Vijnë fletët e votimit, nuk janë të zakonshme pasi…

Mbi 3 milionë e 600 mijë fletë votimi kanë mbërritur në rezervat e shtetit, në magazinat e KQZ, atje ku do të qëndrojnë deri javën e ardhshme, të paktën deri më 20 qershor, kur do të nisë shpërndarja e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore në Komisonet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në qarqet më të largëta. 

Kompania greke e kontraktuar nga KQZ për të prodhuar fletët e votimit për zgjedhjet e 25 qershorit tashmë e ka përfunduar punën e saj. Fletët janë të ndarë në paleta, sipas qarqeve dhe KZAZ. Procedura do të jetë e njëjtë për çdo kuti me fletë votimi.

Kreu i KQZ ndoqi nga afër këtë proces, për t’u dhënë dorën e fundit materialeve zgjedhore për 25 qershor. “Në 3.6 milionë fletë votimi, bëhet fjalë edhe për 63 mijë fletë votimi plus për zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës. Është një lloj qetësie për KQZ”, thotë kreu i KQZ-së, Klement Zguri.

Por kompania greke “Inform Lykos” nuk ka prodhuar vetëm fletët e zakonshme të votimit.  “Janë prodhuar edhe 5362 maska që i përkasin alfabetit ‘Braille’ për të verbërit. Pra ka qenë një vëmendje e jona për t’u mundësuar atyre që të votojnë vetë, pa pasur nevojën e njerëzve të tjerë për t’i ndihmuar”, sqaron Zguri.

Fleta e votimit për 25 qershorit nuk është letër e zakonshme, por e plotësuar me të gjithë elementët e nevojshme të sigurisë. “Sistemi zgjedhor në Shqipëri kërkon një vëmëndje të madhe për shkak të mungesës së besimit që kanë palët në proces. Fletët e votimit bëhen thuajse me element sigurie që u afrohen prodhimit të lekëve. Është një letër ekstra që realizohet fleta e votimit. Ka edhe elemente sigurie që i bën kompania përmes një dokumentacioni që më pas depozitohet tek noterët”, shton kreu i KQZ-së./Top Channel/

SHKARKO APP