Vlorë, rriten kërkesat për apartamente e biznese nga të huajt
Vlora është kthyer në atraksion jo vetëm për pushime në bregdet, por edhe për investim në prona të paluajtshme, ku trendi i kësaj vere është blerja e apartamenteve dhe bizneseve nga shtetas të huaj.
Përveç italianëve që ndër vite kanë blerë banesa dhe biznese në Vlorë, janë skandinavët ata që përbëjnë risinë e tregut imobiliar në këtë qytet. Këta shtetas kanë lidhur kontakte me agjencitë imobiliare në Vlorë të cilat konfirmojnë rritjen e blerjeve nga të huajt të apartamenteve të banimit me qëllim përdorimin e tyre si rezidenca pushimi apo edhe e pronave të tjera siç janë biznese të vogla.
Anxhela Delaj: “Shitjet janë fokusuar më shumë në Vlorë duke marrë parasysh punimet që janë bërë. Çmimi në disa zona ngelet akoma i ulët dhe më i kënaqshëm. Edhe zona e Plazhit të Vjetër është shumë e kërkuar nga turistët. Turistët nga vendet skandinave e marrin më shumë për pushimet e verës por mqs Vlora ka edhe Universitetin mund ta japin me qera gjatë sezonit të dimrit. Vlora mbetet akoma e pa reklamuar në tregun evropian ndërkohë që Saranda kam përshtypjen se po bën një punë më të mirë.”
Interesi për një shtëpi pushimi në Vlorë është shtuar edhe nga kryeqytetasit, të cilët kërkojnë apartamente por edhe biznese.
Ajo çka vite më parë shihej si një moment stopimi në tregun imobiliar në Vlorë sot duket një situatë e tejkaluar. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Vlorës, Arben Breshani rritja e kërkesës ka bërë që një pjesë e stokut imobiliar të kthehet në hapësira pushimi për turizëm familjar. Shifrat flasin për turizëm në rritje me pothuajse 30% nga e njëjta periudhë e një viti më parë.
Arben Breshani: “Nga 3000 banesa të pa shitura, sot nga vetë poseduesit e firmave të ndërtimit, ato po kthehen në një pasuri për turizmin. Këto banesa po kompletohen dhe nxirren në treg për të thithur sa më shumë turistë sepse sektori i hotelerisë është shumë i pakët në qytetin e Vlorës.”
Si faktor që ka nxitur aktualisht investimet në Vlorë, sipas Dhomës së Tregtisë, është përmirësimi i infrastrukturës në qytet.