Vendi vakant në “AKEP” – Kandidatura e përzgjedhur, Ilir Zela: Nevojë për investime

Fusha e komunikimeve elektronike dhe postare ka nevojë për investime thelbësore për shkak të evoluimit të vazhdueshëm të teknologjisë. Kështu ka deklaruar në komisionin parlamentar për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe Mjedisin, kandidati për anëtar të këshillit drejtues të AKEP, Ilir Zela, gjatë shqyrtimit në komision për emërimin e tij në këtë këshill.

“Pavarësisht se është një nga fushat më të avancuara në vend, ka nevojë për investime thelbësore tani dhe në të ardhmen, për shkak të evoluimit sa më të shpejtë të teknologjisë, por edhe të shtimit të nevojës për shërbime të komunikimeve elektronike”, tha Zela.

Zela shprehu vullnetin e tij për këtë post duke u zotuar për krijimin e kushteve për investitorët lidhur me infrastrukturën dhe nxitjen e konkurrencës së ndershme në këtë sektor. Ai kërkoi   mbështetjen e komisionit për shtimin e efikasitetit të brendshëm të AKEP.

“Një nga drejtimet e punës sime në AKEP do të jetë krijimi i kushteve sa më të favorshme për investitorët. Dhe kjo do të përqendrohet kryesisht në infrastrukturën për shërbimet me brez të gjerë, qoftë ajo me fibër optike, qoftë ajo përmes mikrovalëve. Është e nevojshme që të kemi një vëmendje të shtuar sa i takon përfitimeve të konsumatorëve lidhur me këto shërbime dhe unë këtu do të marr vetëm dy shembuj të thjeshtë, të kuptueshme për të gjithë, që është koha që në Shqipëri, e para portimi i numrave të kryhet brenda 24 orëve, nuk ka asnjë pengesë teknologjike”, shpjegoi Zela.

Komisioni pritet t’ia përcjellë këtë kandidaturë për votim kuvendit ditën e enjte.

SHKARKO APP