Vendimi i Prokurorisë: më i drejti apo më i lehti?
Nga Zef Shtjefni
Vendimi i Prokurorisë për Tom Doshin e Mark Frrokun u realizua, edhe pse qe një vendim surprizë dhe i guximshëm. Kësaj here Prokuroria e shkriu kurajën e ngrirë nën akullnajën e madhe të stivave të dosjeve. Kësaj radhe, edhe pse duket se përfitoi nga një “autogol” i Tomës, Prokuroria veproi ngjashëm me standarted, me të cilat veprojnë kolegwt e saj në vendet perëndimore, kur mbi tw dikush merr kurajw e tregon gishtin. Ajo i thirri me kujdes e durim, si asnjëherë tjetër, të gjithë personat që kishin lidhje apo dijeni për ngjarjen; Kryeministrin dhe ish-Kryeministrin, Kryeparlamentarin, Ministrin dhe ish-Ministrin, deputetë e dwshmitarë, shoferw e ish-shoferw, “aktorë” e prapaskenistë etj. Prokuroria kësaj radhe nuk u thye e as nuk u influencua as nga fuqia e personave të përfshirë në ngjarjen e presupozuar, as nga mitingjet madhështore të Opozitës, e cila mezi ç’pret një pretekst, për ta bërë kauzë të saj, edhe pse kjo e Tomës duket se po i bie kokës.
Qemë të shumtë që ia thamë para pak ditësh Opozitës, se nuk kishin moral e as kauzë mitingjet e saj për këtë ngjarje, sa kohë që ajo ishte në dorë të Prokurorisë e Drejtësisë. Nuk është hera e parë që hedhin gurin përpjetë, ata që shkojnë akoma pas Berishës dhe ai u kthehet e u bie kokës. Kur burgu iu hap Mëziut dhe kur i kaloi afër Arben Imamit, Berisha dha urdhër që të protestohej edhe tek dyert e gjykatës edhe te burgu. Por, kur kjo kërkohet për pjesëtar të Mazhorancës, nuk arrijmë dot të orientohemi e kuptojmë logjikën e dy B-ve të PD-së. Mbase janë kundër çdo lloj hetimi e arrestimi, ngaqë kanë hallin e dosjeve të tyre? Jemi pro, por jemi kundra, tha PD-ja për arrestimin e dy deputetëve. Hajde e merre vesh! Këto ngjarje edhe pse mbajnë në ankth opinionin publik, kanë të bëjnë pak me jetën dhe hallet e qytetarëve. Duket kjo arsyeja pse njerëzit ia braktisën mitingun e fundit PD. Le të ndalemi pak të gjykimi, nëse qe i drejtë vendimi i Prokurorisë për të kërkuar arrestimin e dy deputetëve. Secili prej nesh mund të japë vetëm opinione personale, pasi ato që ka në dosje Prokuroria, askush nuk i di dhe më kryesorja, do të jetë vetëm Gjykata që do t’i vlerësojë ato. Mendoj se Toma, që ditët e para, dukej se i hyri detit në këmbë, duke u “shpallur luftë” të gjithëve. Nuk arrijë të kuptoj, që me gjithë atë fuqi ekonomike e politike që kishte, nuk i siguronte mbrojtje vetës, duke qenë pjesë e mazhorancës! Nuk na u tha asnjëherë shkoqur, pse vallë po kërkonte ta vriste Meta? A ishin arsye politike, apo biznesi, që e shtyjnë një politikan në një veprim të tillë makabër!? Po me: Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm, Kryeparlamentarit, Drejtoreshës së Tatimeve dhe asaj të Doganave dhe në fund edhe Kryeprokurorit, çfarë pati vallë? Them se Ai i hyri detit në këmbë, por nëse Prokuroria pati të drejtë të shkonte deri tek arresti, këtë duhet ta thotë vetëm Gjykata, pas 48 orësh, kohë që Toma e Marku do të qëndrojnë në pritje jo më në shtëpi ,apo Parlament,por në qeli.
A ishte i lehtë për t’u marrë ky vendim nga Prokuroria..? Sigurisht që jo, pasi trysnia e Tomës, por dhe e PD-së mbi të, nuk ishte e vogël. Mbase ka pasur dhe trysni të tjera “nën rrogoz” që nuk i dimë. Unë e shoh në një aspekt tjetër lehtësinë e vendimit të Prokurorisë. Toma u prish me Ramën dhe Mazhorancën dhe si rrjedhojë e larguan prej saj. Kështu që, kuptohej se deputetet do të votonin kundër tij. LSI-ja gjithashtu, e priste me “dashuri”. Por na befasoi dhe Basha, që bëri kthesa 180 gradëshe, nga mbështetja për Tomën me mitingje, në deklarimin për votim kundër tij në Parlament dhe në fund erdhi abstenimi! Mbase i trembën atij “gurit”, që thashë më sipër, i cili po rrokulliset e po u bie kokës. Unë, dhe besoj çdo shqiptarë, do të preferonim që Prokuroria të ketë marrë një vendim të pa influencuar, të drejtë dhe pikë. E them këtë, sepse po të bëjmë pak llogari për lehtësinë, kujtdo mund t’i shkojë mendja se, duke pas PS-në dhe LSI-në pro, ky ka qenë një vendim krejt i lehtë për t’u marrë nga ana e Prokurorisë. Le të shpresojmë se prokurorët nuk janë influencuar nga këto hesape politike, por të jenë mbështetur vetëm në prova e fakte. Le të shpresojmë se dhe vendimi i Gjykatës të jetë i tillë. Do të ishte një rreze shprese për drejtësinë shqiptare një vendim i painfluencuar politikisht dhe i drejtë, mbështetur vetëm në fakte e prova.