Viti i ri akademik, Bashkia e Tiranës prezanton guidën studentore

Për të gjithë studentë që kanë ardhur për të studiuar në universitetet e Tiranës, Bashkia ka përgatitur një guidë orientimi në qytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim sot pasdite me studentët që sapo kanë nisur studimet në Tiranë, të cilëve u prezantoi edhe një “libër guidë” të kryeqytetit në shenjë mirëseardhje për ta.

Kryebashkiaku theksoi se në nisje të vitit të ri akademik, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që të krijojë më shumë lehtësira për studentët që vijnë nga rrethet dhe që qëndrojnë në konvikte. “Gjatë kësaj jave do të jemi nëpër të gjitha fakultetet, në të tre pikat e “Qytetit Studenti”, por edhe në disa qendra rinore të Tiranës për të kaluar këtë proces orientimi me studentët. Ne ju mirëpresim në Tiranë dhe jemi shumë të lumtur e të bekuar që ju kemi në qytetin tonë dhe duam që eksperienca juaj të jetë fantastike. Madje duam të jetë aq fantastike saqë asnjë prej jush të mos kthehet nga ka ardhur, por të vazhdoni të rrini në Tiranë, e pastaj do vijoj t’ju shoh kur të bëni celebrimin në Bashki, pastaj kur të merrni certifikatën e bebes, kur të merrni kredi të butë për banesë e të kalojmë një pjesë të jetës sonë së bashku”, tha Veliaj.

Studentët do të kenë mundësi që të përdorin edhe kartën e studentit e cila do të mund të përdoret jo vetëm në fushën e transportit, por njëkohësisht do të ofrojë edhe një sërë shërbimesh të tjera.  “Do të fillojmë garën për kartën elektronike të autobusëve, çka do të na mundësojë të kemi edhe kartën e studentit që të mund të përdoret për transportin publik. Por përtej transportit publik, mund të përdoret edhe për kinema, teatër, muze dhe më vjen mirë që ju do jeni gjenerata e parë e brezit të studentëve që do shijojë këto risi të Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj, teksa shtoi se  javën e ardhshme do të nisë edhe testimi i autobusit të parë elektrik, që do të modernizojë flotën e transportit publik në kryeqytet.

“Me 300 autobusë kemi rreth 25 linja. Javën tjetër do të kemi testin e parë të autobusëve elektrikë. Në shumicën e qyteteve evropiane ende nuk është futur, por do të fillojë për herë të parë në Tiranë”, deklaroi kreu i Bashkisë. Veliaj sqaroi se falë politikave të ndjekura nga Bashkia e Tiranës, çmimi i qirave për  studentët nuk është rritur.

“Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë pse Bashkia është e detyruar të vazhdojë të japë leje ndërtimi është: Ku do banojnë gjithë këta njerëz? Çdo vit vijnë mijëra studentë. Tirana do jetë shtëpia juaj e dytë dhe për 4 vjet do jetë në fakt shtëpia juaj e parë. Falë mënyrës dhe politikave të Bashkisë edhe në çështjen e ndërtimit, kemi siguruar që sipas INSTAT dhe BSH, çmimet e qirave nuk janë rritur. Ato dy vite që u bllokuan lejet dhe nuk kishte apartamente të reja, studentët detyroheshin të paguanin tarifa më të larta sepse i binte që 10 studentë konkurronin për një apartament. Në momentin që tregu ka një ofertë që i përgjigjet kërkesës, atëherë edhe qiratë rrinë në nivele të përballueshme, që është ekzaktësisht ajo që kemi bërë në Tiranë”, tha ai

Kryebashkiaku bëri të ditur se studentët e ardhur nga rrethet mund të akomodohen edhe në rezidencat universitare, ndërsa theksoi se ato ofrojnë një sërë shërbimesh, sikurse janë biblioteka, fondi referativ, fondi i periodikut, sallat e leximit, qendra e internetit. Në këtë kuadër, kryebashkiaku Veliaj ftoi studentët që bibliotekat e rezidencave, fakulteteve apo të lagjeve në Bashkinë e Tiranës, t’i shfrytëzojnë edhe për trajnime ose workshope të ndryshëm. Veliaj i njohu studentët edhe me disa nga aktivitetet dhe institucionet sportive dhe kulturore që gjallërojnë jetën në kryeqytet.

Studentët e ardhur në Tiranë mund t’i bashkëngjiten edhe rrjetit të vullnetarëve të Bashkisë Tiranë, ku qindra të rinj angazhohen në punë vullnetare në dobi të komunitetit. “Bashkia e Tiranës ka një ushtri me vullnetarë. Ne kemi çdo ditë vullnetarë që ndihmojnë fëmijët të kalojnë rrugën për në shkollë, kemi vullnetarë që ndihmojnë në qendrat tona sociale, kemi disa mensa ku shërbejmë përditë ushqim për ata që janë nevojtarë, kryesisht të moshuar të braktisur. Në Shqipëri jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ka dy kategori njerëzish, një kategori që gjithmonë vetëm ankohet, dhe një kategori tjetër që thotë po është një problem, unë mund të jap një ide si zgjidhet. Unë mund të jem vullnetar, mund të shërbej në këtë komunitet. Ne të Bashkisë së Tiranës kur shohim një problem nuk vëmë kujën, por themi: Ky është problem, por edhe një mundësi fantastike qe ta zgjidhim’, tha Veliaj, teksa shtoi se Tirana renditet mes kryeqyteteve më të sigurta në Europë.

SHKARKO APP