Veliaj: Si do ndryshoje harta e Tiranës
Pas 21 qershorit, qytetarët e Tiranës do të mund t’i marrin të gjitha shërbimet e nevojshme më pranë zonës së tyre të banimit. Gjatë bilancit të investimeve në Njësinë Nr. 6 në Kombinat, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i shoqëruar dhe nga deputeti i PS, Saimir Tahiri, dha lajmin e mirë se qytetarët nuk do të humbasin më kohë për të shkuar larg zonës së banimit për të marrë shërbimin e nevojshëm.
Kreu i Bashkisë tha se një nga propozimet e para do të jetë që zona e Astirit do të trajtohet si pjesë e njësisë në 6, duke lehtësuar jetesën për mijëra familje. “Propozimi ynë i parë është që e gjithë zona e Astirit, siç realisht po i merr shërbimet në Kombinat, edhe në kufijtë administrativë të trajtohet nga njësia nr. 6. Tani që mbushet ky afat dhe na jep mundësinë ligjore, do t’i çojmë Parlamentit të ri dhe qeverisë së re të gjitha propozimet tona për ridizenjimin e hartës administrative të Tiranës, që realisht njerëzit t’i marrin shërbimet aty ku jetojnë, ku kanë shkollat, ku kanë çerdhet dhe kopshtet”, theksoi ai.
Pas përurimit të sheshit “Skënderbej”, Veliaj deklaroi se më datë 20 qershor do të hapet edhe Bulevardi i Ri i Tiranës. “Na jepni mundësinë t’ju shërbejmë, po aplikojmë për t’u bërë shërbëtorë, për një kontratë pune shërbimi, jo sundimi, jo shefash, jo komandantësh. Në datë 20 do të hapim Bulevardin e Ri të Tiranës, një projekt i shtyrë 25 vjet”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se të gjitha këto investime janë arritur falë përkushtimit dhe punës së përditshme, ndryshe nga administrata e kaluar se cila preferoi që të flinte “gjumë”. Kreu i Bashkisë kërkoi që qytetarët më 25 qershor të votojnë masivisht PS, si garanci për vijimin e transformimit të qytetit. “Një kryetar bashkie mund të ketë zell, energji, skuadër, por po nuk pati qeverinë qendrore, siç kemi ne Edi Ramën, nuk bëhen këto punë. E kemi quajtur këtë raportim “2 vite zgjuar” pikërisht për të bërë një kontrast me 4 vite në gjumë dhe sot alternativa është e qartë: do të shkojmë përpara apo do të kthehemi mbrapa, do të vazhdojmë të rrimë zgjuar që të punojmë apo do ia fusim prapë gjumit? Ne e mbajmë mend freskët në memorien tonë se në qoftë se kthehemi në gjumë ose në qoftë se kthehemi në shkatërrim, mund t’i humbasim gjithë këto investime. Ne e kemi parë me sytë tanë shkatërrimin e këtij qyteti kur nuk është Partia Socialiste e fuqishme në krye të punëve të vendit”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Veliaj tha se ka vetëm një ekip i cili e çon Tiranën dhe Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe ai është PS dhe Edi Rama kryeministër. “Sot e kemi vënë qytetin në punë, çfarë rëndësie ka që jemi të partive të ndryshme nëse ky ekip po e çon Shqipërinë dhe Tiranën në drejtimin e duhur, edhe me punë.”, tha ai.
Në fjalën e tij, Veliaj dha edhe një mesazh urimi për të gjithë ata socialistë që sot festojnë themelimin e PS. “Le ta fillojmë me një urim sepse sot është ditëlindja e Partisë Socialiste. Çelësi i suksesit të PS është se gjithmonë rishpik veten, gjithmonë pasurohet me të rinj, gjithmonë hap derën për talente, por të mos harrojmë të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj listoi dhe një sërë projektesh të rëndësishme që të cilat kanë prekur njësinë administrative Nr. 2 si dhe projektet të cilat janë parashikuar që të realizohen në vazhdim.
Ndërtuar Shkollën 9-vjecare “Betim Muço” (po ndërtohet)
Rindërtuar Kopshtin Nr.27/k Rr. “Llambi Bonati”
Rindërtuar Kopshtin Nr.38/k Rr. “Fabrika e Qelqit”
Rindërtuar Kopshtin Nr.21 Rr. “Haki Stermilli”
Rindërtuar çerdhen Nr. 4, Rr. “Hamdi Cenoimeri”
Rindërtuar Rr. “Piro Goda”.
Rindërtuar Rr. “Hamdi Cenoimeri”
Sistemuar ujesjelles-kanalizimet në Rrugën:”e Qelqit” tek ish fusha e Sportit
Sistemuar furnizimi me ujë per objektet në Rr. “Petro Roçi”
Gjelbëruar:
Lulishtja Garibaldi Kombinat;
Shkolla “Lasgush Poradeci”;
Shkolla “Myslym Keta”;
Shkolla “Hoteleri Turizem”;
Çerdhja NR.4, etj.
Investime që do të realizohen:
Rindërtimi i Bibliotekës së re në Njësinë Administrative nr.6
Ndërtimi i këndit të parë të lodrave të përshtatshëm edhe për fëmijët me aftësi ndryshe;
Rehabilitimi i varrezave të Sharrë dhe rruga lidhëse;
Rikonstruktimi i bllokut të kufizuar nga rrugët Konferenca e Pezës – 3 Dëshmorët – Ali Jegeni;
Rikonstruktimi i bllokut të kufizuar nga Rr. “Llambi Bonata”, Rr. “Haki Stermilli” “Musine Kokalari”;
Rindërtimi i Rr. “Zyber Zeneli” vazhdim i rrugës “Ali Kelmendi”.
Rindërtimi i aksit mbikalim-Kombinat
Rikonstruktimi i bllokut të Zona e Qytetit të Nxënësve kufizuar nga Rr. “S. Gabrani”, Rr. “Leka i Madh”, Rr. “Vasfi Samini”.
Ndërtimi i kanalizimeve të ujerave te zeza Kombinat.
Ndërkohë, deputeti socialist i zonës Saimir Tahiri falënderoi kryebashkiakun Veliaj për punën që ka bërë gjatë këtyre dy viteve të para, ndërsa garantoi qytetarët se investime akoma edhe më të mëdha i presin në vitet në vazhdim. “Dua të falenderoj edhe Erionin dhe gjithë ekipin e Bashkisë, këdo që i ka ndenjur punëve mbi kokë në këtë njësi. Gjithçka që ka ndodhur në këto dy vjet është shenja më e mirë apo mundësia më e mirë për secilin prej jush të kuptojë se çfarë fuqie dhe çfarë force ka vota e secilit. E në qoftë se ju keni sot një komshi që është anëtar i Partisë Demokratike apo votues historik i Partisë Demokratike bindeni, bindeni dhe tregojeni konkretisht se si me një votë ti mund të ndryshosh jetën e fëmijët tënd që deri dje shkonte në darkë në shkollë dhe sot ka një shkollë të re. Apo deri dje nuk kishte një rrugë para shtëpisë, sot ka një rrugë. Deri dje ishin investimet sipas partive apo investimet ishin jo sipas nevojës së njerëzve, sot nuk është më kështu. Pra në qoftë se ke një votues që deri dje ka votuar PD-në për tifozllëk, për cilëndo arsye binde se sot vlen vota aq sa për të zgjidhur hallet e tua. Kam shumë besim që edhe i gjithë blloku i Astirit do t’i bashkohet zonës urbane të njësisë nr.6, do të bëjmë shumë gjëra të mira të cilat do të bëjnë jetën e qytetarëve, jetën tuaj, jetën e çdo banori që është këtu shumë më të mirë”, tha Tahiri.