Vetëvrasja e policit, para një jave u lëviz nga detyra

Vetëvrasja e babait të dy fëmijëve mëngjesin e sotëm në vendin e punës, është e veshur me mister. Mësohet se polici Kastriot Fataj, para një jave kishte marrë urdhërin e transferimit në detyrë nga inspektor zone në patrullë shërbimi.

46-vjeçari i ndjerë, prej 20 vitesh mbante uniformën blu të punonjësit të Policisë së Shtetit, por mëngjesin e kësaj të marte e mbylli shërbimin duke u vetëvrarë brenda komisariatit të Fierit dhe duke lënë pas misterin e aktit ekstrem.

46-vjeçari nga Semani i Fierit, i dha fund jetës brenda një mjedisi në komisariat që shërbente si fjetinë. Kolegët e tij jashtë kameras thonë se nuk kanë vënë re shenja traume apo depresioni dhe se nuk kishte ndarë me ta asnjë shqetësim, pavarësisht se 46-vjeçari ishte një njeri i mbyllur.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur në policinë e Fierit për të zbardhur vetëvrasjen e kolegut brenda ambienteve të komisariatit të Policisë.

SHKARKO APP