VIDEO/ Policia Rrugore në terren: Gomat dimërore dhe zinxhirët të detyrueshme në zonat malore
Policia Rrugore apelon që drejtuesit e automjeteve që të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse ndërsa në mjaft zona temperaturat kanë rënë nën zero dhe ka reshje bore. Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci inspektoi shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbrit, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në këtë aks rrugor dhe, nëpërmjet tyre, për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla”, tha Vatoci. Ai apeloi për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe që, për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, krahas shërbimeve të tjera të Patrullave, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat vijojnë punën për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe bore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
KOHA JONË SONDAZH

