Vërtetimi teknik për karburantet – Ndryshimi i procedurës, 11 organe për vlerësimin e konformitetit

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka publikuar listën me organet e vlerësimit të konformitetit, të cilët do të bëjnë lëshimin e vërtetimit teknik për të gjithë subjektet që kryejnë aktivitet në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.

Miratimi i tyre është bërë pas një urdhri të ministrit, Damian Gjiknuri, i cili parashikonte ndryshimin e organit që lëshon këtë dokument, pa të cilin nuk mund të ushtrohet aktiviteti. Deri më tani procedurat për subjektet e interesuar kryheshin nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ndërkohë që sipas ndryshimeve procesi do të realizohet pikërisht nga këto organe të miratuara.

Referuar listës së publikuar nga Ministria e Energjisë, janë 11 organe, të cilët do të kryejnë vlerësimin e dokumenteve e më pas do të lëshojnë vërtetimet teknike. Sipas urdhrit të Gjiknurit, këto organe disponojnë stafin e nevojshëm të kualifikuar me eksperiencë, jo më pak se pesë vjet në fushën e këtyre instalimeve, ndërsa stafi është i pajisur me lejen profesionale sipas legjislacionit në fuqi.

Përveç ndryshimeve proceduriale, urdhri i ministrit të Energjisë shtonte dokumentet që duhet të dorëzojnë subjektet, për t’u pajisur me këtë dokument. Ndërkohë që, ai erdhi pas një vendimi qeverie të miratuar në muajin korrik, i cili kishte si qëllim rritjen e sigurisë dhe përmbushjen e standardeve gjatë kryerjes së aktiviteteve në përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre.

SHKARKO APP