VIDEO/ ‘Brusko’ … sjell trendy-n e telenovelës greke në Shqipëri

Në Shqipëri kanë zbarkuar prej kohësh telenovela nga anë e anës, Meksika, Brazili, India e sidomos nga Turqia. Mesa duket tregu qenka ende i etur përderisa po hapet dhe një rrugë e re: ajo e telenovelave greke, të munguara deri më tani.

Po reklamohet prej ditësh fillimi (sot, më 2 tetor në ora 20.00 në In Tv) i një serialit grek,  “Brusko”, për të cilin thuhet se qenka më i suksesshmi në Greqi e se qenka shitur në 40 vende të botës, jo vetëm në Evropë, në Ukrainë, Estoni, Slloveni por edhe në kufijtë e përtejmë, në Lindjen e Mesme, në Azi, në Amerikën Latine, Izrael, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Argjentinë, Kolumbi, Peru, Meksikë, Venezuelë, Panama, Kili…

Nga Greqia e dramave të njohura, vjen një telenovelë e ditëve tona, e cila, ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në 40 vende të botës që nga viti 2013 kur është prodhuar nga Vana Dimitriou.

“Brusko”, është historia e një djali dhe një vajze që të nesërmen martohen me partnerët e tyre, por kur shohin njëri-tjetrin kuptojnë që jeta e tyre nuk do jetë siç e kishin menduar.

Shumë sekrete, intriga, pasione, hakmarrje deri në gjakmarrje që shkaktohen nga pasionet dhe xhelozitë, nga pushteti i parasë apo marrëdhëniet e biznesit, zhvillohen nëpër seritë e “Brusko”-s.

Vajza nga Kreta dhe djali nga Qipro, njihen në një club të Athinës në festën e tyre të beqarisë. Të nesërmen do të martoheshin. Ishte mbrëmja e tyre e fundit si beqarë, por ishte sërish shumë vonë për të marrë vendime si të tillë. Ata martohen të nesërmen, ajo me partnerin e saj dhe ai me të tijën. Teksa ishin zhytur në jetët e tyre martesore, fati i bashkon sërish. “A do të prishen martesat?” “A do të përmbysen fatet nga tradhtitë?”

Trekëndëshi Akili- Melina- Sifis, interpretuar nga aktorët e famshëm grekë, Andreas Georgiou, Eleni Vaitsou dhe Apostolis Totsikas, ngërthen drama të skajshme, ku sekreti i Melinës dhe Akilit është vetëm maja e ajsbergut. Konfliktet janë shumë më të thella e më të hershme mes familjeve të dy burrave.

Të gjitha misteret mund t’i zbuloni duke ndjekur “Brusko”, e cila do ju fusë në një botë intrigash dhe pasioni, hakmarrjesh e gjakmarrjes mes dy familjeve sa tradicionale aq edhe moderne.

SHKARKO APP