Vlahuti, mesazh nga Korça: Ja çfarë projektesh ka BE për Shqipërinë
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Romana Vlahutin zhvilloi një vizitë pune në Korçë për t;u njohur me ecurinë e projekteve që zyra e BE mbështet në këtë qark dhe për të biseduar për projekte të reja, sidomos në fushën e turizmit.
Pas një vizite në teatrin e ri të qytetit “Andon Zako Çajupi”, së bashku me kreun e bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, Vlahutin theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me projekte që do të shtojnë rritjen ekonomike.
“Delegacioni i BE ka disa projekte të tjera për infrastrukturën, por të gjitha këto nuk kanë të bëjnë vetëm me mbështetje financiare, por edhe me ndërtimin e bashkëpunimit që të ndihmojnë Bashkinë e Korçës për t’i pasur gati të gjithë elementët që nga arsimit deri tek infrastruktura për të siguruar një rritje të shëndetshme ekonomike” tha Vlahutin
Kryebashkiaku Filo e cilësoi mjaft frutdhënës bashkëpunimin me delegacionin e Bashkimit Evropian.
“Ne na duhet mbështetja financiare por edhe me ide dhe patjetër që delegacioni i BE është një nga partnerët më të rëndësishëm që kemi.” u shpreh Filo.
Vlahutin, pas përmbylljes së vizitave në pazarin e Korçës dhe në një rrugë ku BE ka financuar ndriçimin, viziton të shtunën Prespën.