Veliajt flet për projektet për Tiranën në dy vitet që vijnë dhe puna si kryebashkiak
Brenda dy viteve, një sërë projektesh të planifikuara nga ana e Bashkisë pritet që ta shndërrojnë Tiranën në një kryeqytet modern dhe gjithëpërfshirës.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se do të ndërtohen dy terminalet në hyrje të Tiranës, transformimi i Piramidës si dhe kthimi i sheshit “Nënë Tereza” në një hapësirë pedonale tërësisht në shërbim të qytetarëve.
“Besoj që do të kemi dy terminale në Tiranë që do të mbajnë të gjithë trafikun në vjen nga rrethet në portat hyrëse të qytetit, lindje dhe perëndim. Besoj që projekti i Bulevardit të Ri, që shkon deri ne fund, do të jetë një çlirim për qytetin, pra një lagje e re që vjen komplet te ajo zonë. Besoj që Parku i ri i Farkës dhe zgjerimi që duhet t’i bëjmë, përveç Parkut të Liqenit, për të pasur edhe disa parqe të tjera. Kemi pastaj një projekt fantastik për të kthyer në pedonale edhe sheshin “Nënë Tereza” me kohë të plotë dhe më një dizajn të ri, siç është bërë sheshi “Skënderbej. Do rregullojmë Piramidën, do jetë një qendër pop-arti”, tha Veliaj në emisionin në IN Tv.
Por kryeqyteti pritet që të zgjidhë edhe problemin e parkimit përmes hapjes së dy parkingjeve të reja nëntokësore duke e çuar në katër në total, si dhe ndërtimin e një stacioni qendror autobusësh pas Pallatit të Kulturës. Gjithashtu, Kopshti Zoologjik për fëmijët do të jetë komplet i riformatuar, duke u bashkuar me Kopshtin Botanik.
Krahas investimeve në qytet, investimet do të prekin edhe zonat rurale në të cilat do të ndërhyhet për përmirësimin e infrastrukturës. “Ne kemi filluar një sërë projektesh për qendrat e fshatrave. Provuam në Petrelë, në fshatin Qeha, në fshatin Pëllumbas ku është edhe shpella, pra kemi rregulluar qendrat e fshatrave. Kemi filluar me qendrat e fshatrave, kemi bërë disa rrugë që s’mendoheshin kurrë me buxhetet që kanë pasur më përpara komunat, pra, rrugët e Zall Herrit, rrugët e Kasharit, pothuajse të gjithë rrugët kryesore të Pezës. Në Ndroq po punojmë në disa lagje. Ideja është që njerëzit t’i inkurajojmë, ose të jetojnë në fshat, ose t’i rikthehen bujqësisë dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë”, theksoi Veliaj.
Intervista e plotë, çfarë ndodhi kronologjikisht në emision KOLAUDIMI:
Fillimisht Veliaj iu përgjigj opinioneve dhe konstatimeve të qytetarëve të ndryshëm dhe përmes Kolaudimit iu tha se ende përdor transportin publik që në fakt së fundimi e ka promovuar shumë dhe njoftoi se vitin e ardhshëm do të ketë dhe autobusë elektrikë. Ai madje tha se ka dhe abone. Këtë model, shtoi Erioni, do ndjekë dhe për automjetet, që përdoren për punë publike, pra do të pajisen me makina elektrike, pasi nuk ndotin mjedisin dhe janë ekonomike.
Po çfarë porosit Veliaj nëse është në një fast – fond? Në fakt në mënyrë rastësore një vajzë e intervistuar në kryeqytet e gjeti, që ai preferon sufllaqe me mish pule gjë, që u pohua dhe nga kryebashkiaku.
Po kush ia kolaudon makinën Erionit?
Në fakt Veliaj pranon se nuk shkon vetë, por me këtë rast sqaroi se konsumon shumë pak karburant, pasi ka zgjedhur një makinë hibride. Ndërsa në lidhje me borxhet e Bashkisë nëse ka të tilla me OSSHE, ai tha se energjinë e siguron falas nga turbinat e Lanabregasit. Djemtë gjatë emisionit zbuluan madje se Veliaj si kryebashkiak ka paguar dhe borxhet e paraardhësit të tij Bashës në OSSHE, por dhe sigurimet shoqërore të shumë punonjësve.
Një pyetje shqetësuese për shumë prindër është dhe më mirë një shkollë e re apo një rrugë cilësore, që të çon në shkollë e për këtë e pyetën dhe drejtuesit e Kolaudimit në IN Tv. Kryebashkiaku tha se me ndërtimin e disa shkollave të reja është zgjidhur pjesërisht dhe çështja e turneve në shkolla, ku në pjesën më të madhe mësimi zhvillohet vetëm paradite.
Ai dha e një këshillë për prindërit, që të mos fokusohen tek shkollat në qendër të kryeqytetit, që jo gjithnjë janë aq cilësore sa kanë qenë më parë, pasi mësuesit cilësorë janë shpërndarë në çdo shkollë në kryeqytet ndaj dhe jo në pak raste bankat në disa shkolla nuk dalin e në të tjera mbeten bosh. Këtu ai donte të thontë se mbipopullimi në disa shkolla është artificial dhe duhet të ndryshojë mentaliteti. Veliaj theksoi se më shumë investime do të ketë në shkollat e zonave të fshatrave.
Në emisioni u fol dhe për këndet e lojërave që në fakt janë shtuar në kryeqytet. Përmes pyetjeve ngacmuese djemtë e Kolaudimit zbuluan se kostoja e një këndi lojërash shkon nga 50 mijë euro deri 500 mijë euro dhe më të kushtueshme janë lodrat. E vlerën maksimale e mban parku i madh i lodrave tek liqeni. Gjithashtu Veliaj sqaroi se shumë kënde lodrash janë bërë me ndihmën e donatorëve privatë prej të cilëve, ai shtoi se ka mësuar se ka shumë njerëz bujarë në kryeqytet. “24 kënde lodrash deri tani dhe ato të lagjeve janë bërë kryesisht nga privatët,” tha Erion Veliaj, tek Kolaudimi.
Veliaj i veshur me një bluzë me Marjon tha se kjo është e qëllimshme meqë shumë shpejt do të nisë një projekt i madh ai i pastrimit të kanalizimeve të Lanës në bashkëpunim me qeverinë japoneze.
Kreu i Bashkisë së kryeqytetit dha dhe disa përgjigje shkurt që lidhen me mirëqenien e komunitetit.
Veliaj tha:
1. Tirana do ketë pas 5 vitesh 24 orë ujë.
2. 95% e rrugëve në qytet brenda mandatit të parë do të jenë të shtruara.
3. Numri i pemëve do jetë sa numri i banorëve në vitin 2020 dhe në 2030 do ta kalojë. Deri tani kemi mbjellë 200 mijë pemë. Dy pemë obserbojnë karburatin e një makine. Do arrijmë të kemi më shumë oksigjen se dioksid karboni në ajër.
4. Teatri Kombëtar do të marrë një pamje krejt të re e të rinovuar. E në Bulevardin e ri do të zhvendosen disa institucione kombëtare mbase dhe Bibiloteka Kombëtare.
5. Projekti i Pazarit të ri ishte ide e Fondit Amerikan të Zhvillimit shumë e herëshme dhe u desh shumë kohë që të merrte jetë.
6. Tiranës s’do ti vijë asnjëherë dita të mos përmbytet e kjo nuk varet nga punët e bashkisë, por dhe moti që ndryshon në mënyrë të befasishme në të gjithë botën. S’do kalojmë në histeri dhe njerëzit duhet të na ndihmojnë.
7. Në Tiranë në 2 vjet 0 ndërtime pa leje, ata që kanë guxuar janë në komisariate.
Po nëse do të jetë ai kryeministri i vendit, Veliaj thotë se kjo që bën tani është një punë më e bukur dhe e do shumë kështu që tani nuk e aspiron madje përmendi dhe Ramën kur tha se dhe ai i ka thënë se të drejtosh Bashkinë është më mirë se të jesh kryeministër i mbushur plot shkresa.
Djemtë e Kolaudimit e pyetën sërisht në është më mirë Ministër apo Kryetar Bashkie? Është më bukur kjo, jo se është rehat, tha Veliaj.
Veliaj gjithashtu tha se është rastësi dhe konçidencë që dhe ai dhe Rama fillesat i kanë patur nga shoqëria civile dhe janë mbështetur nga Fondacioni Soros. E sipas tij këtu s’ka vend për konspiracion.
Po në një pjesë tjetër të emisionit Veliaj u pyet nga qytetarët për planet e mëdha që janë në proces, ai tha se përfundimi i Bulevardit të ri dhe parku i Farkës janë më të mëdhajat tani, por dhe dy parkingje të tjera.
Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se dhe rrugët rurale janë përmirësuar dhe deri në fund të mandatit shumë nga to do të jenë përmirësuar ndjeshëm.
Me shumë naivitet një fëmijë i thotë përmes ekranit a ma mëson biçikletën, ai duke buzëqeshur i tha po.
Edhe banorët e Shkozës që kanë ndërtuar pa leje dhe banesat do tu prishen se do zgjerohet rruga ishin përfshirë në pyetjet nga qytetarët dhe Veliaj iu tha se do tu japë kredi të buta dhe banesa sociale, pasi punët publike sidoqoftë duhet të bëhen.
Djemtë i thonë në e ka marrë malli për LSI dhe ai tha se bashkëpunon me këdo që i jep vota qytetit që ti eci puna mbarë.
Po për Ramën ç’mendo? Çfarë nuk të pëlqen? Ishin pyetjet e tjera nga djemtë në studio. “Vezën e Ramës nuk e ka bërë njeri deri më sot dhe ka më shumë durim se duhet se ishte në koalicion dhe i kishte duart e shtrënguara. Në mandat të dytë ca gjëra do ecin dhe më shpejt,” u përgjigj Erion Veliaj.
Ndërsa për Presidentin e SHBA, Trump ai tha se nuk ndan me të të njëjtën bindej politike.
Pyetje me humor:
Kolaudimi: Pse i përkushtohesh Tëitter-it më shumë sesa Ajolës?
Erion Veliaj: Jo s’është e vërtetë, po qytetarëve duhet ti përgjigjem.
Erioni zbuloi gjithashtu se libri i fundit që ka lexuar është Lindja dhe Vdekja e qyteteve.
Në fund të emisionit Kryetari i Bashkisë vlerësoi studion e emisionit Kolaudimi ku dhe i bënë përshtypje orat me emra fshatrash dhe iu përgjigj me një fjali disa pyetjeve të fundit.
Një pyetësor i shkurtër:
Kolaudimi: Fjala e preferuar?
E. Veliaj: Të shofim!
Kolaudimi: Fjala që s’të pëlqen?
E. Veliaj: S’bëhet!
Kolaudimi: Çfarë të ngre emocionalisht?
E. Veliaj: Zgjimi në mëngjes se kam kulmin e energjisë!
Kolaudimi: Kush të fik fare?
E. Veliaj: Parashikimi i motit!
Kolaudimi: Sharja e preferuar?
E. Veliaj: Zdroms!
Kolaudimi: Tingulli që s’do?
E. Veliaj: Matrapiku!
Kolaudimi: Ç’profesion doje të bëjë nëse s’do bëje këtë?
E. Veliaj: Mësues i edukatës qytetare!
Kolaudimi: Çfarë profesioni s’do të bësh dot kurrë?
E. Veliaj: Kuzhinier!
Kolaudimi: Çdo të doje të të thonte Zoti po të vije në Parajsë?
E. Veliaj: Plako iu afrove asaj që doja unë për Tiranën.