Vlera e porteve – Durrësi vlen 278 mln euro në vit, ose 2.3% e PBB
Porti i Durrësit është porti më i madh në vend, dhe kur bëhet fjalë për transportin e mallrave, si në import ashtu edhe në eksport, nuk njeh asnjë rival.
Për ta ilustruar me shifra këtë, marrim në vlerësim të dhënat e transportit të mallrave për vitin 2016. Thuajse gjysma e transportit, rreth 50% bëhet nëpërmjet detit, dhe porti i Durrësit zë rreth 90% të asaj që mbulojnë portet e vendit.
Në total, gjatë 2016, tregtia e mallrave prekte vlerën e 822 miliardë lekëve, dhe nga kjo llogaritje, pjesa e portit të Durrësit fiksohet në 370 miliardë lekë, ose 278 milionë euro. Praktikisht, kaq është vlera e portit të Durrësit për ekonominë shqiptare në terma transporti mallrash.
Kjo vlerë është e destinuar që të rritet nga viti në vit. Tre portet e tjera të vendit ndërkohë, janë shumë prapa. Në konsideratë mund të merret vetëm porti i Shëngjinit, që zë rreth 8% të totalit, më pas ndjek Vlora me më pak se 2%, dhe Saranda me më pak e 1%, ose thuajse zero.
Për të ilustruar rëndësisë që ka porti i Durrësit në tregti, mjafton të themi që ky port e mbulon aeroportin “Nënë Tereza” plot 23 herë në terma transporti mallrash. Aeroporti i vetëm në vend ka një vlerë prej vetëm 12 milionë euro për ekonominë shqiptare, sa i përket transportit.