Votoni opozitën
Nga Ilir Levonja
Unë e di që një vështrim përkitas, pas këtij titulli, do shkaktojë të qeshura. Mbase jo të forta, por ironike. Megjithatë, shqiptarët duhet të votojnë opozitën. Kandidatët e saj vetëm për një qëllim. Tu thonë politikanëve se ka ardhur koha dhe duhet medoemos të punojnë bashkërisht. Në një sistem plural, nuk ka merita të njëanshme. Por – o janë merita të klasës politike, ose hiç.
Diku nga fundi i ndeshjes së mbrëmshme, mes Barcelonës dhe Juventusit, u hodh në internet një video publiçitare me kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha.
Duke fjetur në një sofa të butë, në një dhomë gjysmë hije. Pra relaksuese.
Kjo po i kënaq shqiptarët. Të cilët vazhdojnë të mburren me finesat e humorit, sportivitetin e Kryeminstrit. Liderit të Rilindjes etj. Babain e ri që kur e pyesin për të birin. Bën aludime të çuditshme, fëmija, kurioziteti, kopshti zoologjik etj. Nga ana tjetër u gri duke na ngritur krahësh fëmijët e provincës. Duke shpërndarë selfie. Ai që i është mbushur mendja se është gaztori dominant, aktual i skenës shqiptare. Njeriu, që jo për hatër të gjatësisë i shikon njerëzit nga sipër. Por mendjembushur se i di të gjitha. Me siguri absolute. Madje me superkëmbëngulje në krijesat e tija që kanë dalë të shpërndajnë miell nëpër rrgjimet periferike të një vendi të lodhur. Por jo të shfrenuar. Ai që i mori qeverisjes së djeshme skandalet. Ato që ua kujtonte shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë. Dhe po kështu tani, ua servir për arritje me tolerancë zero ndaj dekriminalizimit, spastrimin e administratës etj. Pra elementët e skandaleve nga partia e skandaleve, Lsi.
Po i kthehem këtij spoti, për shkak të përqëndrimit me shumicë të fushatës. Në atë drejtim, që quhet gallatë. Gallatë me tjetrin që kemi përballë. Ndërkohë lihen pas dore probleme që kanë të bëjnë me komunikimin midis një bashkiaku dhe qytetarit. Pra probleme administrative. Marrëdhënie administrative, shërbime, pagesa taksash dhe kushte ndihmuese për bizneset lokale, etj.
Ta sajosh një njëri në divan, duke fjetur ashtu me veshje zyrtare. Ndërkohë tu thuash votuesve se dua votën tuaj për kandidatin tim. Se kështu do tu jap fonde. Të ndreqni rrugët, të përmisoni jetesën etj. Eshtë tallje.
Nuk është vështirë të kuptosh lojën e të mëdhenjëve në pozitë, me qytetarin e parë të një qyteti në opozitë. Diku e fitojnë, diku jo. Po edhe kur e fitojnë ato janë fitore që ta shpifin. Kur nuk e fitojnë krijojnë filmavideo të tipit Basha në kanape, duke gërhitur. Si e si të kënaqin perversitetin e tyre për të mundur kundërshtarin.
A ka aty të tillë. Oh, me përditshmëri. Por po të them vetëm një, ty shef i Rilindjes. Fitorja e Berishës ndaj teje. Me qëndrën e Tiranës. Tashmë aty gjallon një kokërr fasule e gjelbër që edhe ajo ta shpif. Janë ndryshe qëndrat e kryeqeteve të botës.
Disa ditë më parë analiste të krahut të majtë me të drejtë jepnin dy shqetësime kryesore. Konsumimin e tepruar të Kryeministrit në një fushatë lokale.
E vërtetë. Një fatalitet rigoroz këto njëzet e pesë vitet e fundit.
Eshtë fushatë lokale, jo e talljes me njëri-tjetrin.
Një tjetër analist jepte shifra. Konkrete. Ku të binte kokës fakti që 14% e investimeve publike bëhej nga buxheti. E imagjinoni vet se sa çfarë distance ka 14 nga 100. Pjesa tjetër nga kreditimet bankare të huaja. Pjesa tjetër e investimeve vjen nga donacionet, nga lypja jashtë. Nuk është e domosdoshme të jesh ekonomist të kuptosh jo buzën, por greminën ku po hallakatemi si vend.
Megjithatë, kandidatët e pushtetit u thonë qytetarëve se më votoni mua që të rregullojmë këtë apo atë. Ashtu si Hasani i Kavajës, u mburr me stadiumin e ardhshëm dhuratë nga Kryeministri. Në të njëjtën kohë kur qyteti diskuton akoma ujin e pijshëm. Projekti i tij në këtë mandat të dytë, është stadiumi, jo uji.
Turp e faqja e zezë, sikur me gisht të dorës të shposh aty, në fushat e Kavajës, ujë del. Po ujë nuk ka.
Votoni opozitën shqiptarë. Tu thoni pushtetarëve se jeni ju ata që e zgjedhin qytetarin e parë.