VIDEO/Ilir Meta: Rinia e LSI e ka marrë vendimin. LSI forcë e parë

 Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me qytetarë të Gjirokastrës, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të qarkut Gjirokastër. Të pranishëm në këtë takim përveç kandidatëve ishin edhe Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, Vasili dhe Meta shprehën bindjen se fuqia dhe madhështia e LSI-së qëndron te respekti të kujdesi dhe te dashuria për njerëzit. “Rinia e Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë, e ka marrë vendimin: një drejtim i ri për Shqipërinë më 25 qershor. Një drejtim i ri për të ulur taksat dhe për të formalizuar ekonominë, për të ulur kostot e biznesit dhe për të ndihmuar të gjithë të rinjtë ta gjejnë veten këtu në Gjirokastër, në Përmet, në Tepelenë dhe në Shqipëri”, – shpreh z. Meta ndër të tjera. Ndërsa Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili e vuri theksin te çështjet më të rëndësishme të programit të LSI-së, që fokusohet te turizmi dhe bujqësia e që do të rimëkëmbë ekonominë shqiptare, duke gjeneruar më shumë vende pune dhe do të mbështesë bizneset.

https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1606046496075269/
Fjala e plotë e Ilir Metës:

Faleminderit rinia e Gjirokastrës, faleminderit prindër dhe gjyshër të këtyre të rinjve të mrekullueshëm. Të rinjtë e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë, LSI është forcë e parë! Tashmë pas mitingut të paparë të Tiranës edhe mediat e Greqisë dhe Italisë e konfirmuan, që Shqipëria po shkon drejt këtij momenti historik. Ky është vendimi i rinisë së Gjirokastrës të Përmetit të Tepelenës dhe gjithë Shqipërisë. E kush më shumë se Gjirokastra e ka provuar hipokrizinë e Rilindjes në këto katër vite. A nuk ishin ata që doni të bënin shtet dhe ne ua dhamë të gjithë mundësinë, që bënë një superoperacion në Lazarat dhe bënë shumë mirë për të çrrënjosur kanabisin nga Lazarati, madje, u vra edhe një hero i Forcave Speciale në këtë aksion. Por ai aksion nuk u bë për shkulur drogën nga Lazarati dhe nga Shqipëria, por për të mashtruar shqiptarët dhe gjithë botën për të pastruar Lazaratin dhe për të mbushur të gjithë Shqipërinë me drogë.

Demokracia është zgjedhje është votë e lirë dhe është përfaqësim. Më thoni si shpjegohet që një parti historike me shumë vlera për demokracinë bën një referendum që të ndalojë zgjedhjet e brendshme në partinë e vet. Ku ndodh kjo, si mund të jetë garante për demokracinë, për drejtësinë, për transparencë për mirëqeverisjen. Kujt do t’ia hedhin këto, Gjirokastrës? A ka nevojë Gjirokastra për deputet turistë, që nuk e dinë se ku bie sheshi i Çerçizit. Ua themi ne atyre që jo vetëm nuk ia dinë emrin sheshit të Çerçizit, por edhe i largohen sheshit të Çerçizit dhe i bëjnë takimet andej poshtë nëpër cepa që të duken shumë. Sheshi i Çerçizit, sheshi i burrave, sheshi i gjirokastritëve është këtu. LSI forcë e parë!

Unë jam krenar që kam bashkëpunëtor dhe që kemi këtu në krye të këtij ekipi të mrekullueshëm një njeri të jashtëzakonshëm, që i njeh jo vetëm të gjithë gjirokastritët, tepelenasit, përmetarët, që di jo vetëm hallet e tyre, por që kujdeset edhe për lopët e sëmura të tyre, si Vangjel Tavo. Sepse fuqia dhe madhështia e LSI-së qëndron te respekti të kujdesi dhe te dashuria për njerëzit. Ndërsa fuqia e rreme, mashtruese e Rilindjes qëndron vetëm tek arroganca që vjen nga pushteti dhe te përbuzja ndaj njerëzve të thjeshtë.

Rinia e Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë, e ka marrë vendimin: një drejtim i ri për Shqipërinë më 25 qershor. Një drejtim i ri për të ulur taksat dhe për të formalizuar ekonominë, për të ulur kostot e biznesit dhe për të ndihmuar të gjithë të rinjtë ta gjejnë veten këtu në Gjirokastër, në Përmet, në Tepelenë dhe në Shqipëri. Po kështu, dua t’ju siguroj se marrëdhëniet tona me Greqinë do të jenë të shkëlqyera gjatë 5 viteve të ardhshme dhe të gjitha problemet që kemi, do t’i zgjidhim me mençuri, me bashkëpunim dhe me dinjitet për të dy vendet e popujt tanë. Ëndrrat e këtyre të rinjve dhe të rejave të Gjirokastrës janë programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë fuqia e saj dhe janë fuqia e Shqipërisë. E di që në këtë shesh mungojnë shumë gjirokastritë e gjirokastrite, të cilët po na ndjekin nga familjet e tyre, nga televizori, nga dritaret, ata do të donin të vinin këtu, por kanë frikë se nesër Rilindja i heq nga puna. Kjo është rilindja e pseudosocialistëve, që erdhën në politikë me lugë në brez dhe e kanë mendjen vetëm te tepsia dhe te kusia. Është fotokopja e Berishës së parë fare.

Le të durojnë edhe shtatë ditë ata që kanë frikë, sepse jam i bindur që këtë poshtërim që po i bëjnë njerëzve të ndershëm në administratë, do ta paguajnë me votën e 25 qershorit. Ashtu sikurse të gjithë ata që janë hequr padrejtësisht do të rikthehen më 26 qershor. Të dashur të rinj dhe të reja të Gjirokastrës, të dashur të rinj dhe të reja të të gjithë Shqipërisë, 200 mijë të rinj dhe të reja nuk do të kenë gjumë në këto shtatë ditë dhe shtatë net për të mbrojtur 1 milion grushte kundër oligarkisë më 25 qershor.

Kjo që po ndodh është pranvera demokratike e Shqipërisë. Forcë e parë, forcë e paparë. Rroftë populli i mrekullueshëm i Gjirokastrës. Rroftë rinia e Gjirokastrës dhe e gjithë Shqipërisë.

Ndaj, kam kënaqësinë që të ftoj këtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryeministrin e ardhshëm, Petrit Vasilin. Jam i sigurt se me Petrit Vasilin Kryeministër dhe Vangjel Tavon në qeverinë e ardhshme, Gjirokastra do të njohë vetëm projekte zhvillimi, integrimi dhe punësimi për të gjithë të rinjtë e të rejat.

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo u shpreh se LSI do të jetë forcë e parë në këto zgjedhje në gjithë vendin, ndërsa në Gjirokastër është forcë e parë që prej vitit 2015.

 Fjala e kryesuesit të listës së kandidatëve të LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo

Përshëndetje Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Këlcyra, Memaliaj, Libohova dhe Dropulli. Ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e shpirtit që në këtë fushatë na keni hapur dyert, na keni hapur shpirtin e na keni pritur me kandidatët të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të dashur miq sot në Shqipërinë tonë po ndodh një realitet tjetër. LSI-a do jetë forca e parë politike. Ky realitet ka nisur këtu në Gjirokastër në vitin 2015 ku LSI-a është forcë e parë politike në të gjithë qarkun. Më 25 qershor LSI jo vetëm që do të jetë forcë e parë politike, por do të dyfishojë rezultatin e saj në krahasim me vitin 2015. Gjirokastra të dashur miq nuk meriton deputetë turist, prandaj ju jam i bindur do t’i thoni jo deputetëve turistë në Gjirokastër dhe do ti thoni po djemve dhe vajzave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ju më 25 qershor do të votoni LSI-në, do të votoni për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, taksa më të ulëta, uljen e papunësisë dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Do votoni për mirëqenien e familjeve shqiptare. I ftoj edhe ata të cilët nuk kanë vendosur akoma LSI-në më 25 qershor, të vijnë e të votojnë alternativën tonë, ti thonë jo alternativës së rilindjes, e cila ka premtuar para se të vinte para 4 vitesh në pushtet 300 mijë vende pune dhe nuk ka hapur asnjë vend pune të ri. Ka premtuar më shumë investime të huaja dhe ndërkohë zero investime të huaja ka sot në Shqipëri. Ka premtuar më shumë mirëqenie, dhe flet për rritje ekonomik ndërkohë që familjet shqiptare po vuajnë nga varfëria. Pra të dashur miq, ne të gjithë së bashku do të votojmë në datën 25 Lëvizjen Socialiste për Integrim për të qenë forcë e parë jo vetëm në Gjirokastër por në të gjithë Shqipërinë. Rilindja dhe forcat e tjera politike na thonë që paska vende pune sa të doni por jeni ju ata që jeni të paaftë, jeni të pakualifikuar dhe tregojnë popullin me gisht, ata ju tregojnë juve me gisht dhe ne do u tregojmë atyre me gisht numrin një. Fitore Lëvizjes Socialiste për Integrim. Forcat e tjera vijnë në Gjirokastër dhe ju japin leksione për kulturën, juve që keni marrë erën e kulturës që në djep, se Gjirokastra jonë kjo është, vatra e kulturës, vatra e traditës, prandaj në 25 qershor do tu japim përgjigje të gjithë atyre që mendojnë se mund të tallen me votën e popullit. Të dashur miq, ata vijnë përsëri te ne duke premtuar dhe duke thënë që ndryshimi vjen nga Tirana, që ndryshimi vjen nga rilindja, jo të dashur miq ndryshimin e sillni ju, ndryshimin e sjellin votuesit shqiptarë që do votojnë më 25 qershor për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të gjithë ne duam ndryshimin, disa e dëshirojnë, disa e ëndërrojnë, por ne e bëjmë realitet. LSI do ta bëjë realitet ndryshimin e madh të Shqipërisë më 25 qershor.

SHKARKO APP