Vetmia e njerëzve të mirë

 

Alba Malltezi.

Vetmia e njerëzve të mirë Nuk është nevoja të bëhen sondazhe për të kuptuar se sa e duam të drejtën, të vërtetën ne shqiptarët. Ku jetojmë e punojmë, lehtësisht vërehen flirtimet me korrupsionin në nivele të ndryshme, sipas mundësive dhe kontakteve me pushtetin. Kush në të vërtetë kërkon të respektojë rregullat, të punojë ndershëm, të ndjekë të vërtetën stonon, përjashtohet, mbetet vetëm. Ka ndodhur dhe të vritet, si në rastin e komisar Dritan Lamajt.


Si sot e kujtoj kur një mike, një vajzë e drejtë dhe ëndërrimtare, e cila punonte në administratën shtetërore erdhi në redaksi dhe më tha: “Dua ta denoncoj ministrin tim, po bën korrupsionet më të mëdha që mund të imagjinohen. Nuk mund të hesht ndërkohë që ky individ rrëmben çdo gjë dhe punon vetëm për vete”.
Mikesha ime e mirë e la punën në administratë, por në redakasi nuk erdhi më të denonconte ministrin e saj që e kishte menduar njeri me moral të lartë.

Sot ai ministër është ndër politikanët më të njohur, jep mend, shet moral e libra. Atij asgjë nuk i ka ndodhur, përkundrazi, është shpërblyer nga shoqëria dhe sistemi ynë i drejtësisë dhe shtetformimit me një jetë komode dhe mirëqënie të siguruar gjatë.

Por unë mendoj, edhe nëse mikesha ime do të dilte në TV dhe do të bërtiste me të madhe se kishte fakte, ishte dëshmitare, kishte parë korrupsionin, sistemi i amortizimit të skandaleve do të vepronte me shpejtësi dhe jashtë sistemit do të mbetej sërish mikesha ime dhe jo ish-ministri, sot politikan “në modë”.

Këto ditë mbi zyrtarë të Shtetit bie dyshimi i madh për fshehjen e një urdhër arresti nga autoritetet belge për deputetin Mark Frroku. Kush e ka fshehur? Kush e ka ditur dhe nuk ka folur? Kush ka heshtur? Përse? Komisar Dritan Lamaj kishte kërkuar informacione nga Interpol Tirana më 2012 dhe si përgjigje mori humbjen e jetës. Shteti e tradhëtoi tre vite më parë, ëndërrojmë të mos e ketë tradhëtuar edhe tani. Komisar Lamaj u vra vetëm sepse po kërkonte të vërtetën dhe të drejtën.

Nëse në vendin tonë, mes radhëve të administratës, medias, politikës, shoqërisë civile do të kishim më shumë individë me integritet dhe me forcën për të denoncuar padrejtësitë dhe për t’i ndëshkuar, do të kishim një Shtet më të mirë. Por deri më sot, të mirët, ndjehen kaq vetëm 

(marre nga shqiptarja.com)

SHKARKO APP