Veliaj: Tirana është shndërruar në kryeqytetin e turizmit në vend

Të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës në kryeqytet do të marrin një pagë shpërblim dhe një pagesë shtesë prej 25% për punën e kryer jashtë orarit zyrtar në muajt e verës. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin “Për shpërblimin e punonjësve të shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si rezultat i punës së mirë në kryerjen e detyrës dhe përballimin me sukses të situatës së zjarreve gjatë stinës së verës”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën para anëtarëve të Këshillit Bashkiak deklaroi se propozimi vjen pas punës së mirë të bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, duke arritur të përballojë me sukses të gjitha vështirësitë e krijuara si rezultat i zjarreve të shumta të rëna nga temperaturat e larta.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të punës së jashtëzakonshme që kanë bërë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit gjatë muajve korrik, gusht dhe fillimit të shtatorit. Ne tashmë kemi miratuar një pagesë shtesë prej 25% për punën e kryer jashtë orarit zyrtar sepse realisht kanë punuar pa pushim për ditë e javë të tëra. E kam ndjekur nga afër punën e tyre në terren, ashtu si edhe disa nga drejtuesit e tjerë të bashkisë, por edhe shumë prej anëtarëve të Këshillit. Ishin kushte jashtëzakonisht të vështira, me temperatura që arrinin deri në 40 gradë edhe pa praninë e zjarrit, me terrene shumë të thyera në disa raste”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se puna e palodhur nga punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri bëri të mundur shpëtimin e sipërfaqeve të shumta pyjesh dhe kullotash nga djegia dhe e shpëtimit të jetëve njerëzore. “Nëse nuk u dëmtua asnjë banesë, nëse nuk u dëmtua asnjë pronë e qytetarëve të Tiranës, nëse nuk u lëndua asnjë qytetar, e gjithë kjo është meritë e punës së këtyre burrave e grave, të cilëve ju detyrohemi një shenjë mirënjohje si qytet”, deklaroi Veliaj, ndërsa kërkoi votimin unanim të këtij vendimi nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë, Veliaj theksoi se vëmendja që i ka kushtuar Bashkia e Tiranës si në promovimin e vlerave historike, kulturore dhe natyrore që ofron Tirana, por edhe investimeve në infrastrukturë, kanë sjellë rezultate impresionuese në fushën e turizmit. “Më e rëndësishme se debatet tona të brendshme është fakti se projekte si sheshi “Skënderbej” po e vendosin Tiranën përfundimisht në hartën e destinacioneve turistike. Vlerësimi i këtyre projekteve nga forume e media prestigjioze, është në fakt promovimi që ‘de facto’ t’i bëjmë Tiranës të gjithë bashkë dhe që siç jemi të gjithë dëshmitarë po jep rezultate impresionuese në fushën e turizmit. Sot, me statistikat e nxjerra nga INSTAT, Tirana ka 2.5 herë më shumë turistë se dy vite më parë, duke qenë sot me më shumë biznes dhe ekonomi nga turizmi se sa shumë prej zonave bregdetare të Shqipërisë. Natyrisht, ky bum në turizëm nuk erdhi nga hiçi, por është rezultat i investimeve dhe stabilizimit të jetës dhe infrastrukturës në kilometrin zero të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa veçoi sheshin “Skëndërbej” dhe Pazarin e Ri si dy hapësirat më të vizituara momentalisht në kryeqytet, ai theksoi se Bashkia do të punojë që kësaj panorame turistike t’i shtojë edhe atraksione të tjera, një prej të cilave është edhe Piramida. “Brenda këtij viti do të nisë puna për Piramidën, për ta kthyer në një qendër të madhe kulturore me fokus rininë, që do të jetë një burim energjie për Tiranën, me një platformë të hartuar nga arkitekti Ëiny Mass, që është padyshim një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë dhe që i është bashkuar ekipit të Bashkisë për një projekt fantastik, atë që ka ngelur “zhgualli” i Piramidës së Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër projekt, realizimi i të cilit do të sjellë gjithashtu ofertën turistike të Tiranës do të jetë edhe ndërtimi Parkut Qendror të Bulevardit të Ri. “Pak javë më parë zhvilluam një dëgjesë publike për prezantimin e projektit për Parkun Qendror të Bulevardit të Ri. Kemi bërë modifikimet e nevojshme, kur vjen puna tek ulja e densitetit të ndërtimit dhe shtimi i parkut të ri. Për Parkun Qendror të Tiranës në Bulevardin e Ri, më duhet të bëj një korrigjim, nuk është 6 herë më i madh se Parku Rinia, por në llogaritjen përfundimtare do të jetë 10 herë më i madh se Parku Rinia; pra, praktikisht një mushkëri e tretë e qytetit dhe që së bashku me Liqenin e Tiranës dhe parqet e Farkës dhe Kasharit, për të cilat tashmë po punohet, do të jetë një nga pjesët më kreative dhe më të bukura të qytetit e padyshim edhe një nga destinacionet e rëndësishme turistike të Tiranës”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Një tjetër lajmi tjetër i mirë për Tiranën është se së shpejti do të fillojë puna për Terminalin e Transportit. Ai bëri të ditur se shumë shpejt fillon puna për rrjetin minimal të biçikletave që do shtrihet në disa nga rrugët kryesore të Tiranës. “Këtë javë fillon puna për rrjetin minimal të biçikletave me investimin e Rrugës së Dibrës. Siç e keni parë, në Rrugën e Dibrës jemi duke punuar edhe me atë shkallaren e çuditshme te Shkolla e Bashkuar, sot Ministria e Mbrojtjes, që gjithë ajo hip e zbrit të neutralizohet dhe të jetë në një nivel me tokën dhe në anën tjetër korsitë e biçikletave. Ndërkohë, sapo kemi miratuar që përveç rrugës “Dritan Hoxha” që tashmë e kemi edhe në Rrugën e Durrësit, Rrugën e Dibrës deri në Kinostudio, Rrugën e Kavajës nga qendra deri tek mbikalimi i Unazës së Re si dhe Bulevardi nga Universiteti Politeknik deri tek Lumi i Tiranës do të jenë segmentet e ardhshme ku ne do të zbatojmë korsitë e biçikletave të mbrojtura në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm që do të shënojë një hap të madh drejt modernizimit të transportit publik në Tiranë është edhe testimi së shpejti i autobusëve elektrikë. “Për pak javë do ju ftojmë të gjithëve ditën e parë të testimit për autobusët 100% elektrikë, fillimisht me një autobus Solaris Electric Urbino 12 metra dhe pastaj edhe me kompani të tjera që kanë pranuar ftesën tonë për të testuar Tiranën. Ka shumë njerëz që thonë në qoftë se autobusi funksionon pse të testohet? Për ata që janë të rinj dhe nuk e kuptojnë teknologjinë, pjesa më kritike e teknologjisë është paketa e baterisë, testohet për relievin, për frekuencën e stacioneve, sa herë hapen dhe mbyllen dyert, si impakton kjo kondicionimin dhe besoj që pasi t’i kemi eksperimentuar në rrugët kryesore, do t’u sjell një propozim në këshill që të jemi gati, edhe vetë të jemi operatorë dhe të rikthejmë një shërbim publik”, theksoi Veliaj.

Veliaj u ndal edhe te infrastruktura arsimore duke theksuar se siç është dëshmuar deri më tani viti 2017 mund të konsiderohet si viti i shkollave. “Jo vetëm që kemi ndërhyrë në pjesën më të madhe të 200 shkollave të Tiranës, por ia dolëm të hapim edhe shkollat e reja, duke filluar nga Liceu që e hapëm pak më parë dhe Shkolla e Baletit dhe tre shkollat e reja nga themelet, “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” te Bregu i Lumit dhe “Hasan Tahsin” te rruga “Hoxha Tahsin” te zona e Pazarit të Ri, kanë shkarkuar ndjeshëm fluksin e klasave me dy turne që kemi pasur në këto zona. Besoj e mbani mend pastaj edhe shkollat kombëtare, si e Baletit dhe Liceu, e mbani mend në çfarë gjendje i gjetëm në vizitën tonë të parë. Disa nga këshilltarët kanë qenë në atë takim ku praktikisht gjithë shiu binte në parket. Sot për kush i ka ndjekur zhvillimet për Liceun dhe Shkollën e Baletit, është si dita me natën”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ajo që është edhe më e rëndësishme në këtë drejtim është se këtë vit nis edhe projekti tjetër madhor dhe që do t’i japë përfundimisht fund problemit të mësimit me dy turne dhe që ka të bëjë me ndërtimin e 16 shkollave të reja. Kryetari i Bashkisë në fund shfrytëzoi rastin për t’i bërë thirrje të gjithë anëtarëve të këshillit që të bëhen pjesë e Maratonës së Tiranës që mbahet në 15 tetor, qoftë si garues në të qoftë edhe si spektator për të mbështetur sportistët.

Në mbledhjen e sotme u miratuan edhe një sërë vendimesh të tjera sikurse ai “Për miratimin dhe zbatimin e Projektit: “Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes (II)” hartuar sipas Udhëzuesit Operacional për zbatimin e projektit “Fuqizimi i grave dhe nxitja e sipërmarrjes (II), në bashkëpunim me United Development Programme (UNDP)”. Kryebashkiaku Veliaj shpjegoi se ky projekt bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe PNUD-it është skicuar për kandidatet me një ide të qartë biznesi, që synon fillimin ose zgjerimin e një biznesi të pavarur të vogël ose shumë të vogël. Përparësi kanë ata që i përkasin grupeve apo komuniteteve si: rom dhe egjiptian, gratë nga zonat rurale të bashkisë, kryefamiljaret, me aftësi të kufizuara si dhe kategoritë e tjera. Llojet e biznesit mund të përkufizohen në biznese rurale, turizëm, teknologji informacion, industri e tekstilit, shërbime, punë artizanale.

Një nga vendimet e rëndësishme ishte dhe dakordësimi për “Për Planin e Detajuar Vendor në njësinë strukturore “TR/456″ (Bulevardi i ri), përmes të cilit do të orientohen tendencat e zhvillimit publik dhe privat në atë zonë përmes një strategjie të detajuar që vlerëson nevojat afatmesme dhe afatgjata për shërbime, qendra institucionale, aktivitete ekonomike dhe sociale. “Është hera e parë që Tirana ka gati një projekt të plotë jo vetëm për projektin e ndërtimit të një vepre të rëndësishme infrastrukturore, siç është Bulevardi i Ri, por edhe një plan për zhvillimin e të gjithë zonës për të cilin është bërë një punë gati 2 vjeçare”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u ndal dhe në nismën për hartimin e planit të veprimit “Qyteti i gjelbër” (GCAP), i cili synon zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës. Në bashkëpunim me BERZH, Bashkia e Tiranës ka punuar për hartimin e një plani veprimi për zhvillimin e një qyteti të gjelbër. “Kjo është një iniciativë që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Ne besojmë që Tirana mund dhe duhet të shndërrohet në një qytet të gjelbër e të shëndetshëm, që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme duke ruajtur resurset e saj natyrore dhe duke mos i konsumuar ato në emër të një zhvillimi afatshkurtër”, tha Veliaj.

Sa i takon vendimit për “Për rritjen e performancës dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga shoqëritë aksionere “Rezidenca Studentore Universitare nr.1”, “Trajtimi i studentëve nr.2” dhe “Trajtimi i studentëve nr. 3” Tiranë, nëpërmjet riorganizimit të tyre”, synohet studimi i mundësive për riorganizimin e këtyre shoqërive me qëllim funksionim e tyre në mënyrë sa më efiçente duke reduktuar humbjet. Njëkohësisht do të rritet ndjeshëm edhe cilësia e akomodimit të jetesës dhe të mundësive që i jep studentëve për të studiuar.

Ndër vendimet e tjera të miratuara ishin dhe ai për “Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.32, datë 29.09.2008 “Për miratimin e anëtarësimit të Bashkisë së Tiranës në Medcities Netëork dhe përmbushjen e detyrimeve të Bashkisë së Tiranës si anëtare e shoqatës”; vendimi “Për vendosjen e Lapidarit në Njësinë Administrative Zall Bastar”; vendimi “Për vendosjen pranë degës së Credins Bank të skulpturës “Valltarët” në rrugën “Ligj Gurakuqi”. Këshilli miratoi sot dhe propozimin “Për miratimin e kërkesës së Bashkisë Tiranë, për akordimin e fondeve të menjëhershme nga fondi i programit “Emergjencat Civile”, planifikuar në buxhetin e vitit 2017 në Ministrinë e Punëve të Brendshme me destinacion marrjen e masave parandaluese si pasojë e situatës emergjente të krijuar nga rrëshqitja e tokës në rrugën “Haki Stërmilli”, Njësia Administrative Nr.6, Kombinat” si dhe vendimin “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.

Këshilli diskutoi dhe miratoi vendimin “Për miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016” ; vendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.59, datë 30.12.2015, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës (i ndryshuar)” si dhe vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr.84, datë 29.12.2016 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2017- 2019 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017” (i ndryshuar)”. Një tjetër pikë e miratuar është dhe P/Vendimi “Për miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016”.

SHKARKO APP