Vengu: Po monitorojmë situatën në Vjosë, të gjitha strukturat në gatishmëri
Niveli i lumit Vjosë në zonën e Novoselës, Vlorë, ka kaluar mbi 8 metra, ndërsa deri më tani janë evakuuar 13 familje nga zonat pranë urës së Mifolit dhe në Novoselë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prefektja e qarkut Vlorë, Evis Allushi, si dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ishin sot në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar masat në ndihmë të banorëve të prekur.
Ministri Vengu bëri të ditur se Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, si dhe ekipet e bashkisë dhe të emergjencave civile po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën në lumin Vjosë, veçanërisht në zonën e urës së Mifolit.
Ai siguroi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri maksimale për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast përkeqësimi të situatës.
Qarku i Vlorës është një nga më të prekurit nga moti i keq i ditëve të fundit, ndërsa si pasojë e reshjeve intensive është shënuar rritje e niveleve të lumenjve edhe në qarqe të tjera të vendit. Kjo situatë ka sjellë problematika serioze, përfshirë përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime të infrastrukturës dhe bllokime të rrugëve.
KOHA JONË SONDAZH

