Vrasja e gjyqtares, gropa që fsheh mëkatet e shtetit
Nga Xhovani Shyti
Në komentet e bëra lidhur me vrasjen e gjyqtares së ndjerë Fildes Hafizi, së bashku me lajmin tragjik, mediat theksuan si të jashtëzakonshme të këtij krimi faktin që viktimë ishte një gjyqtare, të cilën e vrau sistemi pjesë e të cilit ajo ishte.
Policia nuk arriti të mbrojë gjyqtaren e tij. Sistemi gjyqësor i paaftë për ti shpëtuar jetën gjyqtares etj., ishin disa nga përmbajtjet e komenteve, në asnjerin prej të cilëve nuk vërehej se, përtej kësaj gjurme, vrasja e 39 vjeçares rezulton të jetë gropa që fsheh mëkatet e këtij shteti që ende nuk po jemi në gjëndje ta ngremë në këmbë për të na shërbyer.
Pasi dora që shtiu mbi të ndjerën Hafizi nuk është trimëruar vetëm nga një trup gjykuese që, sikurse denoncohet: nuk i ka dhenë dënimin e merituar vrasësit Kasëmi, apo nga indiferenca e atij segmenti të Policisë që mbulon parandalimin e rastit në fjalë.
Pasi janë një seri institucionesh, pjesë e rendësishme e këtij shteti, të cilat me mosushtrimin e të drejtës kushtetuese të detyrës për të cilën paguhen kanë qenë baruti që ndezi plumbat e armës së derdhur mbi gjyqtaren e ndjerë.
Vrasja e Fildesit është fundit, është akti përmbyllës i dramës së saj të nisur vite më parë, nga një vendim gjykate pa pikë vlere për të garantuar integritetin e një kolegeje, dhe që nga gjumëfjetja e madhe institucionale u konvertua në tragjedi.
Drama e Fildesit nuk ka qenë divorci, as qepja nga pas e ish bashkëshortit vrasës, i cili i fitonte betejat duke pohuar se nga dehja ishte “memoriehumbur”, por mosfitimi i betejës së të ndjerës me institucionet e këtij shteti, që, megjithse i paguajmë të gjithë barrën e detyrimeve që na ka vendosur mbi shpine, nuk na garanton kurfarë mbrojtjeje.
Tradhëtari më i madh në gjithë këto drama e tragjedi, me personazh fitues të këqinjtë mekatarë dhe humbës të mëdhenj shtetasit korrektë, është shteti. Janë insitucionet e tij kushtetuese: gjykatat, policia, politika por edhe presidentët që të vetmet gjera që kanë bërë shkëlqyeshëm ndër vitet e shkuara kanë qenë dhënia e dekoratave, nështetësive dhe amnistive, pjesë e të cilës ka qenë edhe bashkëshorti vrasës i Fildisit. I cili nuk është se u përvijua si vrasës rastësisht, pikërisht në momentin kur e pikasi ish bashkëshorten dhe derdhi mbi të plumbat jetëmarrës.
Fadil Kasëmi ishte i shenjuar nga institucionet përgjegjëse si rrezikues i jetës së ish bashkëshortes së tij, pasi kishte dhenë prova për këtë. Kishte tentuar edhe më parë ta ndërmerte aktin e vrasjes. Ishte arrestuar, ishte dënuar, ja kishte hedhur me fitimin e lirisë nga një amnisti presidenciale dhe megjithse ish bashkëshortes i ish dhenë statusi i të mbrojturës gjithçka rezultoi një nul.
E theksojmë: Nga që disa punonjës përgjegjës të institucioneve vendimzbatuese nuk e kryen detyrën për të cilën paguhen, sot kemi një krim të rendë më shumë, një gjyqtare moralpastër, të pangjyer në allishverishe korruptive, më pak, një familje të shkatërruar, dy fëmijë të mbetur jetim dhe, mbi gjithçka, asnjë garanci se vrasja e gjyqtares së ndjerë do të jetë e fundit e serisë së “njerëzve të tërbuar”, që në këtë shtetin tonë janë të pajisur me imunitet.