Vizioni për Tiranën
Nga Halim Kosova
Nesër është një ditë jo e zakonshme në Tiranë. Qytetarët do të vendosin për kryetarin e Bashkisë për 4 vitet e ardhshme. Në fund të kësaj fushate gati dy mujore, votuesit janë qartësisht para dy zgjedhjeve. Do të vendosin për një administrator, një menaxher që ka vetëm një interes, të zhvillohet qyteti, lagjia, rruga pranë shtëpisë së banorëve. Apo do ta vazhdojnë të luajnë me fatin e tyre, duke i dhënë pushtet një politikani që kërkon të bëjë karrierë dhe që ambicia e tij në këtë drejtim është motivi i vetëm pse është në garë.
Gjithë këto ditë u kam folur drejtpërdrejtë qytetarëve të Tiranës. Nuk jam politikan tipik, dhe nuk kam dashur për asnjë moment të nanuris ëndrra e iluzione tek bashkëqytetarët e mi. Nuk dua asnjë hije mashtrimi në këtë marrdhënie të re që kam nisur me 1 milionë banorët e Tiranës.
Kam lindur në këtë qytet, dhe e dua shumë me gjithë të mirat dhe problemet që ka.
Aroma e kafes së mengjesit që e pimë të gjithë, por dhe rendja për në punë. Përkushtimi i qytetarëve për familjen e tyre. Përpjekja e përditshme për të bërë diçka, për të përmirësuar jetën. Për të rritur, edukuar fëmijët. Edhe pse sot mundësitë janë të pakta e papunësia ka goditur rëndë qytetin, unë shoh energji e gjakim për të ecur para, nga Zallbastari në Vrap të Baldushkut, në Shëngjergj e Ndroq, në Kashar e Bërzhitë, në Pezë, Dajt e Vaqarr, në Kasallë të Zallherrit e Hekal të Petrelës, në Krrabë e në Farkë.
Qytetarët vetë e bëjnë të tyren çdo ditë. Ata mundohen. Të rinjtë në Tiranë rreken për punë, studiojnë e marrin zanate. Prindërit e tyre bëjnë çmosin. Po dhe banorët e fshatrave, këta fqinjë të rrugëve tona që me dinjitet nxjerrin bukën me produket e tyre.
Tirana u ka hapur dyert të gjithëve, ka ditur të krijojë klimë miqësore. Një qytet me zakonet e bukura të vendalinjve gërshetuar me diversitetin e kulturën e atyre që kanë ardhur për një jetë më të mirë.
Kam reflektuar thellë këto ditë se si njerëzit vetë kanë krijuar këtë ekulibër perfekt bashkëjetesë pa dallime partiake, feje a përkatësie.
Jemi ne që drejtojmë, ne që kërkojmë besimin e tyre, që duhet të ngrihemi në këtë lartësi. Unë jam i prekur nga ky qytet, nga qyteti im, nga bashkëqytetarët e mi. Kam hyrë në këtë garë se ata meritojnë më shumë. Nuk po kërkoj pushtet. Po kërkoj që ju të vini në pushtet. Ta bëni tuajën Bashkinë. Të jetë ajo zyra e hapur që harmonizon kërkesat, zgjidh hallet, ndërhyn aty ku duhet, investon aty ku e lyp nevoja. Një bashki që nxit vende pune e sipërmarrje të reja inovatore. Një bashki që do të përkrahë artin, e do të krijojë tregjet për 115 fermat e mrekullueshme që ka sot Tirana.
Unë po kërkoj një mandat për të sjellë një ndryshim, që me besoni ka për të qënë historik. Historik sepse ju do të dini në çdo moment ku është, sa është, dhe çfarë po bëhet me buxhetin e Bashkisë. Historik do të jetë, se do të votoni që bashkia të vijë aty ku ju banoni, e jo për të krijuar një hendek të ri mes jush dhe drejtuesit. Jo për ti dhënë shansin një personi e për ti hequr mundësinë 1 milionë banorëve.
Nuk e mohoj. Jam i realizuar në jetë. Kam një familje të mrekullueshme. Kam arritur kulmin e karrierës time profesionale.
Kam menaxhuar sektorë jetikë, të rëndësishëm. Po nuk e kisha kuptuar se këtij qyteti i detyrohem shumë, ndaj dua të jap maksimumin tim. Unë e ndjej se kam ç’të ofroj. E ndjej se kemi një pikë të fortë takimi me shumicën e qytetareve të Tiranës, që është ndershmëria, integriteti e dinjiteti. Shumë prej jush më njihni. Kam punuar gjithë jetën pa kërkuar diçka në këmbim. Vetëm respekt. Tirana e do respektin. Tirana e meriton respektin.