Vizioni Macron për BE, thirrje për krijimin e një force të përbashkët ushtarake

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e Bashkimit Europian. Macron ka bërë thirrje për krijimin e një forcë të përbashkët ushtarake dhe politikave të përgjithshme sa i përket mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit. Presidenti francez ka ftuar gjithë liderët e Bashkimit Europian të bashkëpunojnë me të në reformimin e bllokut.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një forcë të përbashkët mbrojtjeje të Bashkimit Europian, si pjesë e vizionit të tij për të ardhmen e bllokut. Duke paraqitur një seri reformash, Macron propozoi bashkëpunim më të madh për sigurinë dhe në luftën kundër terrorizmit. Në një fjalim në Paris, Macron shprehu dëshirën që Bashkimi Europian të kishte një “kapacitet autonom për veprim” përmes një force të përbashkët ushtarake. Sipas presidentit, forca duhet të plotësojë më shumë se të zëvëndësojë kapacitetet e NATO-s dhe duhet të fillojë veprimtarinë në vitin 2020.

Macron gjithashtu bëri thirrje edhe për një buxhet dhe politikë të përbashkët për mbrojtjen, si dhe për një akademi stërvitore ushtarake. Përpara Francës, edhe vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian si dhe presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker kanë bërë thirrje për krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane që mund të përballojë kërcënimet nga Rusia dhe vende të tjera.

Presidenti Macron nxiti liderët europianë të bashkëpunojnë me të në vizionin e tij për reformimin e Bashkimit Europian. Vëmendja e tij u përqëndrua sidomos në bashkëpunimin me kancelaren gjermane Angela Merkel, teksa presidenti u shpreh se dy vendet duhet të synojnë të zbatojnë të njëjtat rregulla ligjore për ekonominë.

SHKARKO APP