VIDEO/ Erion Braçe denoncon skandalin: Çmimi i naftës po vendoset me mesazhe
Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke akuzuar se tregu po funksionon si një kartel i organizuar. Sipas tij, ndryshimi i fundit i çmimit të naftës është bërë një ditë më parë rreth orës 16:00 dhe vendimi, sipas pretendimeve të deputetit, është përcjellë përmes mesazheve në celularët e pikave të karburantit në të gjithë territorin e vendit.
Braçe deklaroi se menjëherë pas këtij mesazhi, çmimi i naftës është rritur në disa pika karburanti, veçanërisht tek ato të brenduara, ku sipas tij çmimi ka arritur nga 197–198 lekë deri në 202 lekë për litër. Ai hodhi akuza edhe ndaj Shoqata e Hidrokarbureve, duke pretenduar se kjo shoqatë po vepron si një kartel që koordinon rritjen e çmimeve në treg. Sipas deputetit, mesazhet për ndryshimin e çmimit nuk dërgohen vetëm nga drejtuesit e kompanive, por edhe nga përfaqësues të kësaj shoqate, sidomos drejt pikave të bardha të karburantit.
Braçe ngriti shqetësime për mënyrën se si kompanitë furnizohen me naftë. Ai theksoi se prej rreth katër vitesh operatorët nuk e blejnë më karburantin drejtpërdrejt në bursë, por përmes ndërmjetësve që e sjellin atë në depozitat në vend.
KOHA JONË SONDAZH

