Vendet me më shumë ditë pushimi, ja ku renditet Shqipëria

Shqipëria numëron 14 ditë pushimi zyrtare në vit, shifër e cila është ndër më të lartat në Europë.

Sipas Worldatlas, Europa llogarit mesatarisht nga 9 deri në 15 ditë pushimi zyrtare e që quhen edhe festa kombëtare. Këto ditë janë të paguara dhe në rast se njerëzit punojnë gjatë këtyre festave, ata paguhen më shumë.

Një rast përjashtues është Mbretëria e Bashkuar, ku ditët zyrtare të pushimit nuk janë të detyrueshme për punonjësit. Nëse ata zgjedhin të punojnë gjatë këtyre ditëve nuk përfitojnë pagesa shtesë. Kjo shpjegohet me faktin se britanikët kanë më shumë ditë leje të zakonshme në krahasim me vendet e tjera europiane, e që llogaritet në 28 ditë pune.

Harta tregon se Shqipëria është ndër ato vende që ka më shumë ditë  zyrtare pushimi. Greqia dhe Italia kanë përkatësisht nga 12 ditë. Mali i Zi gjithashtu ka të njëjtin numër ditësh pushimi zyrtare si Shqipëria në 14, ndërsa Kosova llogarit 12.

Megjithatë, numri i ditëve të pushimit ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Gjithashtu varet edhe nga rastet kur ato mund të bien në ditët e fundjavës siç është e shtuna dhe e diela.

Në botë, vendi me numrin më të madh të ditëve zyrtare të pushimit është India me 21 ditë e ndjekur nga Kolumbia dhe Filipinet me 18. Kina dhe Hong – Kongu kanë 17 ditë zyrtare pushimi, ndërsa Tajlanda, Turqia dhe Pakistani gëzojnë nga 16 ditë. Japonia, Argjentina dhe Suedia llogarisin 15 ditë pushimi zyrtare në vit.

Avantazhet e ditëve të pushimit kanë të bëjnë me faktin se njerëzve iu jepet më shumë kohë për të qenë me familjen si dhe për t’iu dedikuar argëtimit. Ekspertët e sjelljeve sociale thonë se ato gjithashtu shërbejnë për të rritur ndërveprimin social dhe produktivitetin. Punonjësit kanë mundësi që të clodhen dhe më pas t’i dedikohen punës me një rendiment më të lartë.

Por, kanë edhe anën tjetër të medaljes, pasi ndikojnë në ngadalësimin e transaksioneve që mund të bëhen përmes bankave, si dhe për sektorin financiar. Financat duhet të presin për pak kohë për t’u vënë në lëvizje, megjithatë qeveritë gjejnë mënyra për të kompensuar këto ‘humbje’.

SHKARKO APP