Vokshi: Kërkesa për largimin e Bashës, të shqyrtohet pas zgjedhjeve

Lista e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit, ka shkaktuar debate me mos rikandidimet e gardës së “vjetër”. Deputetja e PD, Albana Vokshi, pjesë e listës së Tiranës, ka sqaruar se lista e Bashës është e harmonizuar me kontributet në parti dhe shoqëri. vokshi nënvizoi se të gjithë prisnin ndryshime dhe se numri i 24 i largimeve nuk do të thotë asgjë.

“Republika e re kërkonte edhe një ekip të ri, që ndërthur pjesën e vjetër dhe me eksperiencë me pjesën e re, disa figurave të shkëlqyera, por kemi edhe të rinj fantastikë. Mua më vjen keq dhe çudi, se në fakt listat po diskutohen me dy standarde. Kur nxori listën PS, kishte a ka kriminelë? Askush nuk diskutoi shkollimin e kandidatëve. Listat duhet shqyrtuar njëlloj, por kjo listë do t’i sjellë fitoren PD”,-deklaroi ajo për “Report TV”.

Duke u ndalur te përjashtimet e gardës së vjetër dhe të “rebelëve” ndaj Bashës në PD, Vokshi tha se debati dhe kërkesa e këtyre për shkarkimin e kryetarit të PD duhet të bëhet pas zgjedhjeve.

“Edhe brenda kolegëve të mi, që nuk janë më në lista ju keni parë që ka mos përputhje të asaj që duhet bërë. Unë nuk dua ta komentoj, pasi nuk i shërben PD, cdo lloj debati fare mirë mund të vazhdojnë në një moment të dytë. Nëse do të ketë kërkesë, pas zgjedhjeve forumet duhet ti shqyrtojnë në bazë të statutit për cdo lloj kërkese, jo vetëm të Imamit, Topallit, Bodes dhe të tjerëve. Pas zgjedhje kanë të drejtë për cdo lloj shqetësimi në institucionet e partisë”,-tha ajo.

SHKARKO APP