Wall Street Journal:Një popull që do begati pa punë mbetet pa të dyja
Të dielën Greqia u bë vendi i dytë në histori – Argjentina ishte vendi i parë – që realizoi tranzicionin nga vend i zhvlilluar në vend në zhvillim. Tani pyetja është se cili vend do ta ndjekë në këtë lloj tranzicioni.
Kjo pyetje vlen të bëhet sepse shumë intelektualë seriozë — Thomas Piketty, Paul Krugman, Jeffrey Sachs dhe Joseph Stiglitz mes tyre — mendojnë se grekët bënë gjënë e duhur kur votuan kundër kërkesës europiane që ata të përpiqen t’i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin, në këmbim të kredive të reja. Z. Stiglitz, i cili shërben edhe si lobist publik i presidentes së Argjentinës, tha se referendumi i dha Greqisë shansin “të ketë në dorë destinon e vet, pavarësisht se e ardhmja mund të mos jetë aq e begatë sa e shkuara”.
Fjala destino mund të duket goxha romantike – sidomos kur del nga goja e intelektualëve të pasur që u japin leksione njerzve të thjeshtë mbi të ardhmen ekonomike.
Fjala destino u hyn në punë edhe ideologëve me ambicie politike në Europë, të cilët nuk lënë rast pa brohoritur për referendumin grek. Fronti Kombëtar (i djathtë) në Francë, Podemos (e majtë) në Spanjë dhe Lëvizja 5 Yjet (anarkiste) në Itali iu bashkuan korrit të brohorimave dhe kanë shanse të fitojnë pikë elektroalisht, në qoftë se Athina do të arrijë një marrëveshje më të butë me kreditorët. Në qoftë se rregullat nuk zbatohen për dikë, të tjerë do të mundohen të mos i zbatojnë.
Por fjala “rregullat” ndoshta nuk është më e përshatshmja në këtë rast. Realiteti është fjala kyç dhe Greqia po fluturon jashtë realitetit.
Barra e borxhit të Greqisë 177% e PBB-së, që tingëllon si një abstraksion arithmetik, do të thotë se sikur i gjithë prodhimi grek i një viti të përdorej për shlyerjen e borxhit, vetëm pak më shumë se gjysma e tij do të shlyhej. Të kesh marrë borxh shumë më tepër se sa prodhon – këtë qeveria greke dhe brohoritësit e saj e quajnë “shtrëngim rripi”…
Deri në vitin 2008, Greqia kishte 133 fonde pensioni publike, të administruara prej burokratëve publikë. (Nën presionin e kreditorëve, numri i fondeve publikë të pensioneve duhej të kishte zbritur në 13). Grekët dalin në pension më shpejt se shumica e europinaëve dhe përfitojnë pension më gjatë se ata. Gjë që do të thotë se shpenzojnë 18% të PPB-së për pensionet publike, krahasuar me 7% në Irlandë e 5% në SHBA. Mashtrimet me pensionet janë në një shkallë të lartë, por është e pamundur të dihet se sa i kushtojnë buxhetit, sepse mbajtja e llogarive është e parregullt dhe e manipuluar.
Ajo që ndodh me pensionet, ndodh pothuaj edhe me çdo gjë tjetër. Kreditorët i kërkuan Greqisë të shkurtojë shpenzimet ushtarake me 1/10 (si përqindje e PBB-së, janë nga më të lartat në Europë), por Syriza është dakord t’i shkurtojë vetëm me 1/20 (“Turqit mund të na pushtojnë nga dita në ditë…”)
Privatizimi i kompanive joeficente shtetërore pritej të sillte 50 miliardë euro, por pas 5 vjetësh, vetëm 2.5 miliardë janë arkëtuar. Greqia ka më shumë juristë për frymë se sa SHBA-ja. Deri në vitin 2010, kostoja e punës në Greqi ishte 25% më e lartë se në Gjermani. Çmimet e ilaçeve janë më të shrenjta se në Europë, falë kartelit që heshturazi ekziston në këtë sektor, si në shumë të tjerë.
Këto e të tjera të dhëna hedhin poshtë pretendimet se problemet e Athinës janë kryesisht produkt i forcave përtej kontrollit të saj: kursi i këmbimit të euros, makinacionet financiare të bursave, tekat e Angela Merkelit, etj. Greqia donte të ishte e begatë pa qenë konkuruese. Ajo donte të rrinte në një hotel me 5 yje, kur xhepi i përballonte vetëm një me 2 yje. Ajo donte modernitet pa eficencë e transparencë. Ajo donte begati pa punë. Ajo donte të kontrollonte vetë destinon e saj, ndërkohë që dikush tjetër të paguante për shpenzimet e saj.
Dhe ç’është më e bukura, fluturimi i Greqisë larg realitetit vazhdon.
Pasi Athina nuk e pagoi dot këstin e rradhës ndaj FMN-së në 30 qershor, grekët e shijuan paksa se si do të jetë e ardhmja e tyre: Banka të mbyllura, tërheqje të kufizuara parash në bankomate, pensione me pikatore, etj. Dhe sidoqoftë, ata votuan në shumicë dërrmuese pro një qeverie që po i çon drejt greminës. Krenaria i prin shkatërrimit, thotë një proverb. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për budallallëkun.
Ndoshta në ditët në vijim, grekët do ta kuptojnë se vota e tyre i ka lënë edhe më shumë nën mëshirën e Zj. Merkel dhe kryeministrave të tjerë europianë. Ose ndoshta nuk do ta kuptojnë. Fakti që demagogjia e Syrizas funksionoi në referendumin e së dielës ndoshta tregon se grekët janë një popull që duan të bëhen preh e demagogjisë.
Thelbi i demokracisë është se u jep popujve mundësinë të mësojnë nga pësimet, duke e bërë përvojën mësuesin më sublim. Po në qoftë se nuk ndodh kështu? Argjentina na ka treguar se një popull nuk ka mësuar nga pësimi për dy breza me rradhë; se iluzioni i madhështisë së një populli mund të mbajë në pushtet politikanë dështakë brez pas brezi.
Greqia deri më sot na ka provuar se Argjentina s’është e vetme në këtë shteg. Spanja dhe Italia s’është çudi ta ndjekin më vonë (me Podemosin dhe Lëvizjen 5 Yjet). E kështu me rradhë. Mësimi që na jep Greqia është se asnjë vend nuk është i imunizuar nga marrja e saj si model. Perg. E. Zaloshnja
*Wall Street Journal