferi të Laprakës. “Një fokus më të madh në këtë gjysmë të dytë të mandatit do ta kemi në zonat më periferike të njësisë 11, zona e Kodër Kamzës, zona e Treshit. Duke qenë se kanë qenë zona kufitare, mes Tiranës dhe Kamzës, gjithmonë janë trajtuar si të askujt, as të Tiranës, as të Kamzës. Ndaj do të jemi sërish në njësinë 11 për të bërë bashkë buxhetin”, deklaroi ai.
Duke filluar nga muaji shtator, Bashkia e Tiranës do të nisë dhe konsultimet publike për buxhetin. Veliaj deklaroi se Tirana është në një moment fantastik transformimi dhe qytetarët do të thonë zërin e tyre për të vendosur për investimet që ata kanë prioritet.
“Duke filluar nga muaji shtator do të fillojmë konsultimet publike për buxhetin, pra që qytetarët të na thonë vetë se ku duhet të shpenzojnë paratë e tyre. Jemi në një moment historik për Tiranën ku transformimi ka marrë super xhiro, dhe me të njëjtat taksa që paguheshin më përpara, po bëhen shumë herë më shumë punë, edhe me më pak staf, për të treguar që kur shteti e ka fokus punën dhe punën cilësore, mund të bëjë më shumë gjëra”, theksoi Veliaj, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mirëmbajnë investimet publike si një e mirë për të gjithë komunitetin.
Ndërhyrja në bllokun Nr. 1 në Laprakë parashikon rikonstruksionin dhe sistemimin e 42 segmenteve rrugore. Një vëmendje e veçantë po tregohet për realizimin e vend-parkimeve për automjetet, sistemimin dhe gjelbërimin e shesheve ndërmjet pallateve dhe vendosjen e stolave.